Digjitalizimi i bobinave audio dhe video, si dëshmi e trashëgimisë historike dhe kulturore - Business Magazine Albania

Digjitalizimi i bobinave audio dhe video, si dëshmi e trashëgimisë historike dhe kulturore

Nga Klea Koçi dhe Armand Agolli  – Në një epokë ku informacioni ruhet dhe transmetohet thuajse tërësisht në formë digjitale, procesi i digjitalizimit të materialeve të vjetra audio dhe video ka fituar një rëndësi të veçantë, si nga ana teknologjike, ashtu edhe kulturore. Në Shqipëri, një pjesë e madhe e kësaj trashëgimie ndodhet ende në formate analoge, të regjistruara në shirita magnetikë gjatë periudhës së regjimit komunist. Këto bobina, që shpeshherë përmbajnë regjistrime zanore të kronikave, intervista, materiale propagandistike apo artistike, si dhe pamje filmike nga ngjarje të rëndësishme të së kaluarës, përbëjnë një pasuri të jashtëzakonshme kulturore e historike. Mirëpo, materiali i regjistruar në shirita magnetikë është i brishtë dhe i cenueshëm ndaj kohës, ndikimit të lagështirës, ndryshimeve të temperaturës apo dëmtimeve mekanike. Për këtë arsye, digjitalizimi i tyre përfaqëson një proces urgjent për ruajtjen e tyre në mënyrë të sigurt dhe të qëndrueshme.Procesi i digjitalizimit audio fillon me zgjedhjen dhe përdorimin e pajisjeve të duhura për të lexuar bobinat e vjetra. Magnetofonë të posaçëm, të aftë për të interpretuar shirita magnetikë të formateve të ndryshme, përdoren për të nxjerrë sinjalin zanor, i cili më pas kalohet në kompjuter përmes një ndërfaqeje audio. Regjistrimi realizohet në programe të specializuara, si Audacity, që lejojnë jo vetëm kapjen me cilësi të lartë të audios në formate si WAV dhe MP3, por edhe mundësojnë ndërhyrjen në përpunimin e zërit.

Në këtë fazë, një nga qëllimet kryesore është ruajtja sa më besnike e materialit origjinal, duke ndërhyrë me delikatesë në pastrimin e zhurmave të padëshiruara, heqjen e fishkëllimave ose klikimeve dhe normalizimin e volumit, kur është e nevojshme. Qasja ndaj përpunimit të audios kërkon jo vetëm njohuri teknike, por edhe ndjeshmëri kulturore për të mos deformuar origjinalitetin e materialit.

Paralelisht me bobinat audio, një sfidë më e madhe teknike dhe estetike paraqitet nga digjitalizimi i bobinave video. Edhe këtu, materiali i regjistruar në shirita filmikë ose kaseta magnetike duhet të lexohet me pajisje të specializuara si magnetofonë videoplayer, të cilët e përcjellin sinjalin në kompjuter përmes pajisjeve të kapjes video. Pasi materiali regjistrohet në format digjital, zakonisht në formate të pakompresuara ose me cilësi të lartë për ruajtje afatgjatë, fillon puna e përpunimit të figurës. Pamjet shpesh janë të paqëndrueshme, me lëkundje, zbehje të ngjyrave apo artefakte vizuale që rezultojnë nga degradimi i shiritit. Për të rikthyer sadopak cilësinë vizuale të materialit, përdoren programe të montazhit dhe restaurimit si Adobe Premiere Pro ose DaVinci Resolve, të cilat mundësojnë stabilizimin e figurës, përmirësimin e kontrastit dhe balancimin e ngjyrave.

Ky proces nuk është vetëm një ndërhyrje teknike, por një formë e kujdesit dhe respektit ndaj historisë dhe identitetit të përbashkët. Çdo bobinë përmban zëra dhe pamje që përfaqësojnë një epokë, qofshin ato regjistrime të drejtpërdrejta të ngjarjeve zyrtare, rrëfime personale, këngë popullore apo dokumentarë që pasqyrojnë mënyrën e jetesës, ideologjinë dhe kulturën e kohës. Digjitalizimi i tyre është një mënyrë për të shpëtuar nga harresa një pjesë të trashëgimisë sonë të përbashkët dhe për ta bërë atë të aksesueshme për studiuesit, studentët, por edhe për publikun e gjerë që ka interes për të kuptuar rrënjët dhe rrjedhat e shoqërisë shqiptare.


Në një epokë ku teknologjia po avancon me ritme të shpejta, digjitalizimi i arkivave të vjetra është një hap drejt përputhjes së kujtesës me të ardhmen. Duke kaluar nga materiali analog në format digjital, ne jo vetëm që shpëtojmë dokumente që ndryshe do të dëmtoheshin ose zhdukeshin, por edhe krijojmë mundësi të reja për analizë, interpretim dhe shpërndarje të dijes. Ky proces kërkon investim në pajisje, dije teknike dhe kohë, por përfitimet që vijnë nga ruajtja e identitetit historik e kulturor janë të paçmueshme.

 

Ky artikull është publikuar në numrin 38 të revistës Businessmag

Abonohu për të lexuar artikujt e BM!

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0