“Life is Good”, si dy vëllezër dhe 78 dollarë krijuan një markë botë... - Business Magazine Albania

“Life is Good”, si dy vëllezër dhe 78 dollarë krijuan një markë botërore që përçon pozitivitet

~4 minuta lexim

Shumë njerëz bëhen sipërmarrës për arsye nga më të ndryshmet, sepse nuk e duronin shefin, kishin një ide gjeniale, apo thjesht donin të kujtonin vetes dhe të tjerëve se jeta është e bukur. Kështu ndodhi edhe me Bert dhe John Jacobs, dy vëllezër amerikanë që nuk trashëguan pasuri, por një shpirt të pathyeshëm dhe një filozofi që u kthye në brand.

Një fëmijëri modeste dhe një natë që ndryshoi gjithçka

Dy më të vegjlit nga gjashtë fëmijë, Bert dhe John u rritën në një shtëpi të vogël në periferi të Bostonit. Babai punonte si zejtar, ndërsa nëna, e palodhur dhe plot optimizëm, mbante familjen të bashkuar edhe në ditët më të vështira. Por një aksident tragjik automobilistik e la babain të paaftë për të punuar dhe e zhytën atë në një depresion të thellë.

Në atë errësirë emocionale, nëna e tyre bëri diçka të jashtëzakonshme, çdo mbrëmje, gjatë darkës, ajo pyeste: “Më thoni diçka të mirë që ndodhi sot.” Ajo pyetje e thjeshtë ndryshonte atmosferën. Qeshjet riktheheshin. Dhe fëmijët mësonin një mësim të çmuar, pozitiviteti është zgjedhje.

Një ide e çmendur dhe një bast 200-dollarësh

Pas universitetit, dy vëllezërit nuk kishin ndërmend të ndiqnin rrugët klasike të karrierës. Donin të krijonin diçka që do të kishte kuptim. Gjatë një udhëtimi me makinë nëpër Shtetet e Bashkuara, ata menduan: Po sikur të shisnim bluza?

Morën borxh 200 dollarë nga vëllai i madh, blenë një tavolinë palosëse dhe nisën të shisnin bluza në universitete. Shisnin mjaftueshëm për të mbijetuar. Blenë një minivan të përdorur dhe për pesë vjet udhëtuan nëpër vend, flinin në makinë dhe shisnin bluza në rrugë dhe panaire.

Kur po afronin të tridhjetat, kishin vetëm 78 dollarë në xhep. Dhe pikërisht atëherë ndodhi kthesa e madhe.

“Life is Good”, tre fjalë që prekin zemrat

Në një nga kthimet për në Boston, u ndalën të flasin për atë që i shqetësonte, lajmet ishin plot frikë, ndarje dhe negativitet. Po ku mbetën gjërat e mira?

U kujtuan për mësimin e nënës. Atë natë, vizatuan një figurë të thjeshtë, një njeri me beret dhe buzëqeshje qesharake dhe poshtë tij shkruan tre fjalë, Life is Good. Me 78 dollarët e fundit shtypën 48 bluza dhe i morën në një panair në Cambridge.

Shitën gjithçka për 45 minuta.

Pas pesë vitesh përpjekjesh pa rezultat, gjetën më në fund mesazhin që preku njerëzit. Dhe nuk ishte thjesht dizajni, ishte historia, optimizmi, shpresa.

Nga minivani në mbi 30 shtete dhe 4,500 dyqane

Sot, “Life is Good” është një markë ndërkombëtare që shitet në 4,500 dyqane në 50 shtete të SHBA-së dhe në 30 vende të tjera. Por në thelb, ajo mbetet po ajo, një kujtesë e përditshme se pavarësisht vështirësive, gjithmonë ka diçka të mirë.

Dhe kjo është ajo çfarë Bert dhe John kanë ndarë me botën, një filozofi të thjeshtë që ndryshon mënyrën si e sheh jetën.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

✨ Thënia e ditës
“Karriera jote është një ndërtim, jo një garë.”
— Seth Godin
Must watch
Business Mag Nr. #38 - Qershor 2025

Shqipëria është sot më pranë se kurrë Bashkimit Europian. Hapat integrues të ekonomisë drejt njëjtësimit me standardet europiane, transformimi digjital, ligji për mbrojtjen e të dhënave, qasja ndaj inovacionit dhe mbrojtja e pronës intelektuale, janë të gjitha tregues të një Shqipërie që po zhvillohet me ritme të kënaqshme.

Kjo nuk është më Shqipëria e viteve të gjumit institucional dhe të një sektori privat që rri në pritje. Sot, vendi është në lëvizje. Nga hapësirat e betonit gri të Piramidës në Tiranë, ku të rinjtë po programojnë të ardhmen, e deri te sipërmarrjet që sjellin zgjidhje inovative dhe injektojnë ritëm e ambicie në treg, po ndërtohet një ekonomi që kërkon të jetë pjesë e botës së zhvilluar.

“Krijo, por mbro!” – ky apel i DPPI-së duhet të shkruhet në çdo zyrë, studio, fabrikë apo laborator. Nuk ka zhvillim pa siguri ligjore, dhe nuk ka ekonomi kreative pa mbrojtje të së drejtës autoriale.
Në të njëjtën kohë, Bashkimi Europian po zgjat dorën me fonde dhe projekte konkrete. Nga modernizimi i rrjetit hekurudhor tek financimi i startup-eve dhe sipërmarrjeve të gjelbra, mbështetja e BE-së po i jep frymë një transformimi të qëndrueshëm ekonomik. Platformat si Think Big dhe programet e edukimit digjital janë duke krijuar një ekosistem të ri për inovacionin.

Për bizneset shqiptare, e tashmja është një mundësi që nuk mund të shpërdorohet. Standardet …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0