Eni Muça
Fëmijët përballen me rreziqe të padukshme në internet që kërkojnë zgjidhje të sofistikuara dhe të qëndrueshme. Business Magazine ka zhvilluar një intervistë me themeluesin e Isigurt.al, Altin Hazizaj, platformë e sigurisë kibernetike të fëmijëve në Shqipëri. E themeluar në vitin 2015, Isigurt.al ka ndërthurur teknologjinë e avancuar, përfshirë inteligjencën artificiale, për të mbrojtur të rinjtë nga kërcënimet online. Në këtë intervistë zbulojmë sesi kjo platformë ka ndërtuar një sistem të fuqishëm për të identifikuar dhe eliminuar kërcënimet online, sfidat që ka hasur në rrugëtimin e saj dhe planet për të ardhmen. Për më tepër, mësojmë se si bashkëpunimi me institucionet dhe kompanitë teknologjike ka luajtur një rol kyç në suksesin e tyre. Kjo intervistë tregon se si teknologjia mund të përdoret për të krijuar një ambient dixhital të sigurt dhe të besueshëm për fëmijët tanë.
Çfarë e motivoi themelimin e platformës Isigurt.al dhe si e përcaktoni misionin tuaj për sigurinë në internet për fëmijët në Shqipëri?
Qëllimi kryesor i krijimit të platformës kombëtare iSIGURT.al në vitin 2015 ishte mbrojtja e fëmijëve nga çdo formë e dhunës dhe ngacmimit seksual në hapësirën kibernetike, asaj që shpesh në gjuhën e përditshme ne i referohemi si pornografi e fëmijëve. Në vetëvete ky term është i gabuar, pasi krijon përshtypjen sikur fëmijët kanë të drejtën e pornografisë, ndërkohë që termi i saktë që duhet të fillojmë të gjithë të përdorim është material/e me përmbajtje të dhunës seksuale ndaj fëmijëve. Ne jemi thuajse në vitin e dhjetë të hapjes së shërbimit dhe tashmë kemi krijuar një eksperiencë të gjerë në evidentimin, ndjekjen dhe trajtimin e trendeve kryesore sesi zhvillohet hapësira kibernetike për fëmijët, por edhe në tërësi për të gjithë njerëzit. Në vitin 2018, duke qenë se Shqipëria nuk kishte një qendër për Internetin e Sigurt, ne ndërmorëm një hap të dytë, duke e krijuar atë, pra duke bërë një hapje të shërbimit, përkundrejt nevojave për mbrojtje dhe siguri të qytetarëve, sidomos të grave. Sot iSIGURT.al ofron jo vetëm mundësinë për të raportuar çdo incident të dhunës e ngacmimit seksual, bulizmit ekstrem apo dhunës ndaj fëmijëve online, por edhe nga të rriturit që ndodhen ndonjëherë përpara po të njëjtave rreziqe, përfshi edhe gjuhën apo krimet e urrejtjes. Sidomos gjatë dy viteve të fundit shohim që nevojat për mbrojtje e siguri jo vetëm nga fëmijët, por edhe të rriturit janë shtuar dhe kjo ka sjellë si rrjedhojë edhe nevojën që në ti përshtatemi realitetit ku jetojmë dhe të ndihmojmë çdo qytetar në nevojë, pa hequr asnjëherë vëmendjen tonë kryesore ndaj fëmijëve dhe të rinjve. Çdo ankesë procesohet duke filluar nga verifikimi bazë, më pas analizohet faqja apo profili për të cilin është ngritur ankesa. Nëse vërtetohet që ka shkelje të rregullave të komunitetit apo të ligjeve të vendit, analistët tanë kontaktojnë me kompaninë përkatëse, që materiale të hiqet nga hapësira kibernetike. Nëse bëhet fjalë për shkelje ligjore ne kontaktojmë kolegët tanë në Policinë e Shtetit dhe më pas rasti ndiqet nga ata. Falë këtij bashkëpunimi ndërmjet kompanive globale dhe autoriteteve kombëtare, ne sot kemi mundësinë që të ofrojmë mbrojtje, informim dhe edukim për këdo, në mënyrë të posaçme për fëmijët dhe adoleshentët.
Cilat kanë qenë disa nga sfidat më të mëdha që keni hasur gjatë krijimit dhe funksionimit të platformës? Si i keni kapërcyer ato?
Artikulli u publikua më parë në numrin 35 të revistës Business Magazine Albania. Business Magazine Albania është revista e parë dixhitale me përmbajtje origjinale në shqip të orientuar nga fusha e biznesit. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 35 të saj.
Sfidat kryesore me të cilat ndeshemi janë shoqërore. Për shkak se punojmë me informacion që shpesh është sensitiv, analistët tanë çojnë shqetësimin që prindërit dhe familjet në tërësi, nuk janë të informuar sa duhet për rreziqet që përmban dhe përcjell hapësira kiberentike për fëmijët. Sot interneti është bërë një hapësirë ideale, jo vetëm për fjalën e lirë, komunikimin tonë me botën, protestën tonë qytetare ndaj padrejtësive, apo korrupsionit, por edhe për pedofilët dhe grabitqarët seksualë. Në këtë situatë ne jemi përpjekur të ndërtojmë fushata ndërgjegjësimi dhe kur ka ngjarje të rënda, jemi bërë pjesë e të gjitha debateve publike, për t’u bërë thirrje prindërve që të kuptojnë që hapësira kibernetike që gëzojmë sot të gjithë, nuk është bërë duke patur në mendje fëmijët dhe mbrojtjen e tyre. Ajo është bërë nga të rriturit për të rriturit. Fëmijët janë gjendur në këtë hapësirë rastësisht, për shkak sepse prindërit i pajisin tashmë thuajse të gjithë fëmijët me celular inteligjent dhe akses në internet 24 orë, por ndërkohë nuk i mësojnë dhe edukojnë që të përgatiten për rreziqet që mund të vijnë. Së dyti, po në këtë kuadër, ne shohim një mungesë të thellë të komunikimit midis fëmijëve dhe prindërve. Ankesat që marrim shpesh janë krime kundër fëmijëve dhe duhen ndjekur nga autoritetet. Ne i njoftojmë gjiithmonë fëmijët se kur ka kryer një krim ndaj tyre jemi të detyruar si profesionistë që të njoftojmë autoritetet për ngjarjen. Thuajse të gjithë fëmijët thonë të njëjtën shprehje: vetëm prindërit të mos e marrin vesh se do të më vrasin! Tepër e frikshme ta mendosh dhe ta thuash, por njëkohësisht tregon se prindërit e kanë më të lehtë të kërcënojnë fëmijët sesa t’u mësojnë atyre si të kujdesen dhe mbrohen. Së treti, ne shohim se të rriturit vetë nuk janë të informuar thuajse fare për përdorimin e rrjeteve sociale. Na qëllon thuajse çdo ditë të marrim ankesa edhe për vjedhje profili nga të rritur –një çështje që nuk ndiqet nga ne, me përjashtim të rastit nëse profili është duke u keqpërdorur për të ngacmuar apo dhunuar fëmijët apo edhe të rriturit, dhe kurdo mundohemi t’u shpjegojmë se çfarë duhet të bëjnë e kuptojmë që shumica nuk ia kanë idene e përdorimit të rrjeteve sociale, gjë që i bën ata të goditshëm dhe të manipulueshëm në këtë hapësirë. Mësimi dhe aftësitë dixhitale janë ende tepër të dobëta dhe në këtë kuadër shkollat dhe institucionet duhet të fillojnë të luajnë një rol gjithnjë e më të madh.
Nëse ka një sfidë të vetme që ende nuk i kemi dhënë zgjidhje, janë portalet shqip-folëse në hapësirën Shqipëri-Kosovë. Aty ka materiale të dhunës seksuale, bullizmit, dhunës fizike apo poshtërimit të fëmijëve, monetizohet për të krijuar të ardhura dhe kurdo që ankohemi e kërkojmë heqjen e ndonjë postimi specifik, shpesh nuk pritet mirë dhe ka patur raste që kemi marrë sharje, fyrje apo edhe artikuj fyes. Kjo, jo vetëm që është e dëmshme për fëmijët apo këdo që mund të ndihet i përndjekur në hapësirën kibernetike, por në bindjen tonë rrit edhe riskun që këto kompani të humbin reputacionin dhe të regjistrohen si kompani që shpërndajnë pornografi të fëmijëve. Sfida e fundit që kemi ndeshur është disinformimi online, sidomos ndaj aktivistëve për të drejtat e njeriut, të cilëve u vishen thënie apo fjalë që nuk janë thënë ndonjëherë dhe më pas amplifikohen në mënyrë të organizuar dhe të qëllimshme në rrjete sociale, duke u përdorur për ndëshkim apo fyrje kolektive ndaj tyre.
Si është pritur ky projekt nga institucionet publike dhe si arrini të bashkëpunoni me ta për të mbrojtur të drejtat e fëmijëve online?
Hapja e Isigurt.al është bërë falë një marrëveshje ndërmjet CRCA dhe katër Ministrive kryesore të Qeverisë shqiptare në vitin 2015. Bashkëpunimi, si atëhere dhe sot, vijon të jetë shumë pozitiv. Ne kemi një bashkëpunim të shkëlqyer me Policinë e Shtetit dhe jemi duke ndërtuar një dialog edhe më të fortë me industrinë e internetit. Në nëntor të vitit të kaluar, së bashku me katër ministritë kryesore të Qeverisë nënshkruam Paktin Kombëtar kundër Dhunës ndaj Fëmijëve dhe tashmë jemi duke punuar individualisht me to që të ndërtojmë plane pune sipas çdo ministrie për të bërë të mundur parandalimin e çdo forme të dhunës online dhe offline ndaj fëmijëve dhe të rinjve në Shqipëri. Po ashtu, jemi duke punuar edhe në nivel rajonal (në Ballkan) që këtë eksperiencë të jashtëzakonshme të fituar ta ndajmë me partnerët tanë në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Serbi dhe Bosnjë. Këtë vit jemi njohur nga Bashkimi Europian si Qendër e Internetit të Sigurt për Shqipërinë dhe kjo tashmë na jep mundësi që të punojmë së bashku në nivel të BE-së për të sjellë ekspertizën dhe përvojën më të mirë të tyre, që Shqipëria të ketë të njëjtat ligje dhe politika si çdo vend i BE-së. Për këtë arsye në 4-5 Qershor mirëpritëm një tryezë rajonale të linjave si iSIGURT në Ballkanin Perëndimor, për të diskutuar mbi bashkëpunimin tonë dhe si mund t’u përgjigjemi kërcënimeve të gjithë së bashku.
Çfarë rol luan edukimi në nismën tuaj? Si ndihmoni prindërit dhe mësuesit të qëndrojnë të informuar mbi rreziqet potenciale në internet?
Edukimi, përfshi edhe edukimin mediatik, është pjesë thelbësore e punës së iSIGURT. Platforma online shumë shpejt do të pësojë ndryshime të mëtejshme, pasi po zgjerojmë edhe gamën e shërbimeve ashtu edhe të informimit për të gjithë, por pa diskutim me fokus kryesor fëmijët. Duke u njohur si Qendër e Internetit të Sigurt nga BE-ja, kemi mundësi që të gjitha materialet që përgatiten në nivel të saj t’i sjellin në gjuhën shqipe, të përshtatura. Këto materiale janë nga libërthat më të thjeshtë e deri tek studimet dhe kërkime ku Shqipëria bëhet automatikisht pjesë. Shumë shpejt presim psh., disa studime dhe të dhëna mbi gjendjen e viktimave të dhunë seksuale online, si ka filluar ajo e deri tek zgjidhja (nëse është zgjidhur). Ndërkohë, me Ministrinë e Arsimit kemi rënë dakord dhe kemi filluar punën për përgatitjen e planit të veprimit kundër dhunës dhe bullizmit online – pasi viti 2023 na tregoi se dhuna ndërmjet fëmijëve (bullizmi) është kthyer në problemin kryesor të fëmijëve dhe adoleshentëve. Po në këtë kuadër ne po punojmë me të rinj e të reja në të gjithë Shqipërinë për të krijuar Kampionet e Internetit të Sigurt, ku vetë fëmijët dhe adoleshentët janë ata që propozojnë zgjidhjet për një mbrojtje e siguri më të mirë të tyren online, në bashkëpunim me shkollat dhe ne si iSIGURT. Përsa u përket prindërve, më duhet ta pranoj se, pavarësisht përpjekjeve jemi ende larg ndërgjegjësimit të tyre në atë masë që të sigurojë mbrojtjen e fëmijëve. Për këtë qëllim, po punojmë për krijimin e një Aleance Kombëtare për Sigurinë Kibernetike së bashku me shoqatat e prindërve, shoqërinë civile dhe industrinë e internetit. Shumë shpejt do të prezantojmë edhe një nismë ligjore për mbrojtjen në hapësirën kibernetike. Avokatët e Zyrës Ligjore të CRCA janë duke punuar për këtë qëllim, duke u bazuar tek standardet ligjore kryesore të BE-së, që tashmë për Shqipërinë kthehen të detyrueshme për t’u adoptuar.
Si përdorni teknologjinë për të avancuar misionin tuaj? A ka ndonjë inovacion që po integroni në platformë?
iSIGURT nuk mund të mbijetojë dhe të bëjë një punë të mirë nëse nuk përdor teknologjitë e avancuara, përfshi edhe Inteligjencën Artificiale. Besoj se jemi ndër agjencitë e pakëta nga shoqëria civile që përdorim këto lloj teknologjish. Sapo kemi përfunduar trainimin e të gjithë zyrës, staf drejtues dhe shërbimi, për atë që në shqip i referohemi si: Merimanga (Arachnid). Prej tre muajsh analistët tanë ndoqën çdo ditë trainimin për përdorimin e Merimangës dhe javën e kaluar ishtë edhe takimi i drejtuesve të linjave dhe platformave që përdorin këtë sistem në Europe. Sistemi është ndërtuar nga Qendra për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kanada dhe duhet të them që jemi me fat që ata na bënë pjesë të nismës së tyre, sepse kishte shtete shumë herë më të mëdha se ne që donin të ishin pjesë. Merimanga përdor inteligjencën artificiale për të evidentuar nëse në hapësirën tonë publike të internetit ka materiale me përmbajtje të dhunës e shfrytëzimit seksual të fëmijëve dhe nëse po, raportimin e tyre pranë autoriteteve dhe heqjen e tyre nga hapësira kibernetike. Në këtë moment jemi duke evidentuar të gjithë serverat dhe kompanitë që hostojnë faqe në Shqipëri – në mënyrë që nëse ka ndonjë material të tillë në serverat e tyre, të marrin masa për bllokimin dhe asgjësimin e materialeve të tilla. Nga një vështrim i shpejtë i tregut, duket që janë diku tek 10-15 kompani mikpritëse kryesore dhe shpresojmë që të jenë bashkëpunuese, po aq sa kanë qenë kompanitë kryesore të internetit si Vodafone apo Abissnet. Kjo mbetet për t’u parë. Ndërkohë, iSIGURT është në komunikim me një kompani po nga Kanadaja që chat-i ynë në faqen e re të iSIGURT të ndërtohet i gjithi duke përdorur inteligjencën artificiale, pra sa për shembull, siç është Alexa në Amazon me të cilën mund të komunikosh me zë, ne duam që të kemi sistemin tonë që flet me zë dhe me figurë me këdo që akseson sistemin tonë. Kjo do të na ndihmojë shumë edhe në automatizimin e shumë sistemeve tona të brendshme. Së fundi, jemi duke punuar me një grup të disa universiteteve kryesore amerikane, të cilët do të na ofrojnë falas ndërtimin e të gjithë sistemit statistikor të iSIGURT.al duke përdorur AI, me qëllim që në kohë reale të kemi indicie mbi raporte apo incidente që duhen parë me vëmendje pasi përbëjnë trende të reja që duhen marr në konsideratë. Kjo lloj teknologjie përdoret për kompanitë e mëdha, por duke qenë se ne ndërtuesit i kemi miq të iSIGURT, na janë ofruar që të na ndihmojonë falas për këtë sistem. Besoj se në fund të vitit do të kemi zhvillime edhe në këtë drejtim.
Cilat janë këshillat kryesore për fëmijët dhe të rinjtë?
Siç e theksova edhe më sipër, hapësira kibernetike është ndërtuar nga të rriturit për të rriturit. Në Europë kemi krijuar një koalicion të organizatave simotra, ku iSIGURT është pjesë aktive e rrjetit, për të ndërtuar një hapësirë të re kibernetike që është për fëmijët dhe të rinjtë dhe materialet janë të përgatitura po prej tyre. Pra, në këtë sens ne po fillojmë të krijojmë një mikro-kozmos të ri për dhe me fëmijët e të rinjtë që të jenë të sigurt. E dyta, ligji i ri për të cilin fola më sipër, do të ndihmojë në krijimin e asaj që ne e konsiderojmë: akses i sigurt për fëmijët në internet që sa hyjnë, ose ndryshe e dizenjuar për të mbrojtur fëmijët që në fillim. Edhe këtu besoj do të kemi disa zhvillime pozitive në vitet në vazhdim. Nëse ka një porosi po edhe thirrje që duhet ta bëj për fëmijët dhe të rinjtë ajo është: Mendohuni mirë se çfarë hidhni apo ndani me shokët e shoqet online. Çdo material që hidhni automatikisht ka një gjurmë dixhitale dhe ajo nuk ka për t’u zhdukur apo hequr ndonjëherë nëse e ke hedhur në internet, pasi që në atë moment e ke humbur pronësinë e atij materiali! Kjo do të thotë se dikush tjetër mund ta kontrollojë atë për të gjithë jetën tënde. Kjo mund të jetë adresa e shtëpisë, një foto intime, një mesazh i papërshtatshëm etj. Mos hidhni / ndani asgjë personale në internet, qoftë edhe me njerëz që e dini se kush janë. Për prindërit kam një mesazh shumë të thjeshtë: Sikur dikush të hidhte fotot e tua pa leje në internet si do të ndiheshe? Atëherë pse nuk bën të njëjtën pyetje kur hedh foto të fëmijëve të tu online? A i pyete fëmijët për këtë? Mendo si do të ndihen ata disa vite më vonë! Po sikur këto materiale t’i marrë një pedofil për të identifikuar viktimën e rradhës?
Çfarë keni mësuar personalisht gjatë udhëtimit tuaj me Isigurt.al që mund të ndajë me të tjerët që janë të interesuar të ndihmojnë në mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në ambientet dixhitale?
Kjo është një pyetje shumë e bukur dhe me vlerë. Nëse ka një mësim që kam nxjerrë dhe më rikujtohet herë pas here, është se hapësira kibernetike nuk është e sigurt për askënd. Brenda një sekonde ajo mund të kthehet në një hapësirë toksike ndaj teje, duke u kthyer shpesh në një makth që më pas të ndjek edhe në jetën e përditshme. Kjo hapësirë ka nevojë për të gjithë që ta bëjmë atë të sigurt e të respektueshme për të gjithë.
Ky artikull u publika më parë në numrin 35 të revistës businessmag.al.
Ju mund të abonoheni këtu dhe të shkarkoni revistën online
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.