Tatimi mbi pronën sjell miliarda për shtetet europiane, ja cili përfiton më shumë - Business Magazine Albania

Tatimi mbi pronën sjell miliarda për shtetet europiane, ja cili përfiton më shumë

Politikat e tatimit mbi pronën ndryshojnë ndjeshëm nga njëri vend europian te tjetri. Në disa vende, si Mbretëria e Bashkuar dhe Franca, tatimi mbi pronën përbën një pjesë të konsiderueshme si të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), ashtu edhe të të ardhurave tatimore në total.

Spanja po shqyrton një taksë 100% mbi banesat e blera nga shtetas jashtë BE-së. Edhe pse qëllimi është të lehtësohet kriza e banesave, duhet thënë se tatimi mbi pronën është një burim i rëndësishëm të ardhurash për shumë shtete europiane.Sipas Komisionit Europian, në vitin 2023 tatimi mbi pronën si pjesë e PBB-së luhatej nga 0.3% në Çeki e Estoni, deri në 3.7% në Francë. Mesatarja e BE-së ishte 1.9%.
Por sa të ardhura arrijnë qeveritë të mbledhin nga ky tatim në vende të ndryshme? Çfarë peshe ka tatimi mbi pronën në totalin e të ardhurave tatimore? Dhe sa përfaqëson tatimi mbi transferimin e pasurive të paluajtshme si përqindje e PBB-së?

Tatimi mbi pronën dhe raporti me PBB-në
Në BE, kontributin më të madh ndaj PBB-së e ka Franca me 3.7%, ndërsa më të ulëtin Çekia dhe Estonia me 0.3%.
Kur në listë shtohen edhe vendet e Shoqatës Europiane të Tregtisë së Lirë (EFTA), Mbretëria e Bashkuar dhe Turqia, të dhënat e OECD-së tregojnë se Britania renditet pak mbi Francën, por të dyja rreth nivelit 3.7%.
Belgjika ndodhet mbi 3% (3.2%), ndërsa Spanja mban vendin e pestë me 2.5%, e ndjekur nga Greqia me 2.7%.
Mbi 2% të PBB-së nga tatimi mbi pronën arrijnë të mbledhin gjithashtu Islanda, Luksemburgu, Danimarka, Zvicra, Italia dhe Portugalia.
Nga 32 vendet e analizuara, gati gjysma mbledhin më pak se 1% të PBB-së përmes këtij tatimi. Në fund të renditjes qëndrojnë Sllovakia, Lituania, Estonia dhe Çekia – të gjitha nën 0.5%.

Ndër pesë ekonomitë më të mëdha europiane, Gjermania ka një nivel dukshëm më të ulët prej vetëm 1%, krahasuar me Italinë (2.1%), Francën dhe Britaninë, që kryesojnë listën.
Grafiku i të dhënave tregon se vendet e Europës Veriperëndimore mbledhin përqindjen më të lartë të PBB-së përmes tatimit mbi pronën, ndërsa Europa Lindore dhe vendet baltike kanë shifra më të ulëta. Europa Jugore paraqitet më e larmishme, megjithatë shpesh mbi mesataren.

Lexo edhe: Nga 48€ në Shqipëri, te 3,789€ në Luksemburg, hendeku i mbrojtjes sociale në Europë

Sipas OECD-së, tatimet mbi pronën përfshijnë të gjitha detyrimet e përsëritura ose të njëhershme mbi përdorimin, pronësinë apo transferimin e pronës. Ato mbulojnë tatimet mbi pasuritë e paluajtshme apo pasurinë neto, tatimet mbi trashëgimitë dhe dhuratat, si dhe tatimet mbi transaksionet financiare dhe kapitale.

Të ardhurat nga tatimi mbi pronën
Mbretëria e Bashkuar ishte vendi që grumbulloi më shumë të ardhura nga ky tatim në vitin 2023 – 115 miliardë euro (100 miliardë £), ndjekur nga Franca me 104.5 miliardë euro. Këto dy vende dominojnë dukshëm, ndërsa Italia, e renditur e treta, mblodhi vetëm 45.3 miliardë euro.
Gjermania dhe Spanja plotësojnë pesëshen e parë me përkatësisht 41.4 miliardë dhe 36.8 miliardë euro. Totali i BE-së arriti në 318.8 miliardë euro.
Vendet e tjera që kapërcyen pragun e 10 miliardë eurove ishin Belgjika (18.8 mld), Zvicra (17.9 mld), Holanda (14.4 mld) dhe Polonia (10.7 mld).
Në 10 vende të BE-së, të ardhurat nga tatimi mbi pronën ishin më pak se 1 miliardë euro – me Estoninë që shënoi nivelin më të ulët, vetëm 110 milionë.

Tatimi mbi pronën si pjesë e totalit të taksave
Në BE, në vitin 2023 pesha e tatimit mbi pronën në totalin e të ardhurave tatimore luhatej nga 0.8% në Estoni e Çeki, deri në 8.4% në Francë, sipas Komisionit Europian. Mesatarja ishte 4.7%.
Përveç Francës, shtatë vende të tjera të BE-së kishin mbi 5%: Belgjika (7.4%), Greqia (7%), Spanja (6.7%), Portugalia (5.9%), Luksemburgu (5.7%), Italia (5.1%) dhe Danimarka (5.1%).
Në Gjermani, tatimi mbi pronën përbënte vetëm 2.5% të totalit të të ardhurave tatimore.

Tatimi mbi transferimin e pronave
Tatimi mbi transferimin e pronave, shprehur si përqindje e PBB-së, tregon rëndësinë e shitblerjes së pasurive të paluajtshme si burim të ardhurash për disa shtete. Ky tatim aplikohet mbi transaksionet financiare e kapitale, kryesisht blerje, shitje dhe taksa të ngjashme me pullën fiskale.

Sipas OECD-së, në vitin 2023 ky tatim përfaqësonte 1% të PBB-së në Itali, e ndjekur nga Belgjika, Portugalia dhe Spanja me nga 0.8%. Në Francë arrinte në 0.7%, në Britani 0.6% dhe në Gjermani vetëm 0.3%.

Debati i ri i nxitur nga Spanja
Plani i Spanjës për një taksë 100% mbi pronat e blera nga qytetarë jashtë BE-së ka ngjallur debat në mbarë Europën.
Në maj 2025, gjatë një seance në Parlamentin Europian, José García Montalvo, profesor i ekonomisë në Universitetin Pompeu Fabra në Barcelonë, theksoi se politikat fiskale për banesat shpesh nuk janë mjeti më efikas për të adresuar problemet e tregut të strehimit.

“Ndryshimet e vazhdueshme të politikave dhe mungesa e koordinimit mes tatimeve dhe masave për ofertën e banesave dëmtojnë efektivitetin e tyre, duke sjellë rezultate të paparashikueshme dhe probleme të vazhdueshme me përballueshmërinë,” tha ai.

Nga ana tjetër, Diana Hourani nga Njësia e Tatimeve mbi Pronën e OECD-së theksoi se ekziston një hapësirë e madhe për të rritur efikasitetin, barazinë dhe potencialin e të ardhurave nga lloje të ndryshme taksash mbi banesat në vendet e OECD-së.
“Përmirësimi i këtyre taksave mund të ndihmojë, në shumë raste, edhe në lehtësimin e presionit në rritje mbi çmimet e banesave,” shtoi Hourani.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0