Adriane Schwager ka intervistuar mijëra njerëz gjatë karrierës së saj 20-vjeçare në rekrutim — dhe ka punësuar qindra prej tyre. Gjetja e njerëzve të duhur për ekipin e saj është bërë edhe më e rëndësishme tani që ajo është CEO dhe bashkëthemeluese e GrowthAssistant, një platformë rekrutimi që përdor talente globale për të plotësuar pozicionet.
Me eksperiencën e saj ndër vite ajo ka krijuar udhëzuesin e saj për të rekrutuar “yjet” e duhur deri në detaje. Së fundmi, ajo ka postuar në X (ish-Twitter), ku shpjegon se si arrin të dallojë atë që e quan një “punësim 10 nga 10”. Në postimin e saj, Schwager thotë se punonjësit e nivelit të lartë kanë “aftësi shumë të larta vetë-menaxhimi”, janë të aftë të mbulojnë disa role njëkohësisht dhe demonstrojnë ekspertizë në fushën e tyre, ndër të tjera.
Por, ajo përmend se dy cilësi specifike janë “të nënvlerësuara” dhe e ndihmojnë atë të përcaktojë nëse po punëson personin e duhur: aftësia për të gjetur zgjidhje dhe proaktiviteti.
“Ato janë të ndërlidhura, por paksa të ndryshme,” thotë Schwager për CNBC Make It.
Për të vlerësuar proaktivitetin, Schwager u kërkon kandidatëve të japin shembuj se si kanë zgjidhur një problem që nuk iu ishte kërkuar ta zgjidhnin.
Në të njëjtën kohë, ajo vlerëson njerëzit që mund të jenë të aftë të gjejnë zgjidhje për të ndihmuar në rritjen e startup-it të saj me fonde dhe staf të kufizuar. “Më duhet të di që keni gjetur zgjidhje për probleme, që nuk kërkojnë para,” thotë ajo. “Më duhet të shoh një mjedis ku keni qenë të kufizuar me burime në mënyrë që të di që keni atë aftësi mendimi — atë mjet në ‘kutinë tuaj të veglave’.”
Punonjësit në fillim të karrierës, me pak përvojë, mund të gjejnë mënyra kreative për të shfaqur këto aftësi në një intervistë, thotë Schwager.
Lexo edhe: Bill Gates tregon strategjinë që përdori për të rritur Microsoft-in: “E përqendrova jetën time vetëm në një punë”
Konsideroni çdo praktikë dhe metodë punë që keni ndjekur në punët tuaja të mëparshme. Ndoshta nuk ishit konsideruar për një projekt më të madh, por në vend që të qëndronit pasiv, ju morët iniciativën për t’iu ofruar menaxherit tuaj me një ide, dhe kërkesë dhe morët përgjegjësinë për një kontribut sado modest. “Kjo më tregon cilësinë e proaktivitetit,” thotë Schwager.
Ju gjithashtu mund të diskutoni edhe për aftësitë që keni mësuar në një punë me kohë të pjesshme gjatë shkollës së mesme ose universitetit. Schwager kohët e fundit intervistoi një kandidat praktikant dhe e pyeti për një rast kur kishte qenë e nevojshme të shfaqte zotësinë e tij.
Kandidati po punonte për Papa John’s duke bërë dërgesa në Çikago kur makina e tij u prish. Duke ditur që duhet të dorëzonte picën brenda një afati të caktuar, ai mori një biçikletë me qira për të përfunduar rrugën e tij “dhe e dorëzoi picën me dy minuta para skadimit të afatit,” thotë Schwager. “Kjo tregon aftësi për të gjetur zgjidhje dhe përkushtim për të përfunduar punën.”