Versace kthehet në shtëpi, Prada firmos blerjen e shekullit për 1.4 miliardë dollarë - Business Magazine Albania

Versace kthehet në shtëpi, Prada firmos blerjen e shekullit për 1.4 miliardë dollarë

~3 minuta lexim

Prada ka blerë zyrtarisht Versace-n për 1.25 miliardë euro (rreth 1.4 miliardë dollarë). Ajo që konsiderohet si blerja më e madhe në industrinë e modës për këtë vit, u bë publike në orët e para të mëngjesit pas muajsh zërash dhe negociatash.

Përtej shifrave marramendëse, kjo marrëveshje ka krijuar një moment të rëndësishëm kulturor mes dy markave italiane legjendare, estetikisht të kundërta, por ikonike në mënyrën e tyre. Për Pradën, Versace përfaqëson një mision krejtësisht ndryshe nga markat e saj aktuale ,Prada, Miu Miu dhe Luna Rossa, që lulëzojnë nën ombrellën e Miuccia Prada-s. Edhe pse secila prej tyre ka ekipe të mirëformuara stilistësh të brendshëm, dhe Prada dizajnohet bashkë me drejtorin kreativ Raf Simons, Versace sjell një energji spontane e të paparashikueshme që sfidon estetikën e rafinuar dhe të ftohtë të Prada-s.

Për Versace-n, kjo marrëveshje përfaqëson si në mënyrë simbolike ashtu edhe reale një rikthim në Itali. Që prej vitit 2018, marka ishte në pronësi të kompanisë amerikane Capri Holdings bashkë me Michael Kors dhe Jimmy Choo. Kjo kalim pronësie është një bast i madh për vlerën e të qenit “Made in Italy”, veçanërisht në një kohë kur tregtia globale ndodhet në një periudhë të paqëndrueshme.

Lexo edhe: 7 marka që ndoshta nuk e dinit se janë në pronësi të markave të tjera

Në muajin mars, Donatella Versace u tërhoq nga roli i stilistes së markës, një vendim i papritur gjatë sezonit vjeshtë/dimër 2025, pas gati 30 vitesh në krye. Dario Vitale do ta zëvendësojë atë, duke u bërë emërimi i parë jashtë familjes. Megjithëse nuk do të jetë më në krye, Donatella ka përshëndetur publikisht këtë blerje.

“Jam jashtëzakonisht e lumtur që Versace bëhet pjesë e familjes Prada. Gianni dhe unë gjithmonë kemi pasur një admirim të madh për Miuccia, Patrizio-n dhe familjen e tyre,” shkroi ajo në një postim në Instagram. “Jam e nderuar që marka është në duart e një biznesi familjar italian të besueshëm dhe jam gati të mbështes këtë epokë të re për markën në çdo mënyrë që mundem.”

Sipas Grupit Prada, Versace do të ruajë pavarësinë në drejtim dhe dizajn. Nga jashtë, duket se ADN-ja dhe autenticiteti i markës do të mbeten të paprekura, duke i dhënë Vitale-s dorë të lirë për të rizgjuar frymën e shtëpisë siç ai e sheh të arsyeshme.

Burimi: Elle / Përshtati: Businessmag.al

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #37 - Prill 2025

Mendo lokalisht, vepro globalisht

Viti 2025 vjen me sfida dhe mundësi të mëdha në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë sonë. Turizmi shqiptar po përjeton një rritje të jashtëzakonshme, ku duket se pas një prezantimi mbresëlënës në ITB Berlin, Shqipëria është gati të pozicionohet si një destinacion i rëndësishëm në hartën botërore me një ofertë të larmishme turistike. Paralelisht, tregu i pasurive të paluajtshme po përballet me ndyshime të shumta, ku investimet strategjike dhe zhvillimi i qëndrueshëm janë kyç për suksesin e këtij sektori.
Teknologjia vazhdon të transformojë mënyrën se si jetojmë dhe punojmë. Inteligjenca Artificiale nuk është më thjesht një mjet ndihmës, por një faktor vendimtar që po shkruan rregulla të reja në çdo industri.

Bota përballë sfidës së krijimit të një axhende më humane për Inteligjencën Artificiale – si mund ta vendosim atë në shërbim të njeriut, pa e shndërruar në një rrezik për demokracinë dhe ekonominë globale? Ndërsa jetojmë në një botë që ndryshon vazhdimisht, shohim sesi Fintech është një realitet i padiskutueshëm që po lehtëson ditë pas dite jetën dhe veprimtarinë e bizneseve dhe individëve. Ajo që konfirmojmë me siguri në këtë edicion është sesi bizneset shqiptare po përqafojnë gjithnjë e më shumë një qasje europiane në menaxhim, kulturë, lidership dhe investime, duke u nxitur drejt inovacionit dhe …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0