Prej javësh, përdorues të Instagram-it në mbarë botën po raportojnë një valë ndalimesh dhe pezullimesh të pajustifikuara të llogarive të tyre. Shumë prej tyre dyshojnë, pa prova të drejtpërdrejta, se pas këtyre masave qëndron përdorimi i inteligjencës artificiale për automatizimin e vendimeve. Kompania Meta, pronare e Instagram-it, nuk ka dhënë ende një koment zyrtar për situatën, ndonëse kërkesat për transparencë janë shtuar në mënyrë të ndjeshme.Në platforma si Reddit dhe X (ish-Twitter), një numër në rritje përdoruesish shprehen se llogaritë e tyre janë bllokuar edhe pse nuk kanë shkelur asnjë nga kushtet e përdorimit apo politikat e komunitetit të Instagram-it. Edhe më shqetësuese është fakti se, sipas raportimeve, shumë prej tyre nuk kanë marrë asnjë përgjigje pas dorëzimit të kërkesave për rishikim.
Lexo edhe: Nga i pastrehë në milioner, çfarë e bën Brian Tracy-n një legjendë
“Kam dorëzuar disa ankesa, kam ngarkuar dokumentin tim të identitetit dhe kam provuar çdo kanal zyrtar të kontaktit me Metën, por jam totalisht i injoruar. Ndihem sikur po bërtas në zbrazëti,” shkruan një përdorues në Reddit (u/Dyrovicious), llogaria personale e të cilit është bllokuar pa paralajmërim.
Problemi thellohet edhe më shumë nga mungesa e një rruge të drejtpërdrejtë për të kontaktuar një anëtar të ekipit të mbështetjes së Metës. Për shumicën e përdoruesve, veçanërisht ata pa status të verifikuar apo pa abonim në shërbime të avancuara, nuk ekziston një mënyrë efektive për të kërkuar ndihmë.
(Në fakt, Meta ofron abonime të “Verified” për krijues përmbajtjesh dhe biznese, që përfshijnë edhe qasje prioritare në shërbimin ndaj klientit.)
Për shumëkënd, ky fenomen i fundit vë në pikëpyetje ekuilibrin mes automatizimit të proceseve dhe mbrojtjes së të drejtave të përdoruesve, veçanërisht në një kohë kur inteligjenca artificiale po luan rol gjithnjë e më qendror në menaxhimin e përmbajtjes në platformat sociale.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto