Ti thuash “faleminderit” ChatGPT-së i kushton OpenAI-t dhjetëra miliona dollarë - Business Magazine Albania

Ti thuash “faleminderit” ChatGPT-së i kushton OpenAI-t dhjetëra miliona dollarë

~3 minuta lexim

CEO i OpenAI, Sam Altman, ka pranuar se fjalët e mirësjelljes si “të lutem” dhe “faleminderit” drejtuar ChatGPT-së kanë një kosto befasuese për kompaninë, duke përfshirë shpenzime të konsiderueshme për energjinë elektrike. Deklarata erdhi pasi një përdorues në platformën X (ish-Twitter) e pyeti Altman-in për ndikimin financiar që mund të kenë në koston operacionale të OpenAI-së, fjalët e mirësjelljes. Altman u përgjigj duke e quajtur këtë humbje financiare “dhjetëra miliona dollarë të shpenzuar mirë”, dhe shtoi me një ton enigmatik: “Nuk i dihet kurrë.”

Shërbime si ChatGPT funksionojnë mbi të ashtuquajturat modele të mëdha gjuhësore (LLM), të cilat mbështeten në infrastrukturë të fuqishme kompjuterike, të vendosura në qendra të dhënash.

Këto modele kërkojnë mijëra GPU (njësi grafike përpunuese) me performancë të lartë për të operuar me efikasitet dhe për të ofruar përgjigje në kohë reale ndaj kërkesave të përdoruesve.

Fuqizimi i kësaj infrastrukture kërkon sasi të mëdha të energjisë elektrike. Vlerësimet tregojnë se prodhimi i një përgjigjeje të vetme nga AI , si një email i shkurtër apo paragraf, mund të konsumojë deri në 0.14 kilovat-orë (kWh) energji, e barasvlefshme me mbajtjen ndezur të 14 llambave LED për një orë.

Kur kjo përshkallëzohet në miliarda ndërveprime çdo ditë, kostoja energjetike bëhet tepër e rëndësishme. Aktualisht, qendrat e të dhënave llogaritet të konsumojnë rreth 2% të energjisë elektrike globale. Me zgjerimin e shpejtë të aplikacioneve të inteligjencës artificiale, ekspertët paralajmërojnë se kjo përqindje pritet të rritet ndjeshëm në vitet në vijim.

Edhe pse për disa, përdorimi i mirësjelljeve ndaj chatbot-it mund të duket i panevojshëm, disa ekspertë të AI-së argumentojnë se mirësjellja ndikon ndjeshëm në mënyrën si zhvillohen këto ndërveprime.

Lexo edhe: Kosova drejt së ardhmes digjitale, panel për kriptovalutat në BlockTalk

Kurtis Beavers, drejtor në ekipin e dizajnit për Microsoft Copilot, ka theksuar rëndësinë e fjalive të sjellshme, duke thënë se ato “ndihmojnë në prodhimin e përgjigjeve bashkëpunuese dhe të respektueshme.”

Sipas tij, mirësjellja nuk është thjesht një shprehje e edukatës së mirë, por ndikon drejtpërdrejt edhe në tonin e përgjigjes që jep AI, duke krijuar një komunikim më konstruktiv dhe profesional.

“Kur AI dallon një ton të sjellshëm, ka më shumë gjasa të përgjigjet me të njëjtën sjellje,” theksohet në Microsoft WorkLab, një publikim digjital i dedikuar integrimit të inteligjencës artificiale në vendin e punës.

Mirësjellja ndaj AI-së po bëhet gjithnjë e më e zakonshme. Një sondazh i vitit 2024 tregoi se rreth 67% e përdoruesve amerikanë përdorin rregullisht një gjuhë të sjellshme gjatë komunikimit me chatbot-ët. Brenda këtij grupi, 55% besojnë se është etikisht e drejtë të jesh i sjellshëm, ndërsa 12% thanë me humor se kjo është një mënyrë për t’u mbrojtur nga një “revolucion i mundshëm i makinave”.

Burimi: NY Post

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

✨ Thënia e ditës
“Teknologjia nuk është asgjë. E rëndësishme është që të kesh besim te njerëzit.”
— Steve Jobs
Must watch
Business Mag Nr. #38 - Qershor 2025

Shqipëria është sot më pranë se kurrë Bashkimit Europian. Hapat integrues të ekonomisë drejt njëjtësimit me standardet europiane, transformimi digjital, ligji për mbrojtjen e të dhënave, qasja ndaj inovacionit dhe mbrojtja e pronës intelektuale, janë të gjitha tregues të një Shqipërie që po zhvillohet me ritme të kënaqshme.

Kjo nuk është më Shqipëria e viteve të gjumit institucional dhe të një sektori privat që rri në pritje. Sot, vendi është në lëvizje. Nga hapësirat e betonit gri të Piramidës në Tiranë, ku të rinjtë po programojnë të ardhmen, e deri te sipërmarrjet që sjellin zgjidhje inovative dhe injektojnë ritëm e ambicie në treg, po ndërtohet një ekonomi që kërkon të jetë pjesë e botës së zhvilluar.

“Krijo, por mbro!” – ky apel i DPPI-së duhet të shkruhet në çdo zyrë, studio, fabrikë apo laborator. Nuk ka zhvillim pa siguri ligjore, dhe nuk ka ekonomi kreative pa mbrojtje të së drejtës autoriale.
Në të njëjtën kohë, Bashkimi Europian po zgjat dorën me fonde dhe projekte konkrete. Nga modernizimi i rrjetit hekurudhor tek financimi i startup-eve dhe sipërmarrjeve të gjelbra, mbështetja e BE-së po i jep frymë një transformimi të qëndrueshëm ekonomik. Platformat si Think Big dhe programet e edukimit digjital janë duke krijuar një ekosistem të ri për inovacionin.

Për bizneset shqiptare, e tashmja është një mundësi që nuk mund të shpërdorohet. Standardet …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0