Si do të ndryshojë Apple nën drejtimin e John Ternus? - Business Magazine Albania

Si do të ndryshojë Apple nën drejtimin e John Ternus?

Dëgjo këtë artikull
AI Generated
0:00 / 0:00

Apple duket se e ka planifikuar prej kohësh këtë tranzicion. Prej disa kohësh qarkullonin zëra se 65-vjeçari Tim Cook po mendonte të tërhiqej, dhe mes disa emrave të mundshëm, ai që mbeti më i përfoluri ishte zëvendëspresidenti i hardware-it, 51-vjeçari John Ternus.

Gjatë një takimi informal në Mbretërinë e Bashkuar, pyetja nëse ai ishte pasardhësi i ardhshëm në krye të Apple mori një përgjigje tipike diplomatike. Ternus buzëqeshi dhe shmangu çdo konfirmim, duke preferuar të lavdëronte lidershipin e Cook. Gjithçka ishte e matur dhe e kontrolluar, një reflektim i kulturës së Apple, ku edhe bisedat private janë të kuruara deri në detaj.

Në pamje të parë, Ternus krijon përshtypjen e një lideri të qetë, korrekt dhe të kujdesshëm në komunikim. Por pas kësaj fasade të disiplinuar, qëndron një nga sfidat më të mëdha për një prej kompanive më të fuqishme në botë: e ardhmja e saj në një treg që ndryshon me shpejtësi.

Zgjedhja e Ternus nuk duket rastësore. Ai përfaqëson të njëjtin stil si Cook: stabil, i besueshëm dhe larg dramatizmit që karakterizonte bashkëthemeluesin legjendar Steve Jobs. Për rreth 30 nga 50 vitet e historisë së saj, Apple është drejtuar nga këta dy figura, duke ndërtuar një kulturë lidershipi që favorizon kontrollin dhe konsistencën mbi impulsin.

Ternus njihet brenda kompanisë si “njeriu i produktit”, një drejtues që preferon të jetë i përfshirë drejtpërdrejt në zhvillimin e produkteve. Edhe Cook, ndonëse shpesh etiketohet si “njeriu i operacioneve”, ka treguar gjithmonë interes të thellë për hardware-in, duke i kushtuar vëmendje detajeve që për shumë të tjerë do të kalonin pa u vënë re.

Lexo edhe:Apple planifikon iPhone me ekran të palosshëm,“Fold” ose “Ultra” mund të ndryshojë tregun

Megjithatë, sfidat që e presin drejtuesin e ardhshëm janë shumë më komplekse. Një nga goditjet e fundit për Apple ishte performanca jo e pritur e mirë e Vision Pro, kufjes së realitetit virtual që erdhi me vonesë në treg dhe me një çmim shumë më të lartë se konkurrenca.

Por sfida më e madhe mbetet inteligjenca artificiale. Apple ka ndërtuar reputacionin e saj duke lëvizur ngadalë dhe me strategji, duke hyrë në treg vetëm kur produkti është i gatshëm të ndryshojë rregullat e lojës, siç ndodhi me iPhone në vitin 2007. Megjithatë, në garën për AI, kompania është kritikuar për vonesë, duke zgjedhur të integrojë teknologji nga partnerë si OpenAI dhe Google, në vend që të zhvillojë gjithçka brenda shtëpisë.

Kjo qasje më e kujdesshme shihet nga disa si një strategji e mençur, sidomos në një moment kur entuziazmi për AI mund të jetë më i madh se rezultatet reale. Por në të njëjtën kohë, rivalët po investojnë agresivisht, duke rritur presionin mbi Apple për të mos mbetur pas.

Një tjetër dimension i kësaj gare është kalimi nga softueri drejt formave fizike të inteligjencës artificiale, si robotët. Kjo ngre pyetje të reja: a do të jetë Apple e gatshme të kalojë nga pajisjet e vogla elegante drejt produkteve shumë më të mëdha dhe më komplekse?

Përveç sfidave teknologjike, Ternus do të duhet të menaxhojë edhe marrëdhënie të ndërlikuara politike. Cook ka ruajtur një profil publik neutral, por kjo nuk e ka mbrojtur kompaninë nga tensionet tregtare dhe tarifat, sidomos në raport me Kinën dhe politikën amerikane. Balancimi mes interesave globale dhe presioneve politike do të mbetet një pjesë kritike e rolit të tij.

Në fund, një aspekt që mund të ndikojë në perceptimin publik është edhe vetë figura e Ternus. Në një kohë ku liderët globalë priten të jenë jo vetëm drejtues, por edhe figura publike me identitet të fortë, mbetet për t’u parë nëse ai do të zgjedhë të qëndrojë në hije apo të ndërtojë një profil më të hapur.

Në një kulturë që kërkon gjithnjë e më shumë autenticitet, drejtimi i Apple nuk do të jetë vetëm një çështje strategjie dhe teknologjie, por edhe mënyra se si historia e saj do të tregohet nga lideri i radhës.

bbc

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0