Ndërsa Disneyland Paris dhe parqet e tjerë të famshëm po prezantojnë atraksione të reja për të tërhequr vizitorë nga e gjithë bota, konkurrenca mes parqeve të argëtimit sa vjen e shtohet, por edhe çmimet. Një raport i ri nga platforma analitike BestBrokers, i cili analizoi të dhënat e 12 parqeve të Disneyland-it në mbarë botën për vitin 2025, hedh dritë mbi çmimet për biletat ditore, ushqimin dhe produktet që blihen më shpesh nga vizitorët. Raporti ofron një krahasim të qartë: ku kushton më lirë një ditë magjike dhe ku ajo mund të kthehet në një ”luks familjar.”Disneyland Paris – më pak se Florida, por dyfish më shumë se Tokio
Sipas raportit, Disneyland Paris, së bashku me Walt Disney Studios Park, kushton mesatarisht €203.41 për person në ditë, duke përfshirë biletën hyrëse, pesë produkte standarde ushqimore dhe të suvenireve.
Kjo e pozicionon Parisin në vendin e 7-të nga 12 parqet Disney në botë për nga çmimet, dhe të dytin më të shtrenjtë në botë për ushqime dhe më të shtrenjtin për produkte të dyqanit zyrtar. Për krahasim:
- Bileta ditore në Paris kushton €118.93, ndërkohë që në Magic Kingdom Florida kap shifrën prej €185.
- Në Tokio, një biletë e ngjashme kushton vetëm €57.42 – më pak se gjysma e çmimit në Paris.
Për një familje me katër persona, një ditë në Disneyland Paris kalon lehtësisht shifrën e €800, pa llogaritur parkimin, suveniret shtesë apo eksperiencat VIP.
Lexo edhe: 20 qytetet më të mira për të jetuar në botë!
Atraksionet: Paris kryeson për sasinë, jo për vlerësimin
Përtej çmimeve, Disneyland Paris kryeson për nga numri i atraksioneve me 49 të tilla, më shumë se çdo park tjetër në rrjetin Disney. Madje edhe Tokyo Disney Resort vjen pas me 45 atraksione, ndërsa Shanghai Disney ka shumë më pak.
Në vitin 2024, Disneyland Paris së bashku me Walt Disney Studios Park pritën gjithsej 16.1 milionë vizitorë, një numër që tregon potencialin dhe popullaritetin e lartë të parkut.
Megjithatë, kur bëhet fjalë për vlerësimet e përdoruesve, Parisi mbetet disi pas:
- TripAdvisor: 3.9 yje
- Google Reviews: 4.5 yje
- Yelp: 3.9 yje
Mesatarja totale: 4.1 yje, duke e vendosur në grupin e parqeve me vlerësimet më të ulëta, së bashku me Shanghai Disney Resort.

Ushqimi dhe suveniret – Paris, më i shtrenjti në botë
Çmimet për artikuj bazikë në Paris janë ndër më të lartat: Një porcion akulloreje, churros dhe kokoshka kushtojnë gjithsej €18.03
Një palë veshë të Mickey dhe një bluzë zyrtare arrijnë deri në €66.13 Këto çmime e bëjnë Disneyland Paris më të shtrenjtin për blerjet në vend, madje edhe më shumë se parqet e Kalifornisë apo Floridës. Në anën tjetër të spektrit, Tokyo Disney Resort doli fituesi absolut në indeksin e BestBrokers, falë çmimeve të ulëta, atraksioneve të shumta dhe vlerësimeve shumë të larta nga përdoruesit.
Në Tokio, një ditë në park mund të kushtojë dy herë më pak se në Paris dhe ky diferencim e bën zgjedhjen të qartë për shumë turistë që kërkojnë përvoja të ngjashme me buxhete më të përballueshme.
Disneyland Paris ofron një numër të madh atraksionesh dhe tërheq një publik global, por përballë çmimeve në rritje dhe vlerësimeve mesatare, nuk arrin të balancojë çmimin me vlerën e përjetuar, sidomos për familjet. Vizitorët që kërkojnë përvoja më të përballueshme, me cilësi të lartë, duhet të konsiderojnë seriozisht alternativat aziatike, me Tokion në krye të listës.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto