Financimi i Integrimit Evropian është çështja kyçe për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor. Vendet që aspirojnë anëtarësimin në BE hasen me sfida gjatë këtij procesi.
Kompania Impact Assessment Institute ka llogaritur ndikimin që ka zbatimi i objektivave të politikës së BE-së për Marrëveshjen e Gjelbër të BE-së dhe Planin e BE-së për të mposhtur kancerin, me fokus në 2 shtete të Ballkanit Perëndimor, si Kosova dhe Shqipëria. Analiza tregon se Kosova do të humbasë 20% të të ardhurave të të ardhurave të qeverisë, dhe Shqipëria do të humbasë përafërsisht 10 % të të ardhurave të qeverisë.
Rasti i studimit “Ndikimet buxhetore të procesit të integrimit në BE në Ballkanin Perëndimor” vlerëson ndikimet buxhetore afatmesme dhe afatgjata që ka procesi i integrimit në Bashkimin Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor. Studimi fokusohet në objektivat e politikës së BE-së për produktet që importohen dhe që sigurojnë pjesën më të madhe të të ardhurave nga doganat dhe akcizat: lëndët djegëse fosile, makinat dhe cigaret.
Lexo edhe:Çfarë rezervoi “Forumi Vjetor i Profesionistëve të Rinj”?
Bashkimi Evropian ka vendosur objektiva politike specifike në Marrëveshjen e Gjelbër të BE-së dhe në Planin e BE-së për të mposhtur kancerin për vitin 2040: lëndët djegëse fosile duhet të shmangen gradualisht; duhet të kalohet te makinat me emetim zero; dhe njerëzit duhet të lënë duhanin. Përfundimi me sukses i procesit të Integrimit Evropian do të thotë që këto objektiva duhet të përfshihen plotësisht në politikat kombëtare të vendeve që synojnë të anëtarësohen në BE.
Gjetjet e këtij studimi tregojnë implikimet e jashtëzakonshme buxhetore që mund të kenë synimet e politikave të BE-së në të ardhurat e qeverisë. Humbjet në total të parashikuara të të ardhurave për Kosovën janë 20%, dhe për Shqipërinë 10 %. Nëse nuk ndërmerren veprime konkrete, këto humbje të të ardhurave mund të ndikojnë në stabilitetin financiar dhe makroekonomik.
Përveç kësaj, procesi i Integrimit Evropian kërkon investime të konsiderueshme shtesë nga qeveritë, të cilat janë të nevojshme për të zbatuar standardet e BE-së në të gjitha aspektet e shoqërisë dhe ekonomisë. Marrëveshja e Gjelbër e BE-së, digjitalizimi, reforma e sektorit bujqësor, Reforma e Administratës Publike dhe zhvillimi i politikave gjithëpërfshirëse që mbrojnë grupet vulnerabël janë vetëm disa shembuj të politikave që do të kërkonin angazhim dhe investim të konsiderueshëm.
Impact Assessment Institute shprehet qartë se kërkohet veprim i menjëhershëm për të siguruar që humbja e parashikuar e të ardhurave të kompensohet.
Së pari, dhe më e rëndësishme, Kosova dhe Shqipëria duhet të zhvillojnë strategji për të ardhurat afatmesme dhe afatgjata që parashikojnë implikimet buxhetore të procesit të Integrimit Evropian: humbje të të ardhurave, fitime të të ardhurave dhe nevoja për investime.
Të dyja shtetet, Kosova dhe Shqipëria duhet të përfshihen thellësisht në debatet e politikave të Bashkimit Evropian pasi që objektivat e politikave të BE-së janë të detyrueshme për vendet që duan të anëtarësohen në Bashkimin Evropian.
E fundit, dhe sigurisht jo më pak e rëndësishme, rritja ekonomike duhet të jetë në qendër të politikave të qeverisë për të dyja vendet. Kjo rritje është kyçi për financimin e Integrimit Evropian.
Rasti studimor për Kosovën
Rasti studimor për Shqipërinë
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto