Megi Dhimitri: Company Retreats në Shqipëri po shndërrohen në një trend të domosdoshëm për bizneset! - Business Magazine Albania

Megi Dhimitri: Company Retreats në Shqipëri po shndërrohen në një trend të domosdoshëm për bizneset!

Megi Dhimitri: Company Retreats në Shqipëri po shndërrohen në një trend të domosdoshëm për bizneset!

Nga Eni Muça– Në vitet e fundit, koncepti i company retreats ka kaluar nga një “luks”  në një praktikë gjithnjë e më të pranishme në Shqipëri. Nga kompanitë e mëdha me ekspozim ndërkombëtar, deri te startup-et dhe bizneset e vogla, gjithnjë e më shumë liderë po e shohin këtë format si një investim të domosdoshëm për rritjen dhe motivimin e stafit.

Këtë trend e konfirmon Megi Dhimitri, një profesioniste e turizmit me 8 vite eksperiencë ndërkombëtare në industrinë e MICE (Meetings, Incentives, Conferences and Events), me formim Ivy League nga Cornell University dhe bashkëpunime me borde turizmi e kompani elitare në destinacione të ndryshme të botës. Si konsulente për turizmin profesional dhe të qëndrueshëm, ajo sjell një perspektivë unike mbi mënyrën se si këto evente po ndikojnë kulturën e kompanive shqiptare.

Një trend i ri në kulturën e kompanive shqiptare

“Patjetër që po,” – thotë Megi Dhimitri kur pyetet nëse retreat-et janë bërë pjesë e kulturës së kompanive shqiptare.
“Krahasuar edhe me vetëm 5 vite më parë, numri i kompanive të cilat kanë realizuar, janë duke realizuar ose po mendojnë të bëjnë një staff retreat mendoj se është rritur ndjeshëm. Nuk kam statistika zyrtare apo një studim për këtë mendim, por arrij në këtë përfundim nga takimet e shumta që kam pasur me kompani në industri të ndryshme,” – shpjegon ajo.

Një tjetër dinamikë që vë në dukje Dhimitri është zgjerimi i këtyre eventeve edhe jashtë kufijve:
“Fillimisht nisi me hotele në Itali dhe vende të tjera që më nisnin oferta për grupe korporatash për të targetuar kompani vendase, dhe nuk e mendova në atë moment se do të kishte kaq sukses dhe interes. Por puna në përditshmëri tregon një trend gjithnjë e në rritje për të eksploruar edhe vende përtej kufijve në grup.”

Përfitimet për biznesin dhe punonjësit

Sipas saj, përfitimi kryesor është rritja e kohezionit në ekip:
“Praktikisht kudo në botë kjo praktikë shitet si pjesë e paketës së benefiteve të pozicionit të punës që në fazën e intervistës dhe ndikon në good retention rate, ose të paktën ka efekt në sa shumë lëviz stafi në kompani përgjatë viteve.”

Por këtu nuk ndalet. Dhimitri thekson gjithashtu rëndësinë e kreativitetit dhe produktivitetit që gjenerohet:
“Është studiuar tashmë që psikologjia e punonjësit stimulohet nga mjedisi dhe faktorët rrethues; një aktivitet i tillë larg rutinës mund të sjellë diskutime më produktive. Nëse retreat-i përfshin workshop-e dhe team building activities në axhendë, këto takime priren të jenë shumë më produktive sesa ato të zakonshmet gjatë vitit në zyrë ose online.”

Ajo nënvizon edhe aspektin njerëzor:
“Konsiderata për mirëqenien e stafit, mundësia për të njohur njëri-tjetrin në një hapësirë ndryshe, si edhe hapësira për të ndërvepruar dhe rritur bashkëpunimin strategjikisht përmes eksperiencave të tilla, janë përfitimet kryesore të këtyre programeve nëpër kompani.”

Lexo edhe:Tatimi mbi pronën sjell miliarda për shtetet europiane, ja cili përfiton më shumë

Çfarë e bën një retreat të suksesshëm?

Nga përvoja e saj si meeting planner, Megi na tregon:
“Planifikimi i duhur nga ana logjistike është kyç për sa i suksesshëm do të jetë një retreat. Kjo nis që nga koha kur fillon planifikimi i eventit (sa më herët aq më mirë; fatkeqësisht kompanitë shqiptare ende kanë pak ‘last minute mentality’).”

Ajo thekson rëndësinë e kohëzgjatjes dhe vendit:
“Nëse retreat-i është 1-ditor dhe kompania udhëton 5–6 orë rrugë vajtje dhe po aq kthim, automatikisht efekti bie. Për një event 1-ditor duhet menduar logjistika që të ketë sa më pak rrugë. Unë rekomandoj që këto evente të jenë minimalisht 2-ditore për të maksimizuar efektet pozitive.”

Edhe zgjedhja e destinacionit është vendimtare:
“Venue duhet të jetë një strukturë akomoduese që i përshtatet buxhetit, stilit të kompanisë, programit dhe shumë detajeve të tjera që duhen të përputhen. Këtu hyn në lojë puna jonë si meeting planner, ku sidomos me shërbime si ato të HelmsBriscoe (që i kryejmë falas për klientin) i shërbejmë jashtëzakonisht kompanive.”

Së fundi, ajo sugjeron një element shpesh të nënvlerësuar:
“Nëse kompania nuk ka gjatë vitit programe team building, workshop-e të zhvillimit profesional apo aktivitete të ngjashme, rekomandoj kontraktimin e një pale të tretë për t’i kryer. Këto palë njihen profesionalisht me dinamikat e ekipit dhe ‘qëndisin aktivitete fiks’ për kompaninë. Nëse respektohen këta faktorë, mendoj se retreat-et dalin shumë të suksesshme dhe kanë edhe një post-event sukses të lartë.”

Formimi i saj akademik në Cornell University për Sustainable Tourism Destination Management i ka dhënë Megit një qasje të qëndrueshme dhe vizion strategjik në projektet që ndërmerr. “Kombinoj ekspertizën akademike me përvojën praktike, duke ofruar një qasje profesionale, inovative dhe gjithmonë të orientuar drejt ekselencës,” – thotë ajo.

Me përvojën e krijuar në bashkëpunim me borde turizmi, destinacione ndërkombëtare dhe kompani elitare në industrinë e luksit, Megi Dhimitri është shndërruar në një emër referencë për organizimin e retreat-eve dhe eventeve korporative që i kalojnë kufijtë e zakonshëm. Siç e përmbyll Megi: “Kur respektohen faktorët e planifikimit dhe përfshihen elementët e duhur, këto evente jo vetëm që krijojnë një eksperiencë unike, por lënë një gjurmë afatgjatë në kulturën e kompanisë.”

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

✨ Thënia e ditës
“Suksesi arrihet më shpesh nga ata që nuk e dinë se dështimi është i pashmangshëm.”
— Coco Chanel
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0