Apple po hap një horizont të ri teknologjik duke eksploruar ndërfaqen tru-kompjuter (BCI – Brain-Computer Interface), që i lejon përdoruesit të kontrollojnë pajisjet e saj vetëm me mendje, një hap i guximshëm dhe revolucionar për kompaninë.
Këtë javë u njoftua se gjiganti i teknologjisë po bashkëpunon me kompaninë Synchron, e cila ka më shumë se një dekadë që punon në kërkime dhe zhvillime në fushën e BCI. Synchron është themeluar nga Dr. Tom Oxley, një neurointervencionist dhe teknolog. Kompania ka krijuar një pajisje në formë stenti që mund të vendoset në korteksin motorik të trurit nëpërmjet një procedure minimale invazive. Kjo pajisje ka marrë miratimin nga FDA për prova klinike tek njerëzit që në vitin 2021 dhe funksionon duke detektuar sinjalet e trurit dhe i përkthen ato në komanda përmes softuerit; në rastin e një pajisjeje Apple, këto sinjale mund të përkthehen në zgjedhje ikonash në iPhone ose iPad. Një video e publikuar së fundmi tregon përvojën e një përdoruesi me BCI-në e Synchron në kombinim me kufjet Apple Vision.
Apple është duke punuar për të vendosur standardet për pajisjet BCI dhe për të ndërtuar një protokoll të qartë përdorimi për të gjitha pajisjet e saj. Pritet që shumë shpejt, kompania ta bëjë të hapur këtë teknologji edhe për zhvilluesit e palëve të treta. Një nga synimet kryesore të teknologjisë BCI është të ndihmojë miliona njerëz në mbarë botën që kanë kufizime fizike. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, mbi 15 milionë njerëz në botë jetojnë me dëmtime të palcës kurrizore, shumë prej tyre përballen me humbje të funksioneve fizike ose ndijore gjatë jetës së tyre.
Lexo edhe: Test psikologjik: Sa numra shikon në këtë imazh?
Në këtë kontekst, BCI-të mund të sjellin ndryshime të mëdha duke u mundësuar përdoruesve të kontrollojnë pajisjet elektronike vetëm me fuqinë e mendjes. Raportet tregojnë se industria BCI pritet të rritet me një normë mesatare vjetore prej 9.35% nga viti 2025 deri në 2030, dhe ka potencialin të shndërrohet në një treg me vlerë triliona dollarë brenda dekadës së ardhshme.
Ndërfaqet tru-kompjuter janë bërë një nga temat më të diskutuara kohët e fundit, veçanërisht falë progresit të madh të arritur në këtë fushë. Elon Musk dhe kompania e tij Neuralink janë ndër më të zëshmet në këtë sektor, me një vizion për të krijuar një ndërfaqe të përgjithshme të trurit që do të rikthejë autonominë tek ata që kanë nevoja mjekësore të parealizuara sot dhe të zhbllokojë potencialin njerëzor nesër. Neuralink tërhoqi vëmendje globale kur publikoi videon “Monkey MindPong”, ku një majmun luan lojën klasike Pong vetëm përmes mendimeve.
Ndërsa ndërfaqja e Synchron është një pajisje në formë stenti dhe kërkon një procedurë më të thjeshtë për vendosje, Neuralink ka ndërtuar një robot kirurgjik për të realizuar me saktësi implantimin e pajisjes së saj. Këto procedura kërkojnë një shkallë shumë të lartë ekspertize teknike dhe mjekësore. Pavarësisht potencialit të madh dhe rezultateve inkurajuese, këto teknologji varen nga miratimet qeveritare dhe duhet të kalojnë një sërë testesh për sigurinë dhe besueshmërinë. Për më tepër, mbetet shumë punë për të vlerësuar efektet afatgjata në trupin e njeriut dhe eficiencën e vazhdueshme të kësaj teknologjie.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto