Simon Sinek, nga TED Talk në fenomen global - Business Magazine Albania

Simon Sinek, nga TED Talk në fenomen global

Simon Sinek është një mendimtar modern, një autor dhe folës publik që ka ndryshuar rrënjësisht mënyrën se si liderët dhe bizneset i qasen suksesit, duke e vendosur “PSE-në” në zemër të gjithçkaje. Karriera e Sinek mori hov në vitin 2009, kur mbajti një fjalim TED që sot renditet ndër më të ndjekurit në historinë e platformës. Me një stil të thjeshtë, por të fuqishëm, ai prezantoi konceptin e “Golden Circle” – një model i komunikimit dhe udhëheqjes që fillon gjithmonë me pyetjen: Pse?

Sipas Sinek, liderët dhe organizatat që frymëzojnë nuk fokusohen vetëm te çfarë bëjnë apo si e bëjnë, por mbi të gjitha pse e bëjnë. Ky thelb i motivimit, që lidhet me qëllimin dhe besimin, është ajo që ndan liderët e mirë nga ata që lënë gjurmë të thella në mendjet e njerëzve.

“Njerëzit nuk blejnë atë që ti bën, ata blejnë pse e bën,” është fjalia që e ka bërë të famshëm në mbarë botën. Sinek është autor i disa librave që kanë transformuar jo vetëm liderët, por edhe kulturat e korporatave në tërësi:

Start With Why (2009) – ku lind koncepti themelor i tij

Leaders Eat Last – një eksplorim mbi empatinë dhe sigurinë psikologjike në vendin e punës

The Infinite Game – ku sfidon liderët të mendojnë për suksesin si një lojë afatgjatë, jo një garë e përkohshme

Në një kohë ku shumë ndërmarrje janë të përqendruara te fitimi i menjëhershëm, Sinek ngre zërin për qëllim, për besim dhe për lidership që ndërton të ardhmen, jo vetëm shton zerot.

Lexo edhe: Si ia doli ky CEO të përballet me “dilemat e inovatorit” dhe të ringjallë kompaninë e tij?

Në thelb, mesazhi i Simon Sinek është një thirrje për një udhëheqje me fokus njeriun përpara rezultateve. Ai flet për sigurinë psikologjike në organizata, për ndërtimin e besimit përmes transparencës, dhe për krijimin e kulturave ku punonjësit ndihen pjesë e diçkaje më të madhe. Në një nga intervistat e tij, ai shprehet:
Lideri më i mirë nuk është ai që ka më shumë ndjekës, por ai që krijon më shumë liderë.

Në Shqipëri dhe rajon, mes një brezi të ri të të rinjve që kërkojnë të ngrenë biznese me ndikim, filozofia e Sinek gjen jehonë. Ai ofron një kontrast të fortë ndaj modelit klasik të drejtuesit autoritar duke promovuar një qasje më të ndërgjegjshme dhe bashkëpunuese.Në kohë të pasigurta, zëri i Simon Sinek mbetet i domosdoshëm: një rikujtim se udhëheqja nuk ka të bëjë vetëm me drejtimin e të tjerëve, por me ndriçimin e rrugës që të gjithë duan të ndjekin.

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0