Koncepti i javës 4-ditore të punës nuk është i ri, por me rritjen e trendeve të punës fleksibël dhe kërkesën gjithnjë në rritje për një ekuilibër më të mirë mes jetës dhe punës, kjo praktikë po fiton gjithnjë e më shumë terren. Po ashtu, po rritet edhe interesi shkencor për këtë temë. Deri në këtë javë, kishte pak studime të mëdha që matnin realisht suksesin e kësaj nisme. Tani, kërkimi më i gjerë deri më sot sjell rezultate që përforcojnë ato që kanë sugjeruar studimet më të vogla më herët.
Studimet tregojnë përfitime nga java 4-ditore e punës
Rreth 27 deri në 30 kompani, përfshirë Kickstarter, Panasonic, Awin dhe Digible, e kanë zbatuar tashmë javën 4-ditore në forma të ndryshme, dhe numri i kompanive që i bashkohen kësaj qasjeje është në rritje. Në shumë raste, punonjësit raportojnë produktivitet më të lartë dhe nivel më të ulët të largimeve nga puna.
Robert Yuen, bashkëthemelues dhe CEO i Monograph, deklaroi në vitin 2023 se punonjësit kanë nevojë për më shumë kohë personale, arsyeja pse kompania e tij punon me një javë 4-ditore që prej vitit 2019. “Një javë 4-ditore u jep punonjësve hapësirë për të kujdesur për veten dhe për zhvillim personal,” theksoi ai. “Që nga fillimi i kësaj praktike, kënaqësia e punonjësve ka qenë në nivelin më të lartë historik.” Në mars të vitit 2024, senatori i Vermontit Bernie Sanders i dha vrull kësaj lëvizjeje në Kongres, duke paraqitur një projektligj që redukton javën e punës nga 40 në 32 orë pa ulje page. Por përshtypjet nuk mjaftojnë, rëndësi ka çfarë tregon shkenca.
Çfarë thonë të dhënat? Një studim i botuar në Academy of Management Journal tregoi se java 4-ditore nuk ul produktivitetin, përkundrazi, mund ta rrisë atë. Një tjetër studim i madh në Mbretërinë e Bashkuar në qershor të vitit 2022 përfshiu mbi 3,300 punonjës dhe 70 kompani britanike. Rezultatet e këtij pilotimi treguan se nuk pati humbje në produktivitet dhe shumë kompani raportuan përmirësime të ndjeshme. Studimi theksoi se java 4-ditore liron kohë personale, përmirëson mirëqenien e punonjësve dhe rrit përqendrimin gjatë orarit të punës. 46% e të anketuarve pohuan se produktiviteti i biznesit të tyre mbeti në të njëjtat nivele, 34% thanë se ai ishte përmirësuar pak, ndërsa 15% deklaruan një përmirësim të ndjeshëm. Një studim i ri i publikuar këtë javë në Nature Human Behaviour përfaqëson testimin më të madh të javës 4-ditore deri më tani, me rreth 3,000 punonjës nga 141 kompani në 6 shtete, në një periudhë prej gjashtë muajsh. Rezultatet tregojnë se punonjësit ishin më të lumtur, kishin më pak shenja të lodhjes mendore, përjetonin kënaqësi më të madhe në punë dhe shëndet më të mirë mendor e fizik. Studimi tregoi gjithashtu se produktiviteti nuk u ul, punonjësit ishin po aq efikasë sa më parë.
Lexo edhe: Satya Nadella i Microsoft: Shkurtimet e vendeve të punës po më rëndojnë shumë
Kritikët ngrejnë pikëpyetje mbi studimin më të fundit
Për shumë lexues, këto lajme tingëllojnë entuziaste dhe e bëjnë javën 4-ditore një ëndërr të dëshiruar. Por realiteti është pak më kompleks. Shumica e studimeve të mëparshme janë bazuar në vetë-raportime dhe jo në matje objektive të produktivitetit. Isaac Kohen, themelues dhe CPO i Teramind, një ofrues lider i analitikës për performancën dhe rrezikun në vendin e punës, thekson se mungesa e matjeve objektive të produktivitetit është një boshllëk kritik që mund të çojë organizatat drejt vendimeve të gabuara. “Sondazhet e brendshme kanë vlerë për të kuptuar ndjenjat e punonjësve, por nuk japin njohuritë e nevojshme për të bindur aksionarët apo bordin,” shpjegon Kohen. “Kur 90% e kompanive vendosin të vazhdojnë me javën 4-ditore, a e bazojnë këtë vendim në të dhëna konkrete, apo thjesht në moralin e përmirësuar?” Ai shton se matja reale e produktivitetit duhet të analizojë faktorë si përdorimi i aplikacioneve, përfundimi i detyrave dhe efikasiteti i proceseve të punës. “Për të krahasuar realisht javën 5-ditore me atë 4-ditore, organizatat duhet të krijojnë një bazë matëse gjatë skemës tradicionale dhe më pas ta krahasojnë me të dhëna të vazhdueshme gjatë implementimit të javës së shkurtuar,” këshillon ai.
Sipas një ankete të Zippia në vitin 2023, një përqindje e mirë produktiviteti konsiderohet 70–75%, ndërkohë që punonjësi mesatar kalon vetëm rreth 4 orë e 12 minuta në punë aktive gjatë një ndërrimi 8-orësh. Kohen përfundon: “Të ndihesh produktiv dhe të jesh realisht produktiv janë dy gjëra të ndryshme. Vetëm matjet gjithëpërfshirëse mund të na ndihmojnë të kuptojmë nëse java 4-ditore i shërben si mirëqenies së punonjësve, ashtu edhe objektivave të biznesit.” Sofia Passova, ish-shkencëtare raketash dhe themeluese e StereoLOGIC, thekson se është jetike të testohen proceset e biznesit përpara se të kalohet në një javë të shkurtuar. “Qëllimi nuk është të punosh më shumë në më pak kohë, por të punosh më zgjuar,” pohon ajo. “Dhe mënyra më e mirë për ta arritur këtë është përmes analizës së të dhënave dhe optimizimit të detyrave të përditshme.”
Shumë punonjës besojnë se një javë më e shkurtër krijon më shumë strukturë, ndihmon në menaxhimin e angazhimeve personale dhe forcon ekuilibrin punë-jetë. Java 4-ditore shihet si një zgjidhje ndaj lodhjes dhe djegies në vendin e punës, nëse implementohet pa kompromentuar performancën apo marrë vendime të nxituara. Zgjidhja qëndron në realizimin e studimeve më gjithëpërfshirëse, që kombinojnë të dhënat subjektive me matje objektive dhe që arrijnë të përmbushin njëkohësisht interesat e mirëqenies së punonjësve dhe qëllimet e biznesit. Me gjithnjë e më shumë të dhëna shkencore që mbështesin këtë model dhe me nisma ligjore që kanë hyrë në Kongresin Amerikan, java 4-ditore mund të mos jetë më thjesht një ide, por një realitet i afërt për shumë kompani, ndoshta edhe që nga viti 2025.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.