Historia shqiptare e lotarisë sportive. Kur u vendos skedina e parë, në shqipëri? - Business Magazine Albania

Historia shqiptare e lotarisë sportive. Kur u vendos skedina e parë, në shqipëri?

Ka qenë 25 prill 1937, ditë e fillimit të Kampionatit të 7-të Kombëtar të Futbollit në Shqipëri, kur papritmas, gazeta “Sporti Shqiptar” nis e organizon çdo javë lotarinë e parashikimit të ndeshjeve. Ky i takon të jetë, si të thuash, një pararendës i Totofutbollit shqiptar. Skedina e parë e tij me rezultate, që janë të javës 1 të Kampionatit të vitit 1937, kanë qenë këto:

SK Tirana – Besa 2-0, Skënderbeu – Durrësi 1-0, Vllaznia – I.Qemali 6-0, Dragoj i Pogradecit – Bashkimi Elbasanas 2-1, Tomori – Bardhyli i Lezhës 0-2.

Fituesi i javës përfitonte vetëm një abonim falas 12-mujor të “Sportit Shqiptar” dhe kaq. Por gjithçka shuhet pa lindur mirë. Interesantja është se Mbasluftës, në vitet ’40, Partia herë mbas here lejonte një si lojë përmes gazetës sportive, të parashikimit të ndeshjeve me lexues, çfarë gazeta kërkonte t’i jipte më tepër pamjen e një aftësie kulturore, njohëse. Ishte thjesht një vazhdim i lotarisë së “Sportit Shqiptar” të vitit 1937. E vërteta ishte, se për gati 20 vjet parashikimi i ndeshjeve u harrua në Shqipëri. Dhe është e çuditëshme se si në fillim të viteve ’60 loja rifillon përsëri, madje kësaj here ka dhe një skedinë të mirëfilltë, që shitet veçan gazetës “Sporti Popullor”. Sot, në arkivin tim kam ruajtur një skedinë të blerë të 7 tetorit 1962, ku si student që isha, siç e shikoni, këtu kam parashikuar ndeshjet, por nuk kam fituar.

Dhe prapë nisma që ka një jetë të shkurtër, çka sidomos mbas vitit 1964, ajo konsiderohet madje, “një lojë borgjeze, çedukuese, antisportive”. Ashtu, siç u quajt edhe në demokraci në vitin 2019. Do të duheshin 30 vjet për të rifilluar: mbërrin skedina shqiptare! Është 11 shkurt 1990. Komisioni Qendror i Konkursit të Parashikimeve të Rezultateve Sportive boton për herë të parë rregulloren e tij.

Duhej të vinte shtatori i vitit 1990 kur BFSSH-ja e famshme, çel atë që e quajti “Konkursi i Parashikimeve Sportive”. Gjithçka nis në të folmen “shqip”. Nuk quhet “skedinë”, por “parashikim”.

Parashikimin e parë e botoj 10 shtator 1990 në gazetën e vetme sportive që drejtoja, ate “Sporti Popullor”. Ajo përmban këto çiftime të Kampionatit Kombëtar:

“Parashikimi Nr. 1 * 9 shtator 1990: Kastrioti – Flamurtari 1-0, 17 Nëntori – Luftëtari 3-1, Labinoti – Apolonia 0-3, Traktori – Tomori 1-1, Lokomotiva – Vllaznia 0-0, Besa – Dinamo 0-0, Partizani – Skenderbeu 2-1, Labinoti – Apolonia (I) 0-1, Traktori – Tomori (I1-0, Lokomotiva – Vllaznia (I) 0-0. Ose ndryshe: 1,1,2, X,X,X, 1,2,2,X”.

Skedina përuruese ka çudinë e madhe, sepse ka në krye të saj Kastriotin e Krujës, i cili merrte pjesë për herë të parë në Kampionatin Kombëtar. Dhe e fillon me fitoren e bujshme 1-0 ndaj Flamurtarit tonë të madh. Sigurisht, gati askush nuk guxonte të parashikonte fitoren e kruetanëve debutues ndaj vlonjatëve të mirënjohur, fitorja e të cilëve e tronditi keqas skedinën e parë të Totofutbollit shqiptar. Kishte 3 “dysha” skedina e parë! Fitues ishin vetëm ata që fitonin nga 10 dhe 9 pikë dhe 50 përqind e shumës së shitjeve iu shpërndaheshin fituesve. Triumfuan dy “kartela”, siç quhen (pra jo “skedina”): ajo me nr. 012603 në Kavajë dhe ajo me nr. 006797 në Gjirokastër. Fituesit morën 51.710 Lek secili! Krejt e pazakontë!

Dhe ja, mbërrin 8 marsi 1991, e në fund të faqes së tretë, si të donim ta fshihnim, kam botuar lajmin sensacional me titullin “Edhe 5 ndeshje nga futbolli i huaj”, në të cilin shkruhej:

Federata Shqiptare e Futbollit i ka kërkuar Federatës Italiane të Futbollit për të futur në kartelat parashikuese çifte ndeshjesh nga kampionati kombëtar i Italisë… Duke filluar nga java 27 e konkursit, kartelat parashikuese përveç 7 çifteve të kampionatit tonë kombëtar të futbollit, do të kenë edhe 5 çifte nga ndeshjet e ekipeve të futbollit italian”. Dhe më poshtë:

“Kam kënaqësinë t’iu konfirmoj, – shkruan në telekstin e tij Sekretari i Përgjithshëm i Komitetit Olimpik Italian (CONI), Mario Pescante, – se mbas miratimit të Federatës Italiane të Futbollit, CONI autorizon futjen në buletinin e Totocalcio-s parashikimet për ekipet italiane të Kampionatit të ‘Serie A’”.

Shihet ndërkaq, se si hyn dhe terminologjia e re në telegramlejen e Pescante-s. Atdheu i Massimo Della Pergola-s i kishte “falur” Shqipërisë pjesë nga skedina e vet! Edhe kjo ishte historike!

Parashikimi ynë nr. 27 ka pra, një skedinë me 7 ndeshje italiane dhe 5 shqiptare. Dhe surprizë! 5 ndeshjet shqiptare ishin nga Kampionati i të Rinjve të Shqipërisë! Duhet të jetë një rast mbarëbotëror: Inter, Milan, Lazio, Juventus, Roma në një skedinë me skuadrat e të rinjve të Shqipërisë! “Tradhtia” Mario Pescantes i ishte bërë pa pikë zori. Vërtet që jemi fantastikë! Ja:

Atalanta – Lazio 4-1 (1), Cesena – Lecce 3-1 (1), Inter – Milan 0-1 (2), Parma – Pisa 2-3 (2), Roma – Juventus 0-1 (2), Sampdoria – Napoli 4-1 (1), Torino – Genoa 5-2 (1), Shkëndia A – Partizani 0-0 (X), Flamurtari – 17 Nëntori 0-1 (2), Traktori – Besëlidhja 2-0 (1), Besa – Skenderbeu 3-1 (1), Apolonia – Lokomotiva 0-1 (2).

Gusht 1991. Pluralizëm. Hapje. Demokraci. Totofutbolli nuk është më lojë borgjeze. Në gazetën “Sporti”, emërtimi i parë i imi për të kaluar mbas pak tek “Sporti Shqiptar” që drejtoja, në faqen e parë të numrit të ditës së 16 gushtit 1991, kemi shpallur ate të cilin e gjysmëshqipërova, duke e quajtur “Totofutboll”. Dëshëronim ta shqipëronim, qoftë edhe pjesërisht, që të mos i thonim “Totocalcio”. Mundëm të thonim vetëm “Totofutboll”. Gati gjithë faqen e parë e zë fillimi i një shkrimi me titull “Ç’dimë për Totokalçion”. Autorët e këtij shkrimi “nismëtar”, janë Kasem Seferi dhe Vjollca Shamku, i pari një protagonist i organizimeve filluese të Totofutbollit shqiptar.

Ajo është një skedinë me 12 çifte ndeshjesh, të gjitha shqiptare, saktësisht të Kupës së Shqipërisë. Për histori duhet fiksuar, sepse ka të bëjë me themelimin e dytë, por të parë me emërtimin puro “Totofutboll”, madje me nr. 1:

Totofutbolli nr. 1:

Vllaznia – Korabi, Partizani – 31 Korriku 2-0, Studenti – Besa 1-1, Shkolla e Bashkuar – Kastrioti 0-1, Tepelena – Selenica 4-1, Butrinti – Delvina 2-0, Përmeti – SK Teuta 4-2, Devolli – Ylli Kuq, Dinamo – Naftëtari, Labinoti – Besëlidhja 1-1.

Siç shihet, tri ndeshje që nuk zhvillohen për mosparaqitje, e detyrojnë FSHF-në të dënojë skuadra, ndërsa skeda quhet e vlefshme me vetëm 9 çifte! Eshtë një pamje që të duket si e një kohe të lashtë. Vështroni emërtimet! “Shkolla e Bashkuar”, “31 Korriku”, “Ylli i Kuq”, “Labinoti”… Skeda ka ndërkaq, një fat vërtet të çuditshëm. Për shkak të mosfunksionimit të linjës telefonike, ka çifte ndeshjesh, rezultatet e të cilëve merren vesh vetëm mbas 24 orëve. “Nuk punon linja!”, kam vënë me dorën time në skedinën e botuar në faqen e parë të “Sportit”.

Në numrin e 23 gushtit 1991 të “Sportit”, jipet dhe komunikata e parë e Totofutbollit Nr. 1 zyrtar të Shqipërisë. Ajo njofton se janë shitur 4141 skedina dhe fitues me 7 pikë ishin 20 kolona që fitojnë secili nga 248 lekë! Ndërkaq, fitues me 6 pikë ishin 283 vetë, të cilët fitonin nga 11.7 lekë secili! A do të vazhdonte më tej me “shqiptarësinë” e tij?

Totofutbolli nr. 3 është tronditja e parë. Më 22 shtator 1991 do të fillonte Kampionati Kombëtar, po ndërkohë në Itali nis Serie A. Dhe Totofutbolli nr. 3 dhe ai nr.4 në Shqipëri, papritmas lëshojnë tokë. Katër çifte të “Serie A” të Italisë zënë vend në skedinën shqiptare.

Po papritmas, njoftohet për daljen në shitje të një skedine vetëm me ndeshje të “Serie A” të Italisë.

Skedina nr. 7, arrin 17.261 skeda të shitura dhe fituesi që parashikon të 12 kahet e ndeshjeve, fiton 20.713 lekë. Ky është dhe rekordi për skedinën shqiptaro-italiane për Totofutbollin e asokohe. Këtu është dhe fundi i shqiptarësisë së skedinës shqiptare. Qysh nga ky çast, nëntor 1991, nuk do të ketë më skedinë me ndeshjet e Shqipërisë çka, e bën Shqipërinë të vetmin vënd në Europë që për gati tri dekada me rradhë nuk guxon të përfshijë në skedë asnjë ndeshje shqiptare!

Nuk ka dyshim se Totofutbolli luajti një rol të rëndësishëm për financimin e sportit shqiptar. Dhe kjo është arritja më e madhe e tij. panorama

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0