Në një treg gjithnjë e më konkurrues dhe me ritme të shpejta zhvillimi, startup-et shqiptare po sjellin ide të reja dhe kreative, që synojnë të transformojnë sektorë të ndryshëm të ekonomisë dhe shoqërisë, duke shpresuar se inovacioni, përkushtimi dhe një vizion i qartë mund të sjellin ndryshime të mëdha. Në këtë artikull, do të prezantojmë disa nga startup-et e përzgjedhura që do të prezantojnë idetë e tyre në eventin Women Startup Competition 2024 Albania.
SpiritCraft Albanian Souvenirs
Misioni tyre është të krijojnë suvenire që kombinojnë traditën me inovacionin. Ata synojnë të ofrojnë një përvojë të re blerjeje dhe të ndërtojnë një lidhje të fortë me klientët. Me produkte unike që pasqyrojnë trashëgiminë dhe kulturën skuadra e SipiritCraft Albania kërkon të sjellë një frymë të re në tregun e suvenireve.
Dr.Luke
Ky startup po punon për krijimin e një platforme për konsultime mjekësore në distancë, dizenjuar posaçërisht për të mbushur hendekun në qasjen ndaj kujdesit shëndetësor për banorët e zonave të largëta, duke ofruar shërbime telemjekësie. Shërbimi bazë është falas, duke ju kursyer kohë dhe duke siguruar akses të shpejtë te specialistët. Skuadra sipërmarrëse ka formim në mjekësi dhe kanë punuar më parë për kompani amerikane.
KreoSpace
Kreospace vjen me një ide për krijimin e një hapësirë bashkëpunimi inovative e vendosur në hapësira publike (park ose tarracë). Hapësira vjen me një numër të kufizuara vendesh, ku mund të rezervoni vendin tuaj, nëpërmjet aplikacioni kundrejt një tarife. Startupi synon të sjellë hapësira pune, me mjedise frymëzuese dhe pranë natyrës.
Ratt Tech Legal
Ky startup synon të revolucionizojë peizazhin ligjor, duke siguruar inovacion dhe zgjidhje ligjore të aksesueshme. Qëllimi i Ratt Tech është të bëjë ligjin më të aksesueshëm për të gjithë, përmes fuqisë së AI. Gjithëçka do të jetë transparente dhe e përballueshme për klientët.
Psikologu Online
Duke qenë se problemet e shëndetit mendor po prekin gjithmonë e më shumë njerëz në mbarë botën, ky startup sjell idenë e një platforme online që e bën mbështetjen e shëndetit mendor më të aksesueshme, të shpejtë dhe profesionale. Fokusi është kujdesi për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, duke adresuar nevojat dhe sfidat e tyre unike të shëndetit mendor.
Puja Creatives
Puja vjen me idenë e krijimit të produkteve kreative kuptimplota me impakt social dhe mjedisor. Përmes Puja Creatives, synohet të ndërtohet dhe promovohet një lidhje e thellë me vlerat, kulturën, artin dhe historinë teksa nxitet konsumi i vetëdijshëm. Grupet e synuara janë të rinjtë, diaspora, turistët, si dhe të apasionuarit pas artit, historisë dhe kulturës.
Sun Language Center
Sun Language Center, aktualisht një qendër kursesh në Sukth, e cila dëshiron të shtojë shërbime të tjera në dobi të komunitetit ku jeton. Kjo është arsyeja pse synon që qendra e saj të jetë një bazë edhe për programe të tjera edukimi dhe formimi. Qëllimi i Sun Language Center është motivimi i të rinjve dhe bërja e jetës së tyre më të lehtë, duke ndjekur këto kurse, që u mundësojnë punësimin e shpejtë.
TalentsLink
Startupi synon fuqizimin e grave dhe të rinjve përmes mundësive profesionale të rritjes. Nëpërmjet platformës së tyre, TalentsLink.org, arrijnë të përshtasin punëkërkuesit me punëdhënësit, duke përdorur teknologji të avancuar dhe një qasje unike marketingu.
Zahire.al
Zahire.al synon krijimin e një tregu digjital për të kontribuar në ekonomitë e familjes rurale dhe për të ruajtur një traditë të dashur. Një treg online, i cili lidh hendekun midis prodhuesve ruralë dhe blerësve urbanë, duke ruajtur trashëgiminë kulturore dhe duke mbështetur ekonomitë rurale.
Vala
Vala nje kompani, e cila ka investuar në Kuvajt dhe Lindjen e Mesme. Pas disa sukseseve të arritura, tashmë synon të zgjerohet në Shqipëri dhe shtete te tjera në fushën e kujdesit për lëkurën, përmes formave të shitjes B2B dhe B2C.
Ky është viti i tretë që Qendra Kallz, trajnon dhe zhvillon konkursin e startupeve drejtuar nga gra dhe vajza. Deri më tani janë trajnuar mbi 110 startupe.
Mbështetësi kryesor i Women Startup Competition në Tiranë është BERZH Këshilla për Bizneset e Vogla, financuar nga EU – Western Balkans Enterprise Development & Innovation Facility (EDIF)
Pjesë e skuadrës mbështetëse është edhe organizata Women on Boards Albania, Agjencia Shtetërore Startup Albania, Ministria e Sipërmarrjes dhe Klimës së Biznesit Albania Tech dhe Businessmag
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.