Pse duhet të merrni 3 vendime në ditë? - Business Magazine Albania

Pse duhet të merrni 3 vendime në ditë?

Ju ndoshta ndiheni sikur merrni me dhjetëra vendime çdo ditë, qofshin këto në lidhje me paratë, me përshpejtimin e dërgesës së një porosie, dërgimin e një email-i, diskutimin e sjelljeve të pahijshme të punonjësve dhe, padyshim, në lidhje me gjërat personale.

Pothuajse çdo gjë që ne “vendosim”, e ka tashmë një përgjigje. Nuk mund të arrini dot datën e dorëzimit të një porosie? Përshpejtoni transportin. Duhet të siguroheni që diçka është e qartë? Dërgoni një email. Dëshironi të ndërtoni një ekip më të mirë? Adresoni sjelljet e pahijshme të punonjësve, pasi problemet e sjelljes pothuajse kurrë nuk zgjidhen vetë.

E njëjta gjë vlen edhe për vendimet personale. Nëntë minutat e gjumit më tepër që bëni pasi shtypni butonin “Snooze” në telefonin tuaj nuk shërbejnë për të rikuperuar energjitë tuaja; është më mirë që thjesht ta vendosni alarmin për nëntë minuta më vonë.

Kjo është bukuria e proceseve dhe e rutinave. Rregullat nuk janë kufizuese. Rregullat janë çliruese, sepse ato ju çlirojnë nga detyrimi për të marrë vendime. Me kalimin e kohës, këto veprime bëhen zakone. Dalëngadalë, ju nuk keni më nevojë që të merrni një vendim, sepse zakonet vijnë natyrshëm (ato të mira dhe të këqija, natyrisht). Pra, çfarë ndodh kur i eliminoni të gjitha detajet e parëndësishme kur merrni një vendim dhe fokusoheni vetëm tek elementet me rëndësi?

Tre vendime të mëdha

Siç thotë Jeff Bezos, njerëzit nuk paguhen për të marrë mijëra vendime çdo ditë. Ata paguhen për të marrë një numër të vogël vendimesh, por që kanë një cilësi të lartë.

Ju duhet të mendoni për dy ose tre vitet që do të vijnë në çdo vendim që merrni, dhe nëse e bëni këtë, atëherë pse duhet të ndërmerrni njëqind vendime sot? Tre vendime të mira në ditë janë më se të mjaftueshme, por ato duhet të jenë cilësore.

Warren Buffett thotë se ai ndihet mirë nëse merr vetëm tre vendime të mira në vit.

Është e qartë se ka një ndryshim shumë të madh midis marrjes së tre vendimeve të mira në ditë dhe tre vendimeve të mira në vit, dhe ky ndryshim është i lehtë për t’u shpjeguar.

Nisja e një biznesi të ri, si fillimi i çdo gjëje nga zero, kërkon marrjen e vendimeve që mund të duken si të panumërta. Infrastruktura, marka, strategjitë e çmimeve, strategjitë e marketingut  gjithçka duhet vendosur nga fillimi. Është e pamundur, siç thotë Bezos, që të “punosh në të ardhmen” kur akoma nuk ke kuptuar të tashmen.

Por, ju e keni marrë një vendim, nuk ju duhet më që të vendosni. Nëse nuk ka prova se ai vendim është i gabuar dhe duhet të rishikohet, atëherë gjithçka që ju mbetet për të bërë është që të veproni. Me kalimin e kohës, numri i vendimeve që do t’ju duhet të merrni në ditë do të bjerë me shpejtësi.

Kjo do të thotë se ju mund ta përqendroni të gjithë energjinë tuaj për marrjen e vendimeve strategjike, jo taktike. Ju duhet të përqendroheni në marrjen e vendimeve që përcaktojnë kursin për muajt, apo edhe për vitet e ardhshme. Për shembull, për të filluar një biznes, apo jo; për të nisur një linjë të re produktesh, apo jo; për të hapur një dyqan të ri për biznesin tuaj, apo jo; për ta orientuar jetën tuaj  shëndetin, arsimin, marrëdhëniet, në një drejtim të ri, apo jo.

Marrja e më pak “vendimeve” ju mundëson që të mendoni për ato gjëra të cilat do të bëjnë ndryshimin e madh në jetën tuaj profesionale dhe personale.

Nëse mendoni për “vendimet” në këtë mënyrë, atëherë ju realisht nuk do të keni nevojë të merrni më shumë se tre vendime të mira në vit.

Sidomos nëse ato vendime ju ndihmojnë për t’u bërë personi që dëshironi të jeni, ose për të ndërtuar jetën që dëshironi të jetoni.  INC

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

See more
Follow us
0