Shkencëtarët thonë se ka pasur një mungesë alarmante përparimi në shpëtimin e natyrës, ndërsa samiti i OKB-së për biodiversitetin, COP 16, po i afrohet fundit. Shkalla e ambicies politike nuk është ngritur në sfidën e reduktimit të shkatërrimit të natyrës që i kushton ekonomisë miliarda, tha një ekspert kryesor. Përfaqësuesit e 196 vendeve janë takuar në Cali, Kolumbi, për të rënë dakord se si të ndalojnë shkatërrimin e natyrës deri në vitin 2030. Samiti i biodiversitetit është i ndarë nga samiti më i njohur i klimës COP, i cili do të zhvillohet në Baku më vonë këtë muaj.
Vendet duhej të vinin në tryezë me një plan të detajuar se si synonin të përmbushnin objektivat e biodiversitetit në vend, por shumica e humbën afatin. Takimi vjen pasi një milion specie përballen me zhdukjen dhe natyra po bie me ritme të paprecedentë në historinë njerëzore.
“Ne jemi të mbërthyer në një cikël vicioz ku problemet ekonomike reduktojnë fokusin politik në mjedis, ndërsa shkatërrimi i natyrës i kushton ekonomisë miliarda”, tha Tom Oliver, profesor i biodiversitetit në Universitetin e “Reading”.
“Derisa të kemi liderë botërorë me mençurinë dhe guximin për ta vendosur natyrën si prioritet kryesor politik, atëherë rreziqet që lidhen me natyrën do të vazhdojnë të përshkallëzohen”, shtoi ai.
Samiti i OKB-së për biodiversitetin, COP 16, ishte shansi i parë për të vlerësuar progresin drejt një marrëveshje historike për të mbrojtur natyrën, të rënë dakord në 2022. Megjithatë, shkencëtarët u ankuan për ritmin e përparimit. Nathalie Seddon, profesoreshë e biodiversitetit në Universitetin e Oksfordit, tha se ndërsa ishte bërë një përparim domethënës, tabloja e përgjithshme ishte pa dyshim thellësisht shqetësuese.
“Biodiversiteti ende zë një vend të dytë ndaj veprimit klimatik edhe pse shkenca flet fuqishëm për nevojën për qasje plotësisht të koordinuara,” tha ajo.
Çfarë u ra dakord në samit?
-U arrit një marrëveshje që kompanitë që përfitojnë nga të dhënat gjenetike të natyrës duhet të paguajnë për mbrojtjen e saj nëpërmjet një fondi global
-Fondi, që do të njihet si fondi Cali pas qytetit pritës të COP16, do të financohet me pagesa nga kompanitë që përdorin informacionin gjenetik nga gjallesat
-Roli i popujve indigjenë si kujdestarë jetësorë të natyrës u njoh zyrtarisht përmes krijimit të një organi të përhershëm për të përfaqësuar interesat e tyre
Lexo edhe: Arinjtë polarë përballen me rrezik më të lartë të sëmundjeve në një Arktik që po ngrohet!
Samiti i ardhshëm i biodiversitetit do të zhvillohet në vitin 2026. Astrid Schomaker, sekretarja ekzekutive e Konventës së OKB-së për Diversitetin Biologjik, tha se përmes mbledhjeve të tilla qeveritë, OJQ-të dhe shkencëtarët mund të ndajnë njohuri dhe burime.
“Kjo frymë kolektive është kritike ndërsa ne punojmë për të zhvilluar dhe zbatuar politika efektive për t’u përballur me krizat komplekse dhe të ndërlidhura me të cilat përballen ekosistemet e planetit tonë,” tha ajo.
Duke komentuar bisedimet, shkencëtarja e njohur, Dr Jane Goodall, tha se e ardhmja është “përfundimisht e dënuar” nëse nuk trajtojmë humbjen e biodiversitetit.
Ajo u shpreh: “Ne duhet të marrim masa gjithashtu. Ne nuk mund të fajësojmë vetëm qeverinë dhe korporatat e mëdha, megjithëse një pjesë e madhe e fajit u takon atyre.”
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.