Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca prezantuan sot në Tiranë, Portalin e Fermerit, një tjetër produkt i Revolucionit Digjital, që mundëson informacion në kohë reale mbi tregjet, çmimet, analizat ushqimore, skemat aktive të mbështetjes dhe instrumentet e financimit, kujdesin veterinar, ofertën e farmacive bujqësore, tipologjinë e grumbulluesve, mundësitë e tokave me qira, legjislacionin në fuqi e shumë informacione të tjera, duke iu bërë krah fermerit në jetën e tij të përditshme.
Duke marrë fjalën në këtë takim përpara një audience të gjerë fermerësh, prodhuesish të sektorit të bujqësisë, blegtorisë, peshkimit, agropërpunimit dhe aktorëve të tjerë të fushës, ministrja Krifca tha se, “tashmë e kemi kthyer bujqësinë në një kantier të madh që po zhvillohet dita-ditës”.
“Me këtë portal ne i përgjigjemi sfidave të kohës të cilat diktojnë se për t’u rritur është e domosdoshme transparenca dhe krijimi i kushteve për një konkurrencë të drejtë. Pikërisht këto dy parime kemi respektuar teksa ndërtonim protokollet e funksionimit të portalit”, shpjegoi ajo.
Ministrja Krifca renditi disa risi të portalit të cilat i vijnë në ndihmë të gjithë komunitetit rural, duke ua bërë më të lehtë dhe më eficient angazhimin në punët e bujqësisë.
“Janë mbi 40 ekstensionistë në të gjithë vendin, të cilët çdo mëngjes shkojnë në tregjet ushqimore për të mbledhur çmimet ditore të mbi 50 produkteve duke i pasqyruar në faqet e portalit. Njësoj dhe pikat e grumbullimit, më të mëdhatë e disa qarqeve, me anë të moduleve të cilat i kemi ofruar, aksesojnë platformën dhe informojnë mbi çmimet me të cilat i blenë produktet nga fermerët”, tha Krifca.
Në Portalin e Fermerit ka informacion mbi masat e mbështetjes së skemës kombëtare dhe portali i drejton të interesuarit lehtësisht tek faqja e aplikimit. Po aq lehtësisht, aksesohet edhe programin IPARD.
“Për më tepër, vijoi ministrja, për herë të parë keni mundësi të informoheni direkt mbi fondin e garancisë së qeverisë shqiptare dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim sepse keni të afishuar kriteret e fondit si dhe kontaktet direkte të bankave tregtare të cilat e ofrojnë. Në Portalin e fermerit informacioni është arma më e fortë. Do të gjeni gjithçka për analizat laboratorike të tokës, ujit apo produkteve, me vendndodhjen dhe çmimet e shërbimeve. Do të gjeni kontaktet e shërbimeve agronome dhe veterinare për secilin qark për t’i kontaktuar sa herë të keni nevojë. Bashkë me adresat dhe vendndodhjet e farmacive bujqësore, atyre veterinare dhe tregtarëve të inputeve të të gjithë vendit, ndërkohë që lexoni lehtësisht dhe listat e produkteve të mbrojtjes së bimëve dhe të kafshëve të përditësuara. Do të keni po ashtu mundësi të njiheni me të gjitha fidanishtet e Shqipërisë dhe specializimin e tyre, e po ashtu do të mund të aksesoni të gjithë bletërritësit e vendit nga veriu në jug”, tha ministrja Krifca.
Lexo: 90% e bizneseve online dështojnë në vetëm 4 muaj
Në Portalin e Fermerit tashmë ndodhen të gjithë tregjet e shumicës, subjektet përpunuese dhe gjithashtu subjektet grumbulluese.
“Në varësi të vendit, kohës dhe llojit të produktit, jeni vetëm një klik larg tregut, fabrikës apo eksportuesit që dëshironi. Patjetër që nuk mund të mungojnë dhe njësitë e agroturizimit të cilat ju ftojnë të njiheni me tokën dhe ushqimin tradicional e aq të shijshëm të Shqipërisë”, vijoi Krifca.
“Në Portalin e Fermerit mund të aksesoni tokat të cilat janë në pronësi të Ministrisë së Bujqësisë dhe të aksesueshme për t’u marrë me qira, ndërsa vend zë informimi edhe mbi legjislacionin sipas të cilit funksionon bujqësia shqiptare dhe po aty do të mund të informoheni për çdo vendim të ri të Këshillit të Ministrave apo parlamentit”, tha ajo.
Krifca theksoi se, “ky është instrumenti juaj për akses të plotë në të gjithë shërbimin publik dhe privat në bujqësi. Përdoreni këtë portal i cili është i vlefshëm dhe me një app në telefonin tuaj pasi me anë të tij do të mund t’ju njoftojmë në kohë rekord në celularin tuaj mbi rreziqet e mundshme të reshjeve në zonën tuaj, mbi parazitët që kërcënojnë të mbjellat apo mbi çdo praktikë të re prodhimi e cila do të rriste cilësinë e produktit tuaj”.
Kjo, theksoi Krifca, sepse portali do të ndihmohet dhe nga informacionet që vijnë nga satelitët shqiptarë në hapësirë.
“Kjo ështe një punë e ngritur me kujdes të cilën ne do të vijojmë ta azhornojmë. Është e rëndësishme që të angazhoheni në këtë nismë që përfaqëson të ardhmen e bujqësisë shqiptare jo vetëm për t’u informuar, por dhe për të na këshilluar se si mund ta përmirësojmë akoma më shumë. Jemi të bindur se jemi krah jush dhe jemi në shinat e duhura për zhvillimin e këtij sektori”, tha ministrja Krifca.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.