10 librat më të shitur në 2023 sipas Bukinist.al - Business Magazine Albania

10 librat më të shitur në 2023 sipas Bukinist.al

Nga Albert Gjoka

Plaforma më e madhe online e librit shqip, Bukinist.al ka listuar top-10 librat më të kërkuar gjatë vitit: Librat e zhvillimit personal, stoikët, romanet e zhanrit mister & thriller dhe librat e booktok-ut kryesojnë listat. Kadare dhe Blushi ndër autorët shqiptarë më të pëlqyer

Tashmë librat e zhvillimit personal, librat e biznesit, fenomeni i book-tokut janë mëse të pranishëm në tregun e librit, duke shfaqur të njëjtat prirje dhe sjellje si edhe në tregjet globale.

Platforma më e madhe online e librit shqip, Bukinist.al ka përzgjedhur 10 titujt më të kërkuar nga lexuesit gjatë vitit 2023. Duke parë listën e më të shiturve, konstaton se librat e motivimit, financave personale dhe vetë-zhvillimit kryesojnë, duke lënë pas zhanret tradicionale si romancat, sagat, biogafitë apo edhe letërsinë klasike.

Prej disa kohësh në tregun tonë libri i Robert Kiyosakit “Babai i pasur, babai i varfër” mbetet në krye të listës, duke dëshmuar qartësisht nevojën e lexuesit dhe të shoqërisë tonë për tu edukuar në fushën e financave personale dhe investimit.

Fenomeni “Co-Ho” vazhdon të mbizotërojë edhe në tregun tonë. Romanet e Colleen Hoover kanë pasur sukses kudo në botë, si edhe në Shqipëri, ndonëse gjatë vitit 2023 ka pasur një rënie të lehtë, sepse janë shfaqur edhe autorë të tjerë që kanë pasur sukses tek lexuesit, sidomos ata që kanë përdorur me efikasitet marketingun e librit në rrjete sociale si Instagram, Tik Tok, Youtube, etj.

Frieda McFadden me romanin “Shërbëtorja”, ardhur në shqip nga Bota Shqiptare ka qenë ylli në ngjitje i vitit, duke u kthyer në një nga librat dhe thrillerat më të kërkuar të momentit nga lexuesit. Edhe librat e tjerë të serisë kanë shënuar suksese në tregjet botërore.

“Alkimisti” i Paulo Coelho-s është kthyer në një klasik modern vazhdimisht të kërkuar në vendin tonë.

Mes klasikëve të motivimit që kërkohet nga lexuesit shqiptarë është edhe libri “Mendo dhe bëhu i pasur” i Napoleon Hill.

Robert Greene ka qenë një autor fenomenal gjatë viteve të fundit; Pas suksesit të jashtëzakonshëm që pati me librin “48 ligjet e pushtetit”, të njëjtin pëlqim ka pasur edhe me libra të tjerë si “Ligjet e natyrës njerëzore” apo “33 strategjitë e luftës”, duke i ardhur në ndihmë lexuesve për të kuptuar botën që na shfaqet, me kundërshtitë, konfliktet dhe dinamikat e pazakonta.

E gjithë bota po kalon momente të vështira. Pandemia, luftërat e shumta na kanë nxitur që të reflektojmë për konfliktet e së kaluarës dhe për mënyrën sesi i adreson sfidat qënia njerëzore. Filozofia stoike mbetet ndër ngushëlluesit më të mirë në ditët tona dhe libri “Meditime” i Marcus Aurelit pëlqehet edhe sot sepse rrit kuptueshmërinë për sfidat që ka kaluar në çdo kohë shoqëria njerëzore.

Saga e shumëpëlqyer “7 motrat” e Lucinda Riley shoi kureshtjen e shumë lexuesve me librin e fundit “Atlasi, historia e Pa Saltit” duke u listuar mes 10 titujve më të kërkuar të vitit.

Letërsia shqipe vazhdon të jetë ende brishtë përballë prurjeve të mëdha dhe suksesit të librit në gjuhë të huaj. Ndonëse mund të flasim për autorët e booktok-ut edhe në letërsinë bashkëkohore shqipe, ende jemi larg mundësisë për të prodhuar bestseller-at shqiptarë. Gjendja e tregut, pafuqia e botuesve dhe librarëve për të përdorur marketingun në mënyrë efektive që të promovojnë autorët apo veprat në gjuhën shqipe, komunitetet e brishta të lexuesve kanë ndikuar që të mos kemi bestseller-a në shqip edhe këtë kohë.

Por, vitin 2023 e kanë mbajtur emrat si Ismail Kadare dhe Ben Blushi, të cilët janë listuar si ndër autorët më të kërkuar. Romani “Pallati i ëndrrave” mbetet i kërkuar jo thjeshtë nga fakti se është pjesë e leximeve në sistemin shkollor dhe universitar, por kjo vepër tashmë ka një përmasë të fortë oruelliane në qartësimin e raporteve të individit me autoritetin.

Edhe romani i Ben Blushit “Komploti” ka shënuar rekorde në shitje. Ndonëse është hedhur në qarkullim në fillim të nëntorit, dhe është botuar njëherësh në Shqipëri dhe Kosovë, ky libër mbetet ndër 10 më të kërkuarit e vitit 2023.

Leximtari

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0