Eneida Guria: gratë drejtuese po ecin me ritme të shpejta, por nevojitet të forcohen rrjetet që i mbështesin ato - Business Magazine Albania

Eneida Guria: gratë drejtuese po ecin me ritme të shpejta, por nevojitet të forcohen rrjetet që i mbështesin ato

Të ndërtosh një karrierë në fushën ku je diplomuar kërkon strategji, vizion dhe qëndrueshmëri. Eneida Guria duket se i ka të gjitha këto. Ajo gjeti vlerë në punën e saj në Shqipëri pas studimeve në Shtetet e Bashkuara. Drejtuese e institucioneve publike si AIDA dhe kompanive ndërkombëtare në vend, ajo ka ndarë me ne rrugëtimin e saj, vizionin dhe sfidat e ardhshme. 

Si ka nisur karriera juaj, çfarë ka shënuar fillimet tuaja në punë?

Karriera ime ka nisur si shumë persona besoj, më shumë se dy dekada më parë si studente e sapodiplomuar në Financë dhe Administrim Biznesi, në Shtetet e Bashkuara, ku pjesa më e madhe e aplikimeve nuk doli e sukssesshme. Por, pas shumë intervistash pune, që më mësuan shumë më tepër se shkolla rreth procesit të aplikimit dhe intervistimit, nisa punë si ekonomiste. Ishte shumë më ndryshe nga çfarë e kisha imagjinuar, apo ëndërruar  fillimin e karrierës, por një nga leksonet më të vyera për kulturën e punës dhe tregun e punës. Mësimi i parë ishte vendosmëria për të hedhur hapa përpara.

Cilat janë sfidat më ndikuese në karrierë dhe si u jeni qasur atyre?

Për mua, një ndër sfidat më të mëdha është mënyra se si përballesh me paparashikueshmërinë. Ndërsa askush nuk i shmang dot, çdokush mëson nga mënyra se si përballet me to. Më është dashur të ndryshoj profesione dhe sektorë disa herë në karrierën time deri tani.  I kam pranuar ndryshimet dhe jam përballur me to me të njëjtën këmbëngulje, dëshirë për të mësuar dhe për të zgjidhur situatat para të cilave e kam gjetur veten. Nuk mund të them se ka qenë aq e lehtë sa tingëllon, por e kam parë çdo sfidë si mundësi për të mësuar, për t’u rritur e për të njohur persona dhe ambjete të ndryshme. Aftësia për t’u përshtatur dhe për të dhënë maksimumin në çdo situatë mendoj se është një prej aspekteve që vlersoj më shumë tek vetja, gjë që nuk e kam vleresuar në fillimet e karrierës.

A mund të ndani me ne ndonjë moment sfide apo realizimi që ka shënuar rrugëtimin tuaj në karrierë, apo ju ka bërë të reflektoni?

Kam pasur disa të tilla dhe mendoj që do kem ende, por një nga ato që do veçoj dhe që ka përbërë momentin e kthesës është pranimi i punës së parë pas kthimit në Shqipëri. Në vitin 2003, si një vajzë e re me shkëputje të gjatë nga Shqipëria, vendosa të pranoj një pozicion pune në veri të vendit. Në një kohë që lëvizjet për punë në vend ishin të natyrës së kundërt, pra njerëzit lëviznin në Tiranë, unë vendosa të lëviz për të punuar dhe jetuar në Lezhë. Pata shumë miq e shokë që nuk më mbështetën dhe menduam se po bëja gabim. Por, tani, tek kthej kohën pas, ishte një mundësi e shkëlqyer për mua. Njoha veten më shumë, aftësitë e mia drejtuese dhe pata mundësinë të punoj në një mjedis edhe ndërkombëtar edhe lokal që për mua ishte ura e nevojshme në atë periudhë të jetës sime. Njoha njerëz prej të cilëve mësova shumë dhe që i kam miq sot e kësaj dite.

A e keni ndierë presionin e të qenurit grua në mjediset e punës?

Oh, më shpesh se ç’do doja të mendoja. Në çdo pozicion që kam pasur deri më sot, sfida apo nevoja për të treguar se çdo njeri, grua a burrë, më aftësitë dhe mendësinë e duhur mund ta bëjë një punë, mbetet sfidë më shumë e grave. Kjo, jo vetëm në Shqipëri, por ndoshta pak më shumë në Shqipëri. Ka sektorë që dominohen nga burrat dhe ku sfidat e ngjitjes së shkallëve të karrierës janë më të mëdha për gratë.

Në menaxhim dhe lidership, kush ju frymëzon, a keni një model që i referoheni në jetën tuaj kur vjen puna për karrierën, jetën?

Dikur kam pasur disa modele që më frymëzonin e më frymëzojnë ende. Gra si Margaret Thatcher apo të ngjashme më të, që shpesh duken klishe. Me kalimin e viteve frymëzohem nga gra që i kam shoqe, kolege dhe që i shoh të sfidojnë çdo ditë veten, ambjentin ku jetojnë e punojnë. Më ka frymëzuar dhe frymëzon gjithmonë nëna ime për mënyrën si është përballur me sfidat e jetës.

Cilat janë planet tuaja për të ardhmen dhe me çfarë lidhen ato?

Planet e mia afatshkurtër dhe afatmesëm lidhen me rregullimin e balancës punë-jetë. Të vazhdoj të mësoj e të mbaj aftësitë e mia të përditësuara.

Cila është këshilla më e rëndësishme që mund t’i jepni sot një vajze studente dhe një gruaje tashmë në karrierë?

Një vajze studente do t’i thoja të mos lërë askënd t’i thotë që gjërat janë të pamundura, të vështira po, por jo të pamundura.

Një gruaje në karrierë do kisha më pak për t’i thënë, pasi çdo grua që ka avancuar në karrierë ka arritur një pjesë të planit të saj personal. Sidoqoftë, do doja thjesht t’i thoja se edhe pse duket sikur është rrugë e vështirë, çdo rrugë është e shkelur përditë nga gra që vlejnë, që përpiqen. Gjëja më e mirë që çdo grua mund të bëjë është të krijojë rrethin e saj të suportit.

Ju jeni anëtare Bordi e Women On Boards Albania. Cila është kauza juaj në këtë drejtim? Çfarë ju bashkoi me WOB-AL dhe çfarë synoni të realizoni?

Iu bashkova ftesës së Albana Vrionit dhe bordit të WOB-AL pasi shoh në këtë grup njerëz me vlera dhe pasione të ngjashme me të miat. Në tregun shqiptar të punës ka, jo vetem nevojë për organizata që krijojnë kushtet e bashkepunimit mes grave, por edhe për të vijuar rritjen dhe aftësimin e tyre, qoftë duke ndarë eksperienca apo dhe nëpërmjet mësimit aktiv, e trajnimit të vazhduar. Do doja të shihja sa më shumë sipërmarrje shqiptare me borde drejtuese apo këshilluese aktive, në të cilat pjesëmarrja e grave shihet si vlerë e shtuar.

Në fushën tuaj të veprimit, me pervojë disavjeçare tashmë me drejtime të ndryshme, kompani dhe organizata ndërkombëtare, si i shikoni hapësirat e zhvillimit të karrierës për grate. Si është zhvilluar kjo pjesë në Shqipëri dhe çfarë duhet bërë më tej.

Në Shqipëri ka shumë gra në pozicione kyçe, por dhe shumë të tjera që po drejtojnë e ngrenë biznese pa bërë shumë zhurmë dhe më shumë sukses. Ndërsa tregu i punës është ende në rritje dhe formalizim, gratë po përshtaten dhe rriten edhe më shpejt. Por, ka gjithmonë hapësirë që të bëhet më shumë, të forcohen rrjetet dhe organizmat që mbështetin gratë sipërmarrëse dhe ato në poste drejtuese. Ka nevojë gjithashtu që të ketë një vëmendje më të madhe edhe nga insitutcionet për të mbështetur më tepër rolin e grave në sektorin privat.

 

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #35 - Qershor 2024

Ja si sipërmarrës të guximshëm përmes inovacionit ndikojnë industri të tëra!

 

Ky numër i revistës mund të quhet numri i dedikuar sipërmarrësve, nismëtarëve dhe inovatorëve. Atyre të cilët me guxim, këmbëngulje dhe me risi nxisin transformimin e industrive me ndikim në jetët tona. Këto përvoja, sfida, ide të reja, aplikime dhe bashkëpunime të tyre, vijnë nëpërmjet Business Mag Albania, nr. 35. 

Për ty, që po e mban në dorë këtë revistë, kemi diçka të re! Tani mund të dëgjosh me zë artikujt që lexon tek BusinessMag. 

Në partneritet me Nullius in Verba, sjellim një mënyrë revolucionare për të konsumuar përmbajtjen. Falë teknologjisë së avancuar të AI, tani mund të dëgjoni me zë artikujt tuaj të preferuar në çdo kohë dhe vend, duke ju lejuar të informoheni ndërsa jeni në lëvizje. Ky bashkëpunim inovativ pasqyron përkushtimin tonë për të mbështetur sipërmarrjen dhe zhvillimin e modeleve të suksesshme, duke sjellë përvojë të re dhe vlerë të shtuar për ju si lexues. Skano kodet QR në çdo artikull dhe shijo nga kudo që të jesh një format të ri, mundësuar nga Inteligjenca Artificiale, aplikuar nga një …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0