Shqipëria merr në Janar drejtimin e Presidencës së Komitetit të Energjisë për vitin 2023. Duke folur nga Vjena ku morri pjesë në takimin e fundit të këtij komiteti, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Energjisë, Belinda Balluku theksoi se marrja e këtij mandati përbën një sfidë të madhe për Shqipërinë, sidomos në këto kohë të vështira që po kalon Europa, dhe jo vetëm, sa i përket energjisë.
“Me shume krenari e marrim këtë post dhe do të bëjmë më të mirën tonë për të nxitur bashkëpunimin rajonal që është çelësi i suksesit për të gjithë palët dhe për të nxitur plotësimin e të gjitha kërkesave dhe direktivave të BE-së për energjinë”.
Komisionerja Europiane për Energjinë Kadri Simson në fjalën e saj konfirmoi se Bashkimi Europian do të akordojë 1 miliard Euro mbështetje për fushën e energjisë për Ballkanin Perëndimor.
“Këtë vit kemi lajmëruar një paketë financiare mbështetëse për përballimin e krizës së energjisë, 500 milionë euro për përballimin e rritjes së çmimeve dhe 500 milionë Euro për diversifikimin e burimeve të energjisë”.
Ministrja Balluku nga ana e saj sqaroi se Shqipëria krahas 80 milionë Eurove që do t’i përdorë për paketën e solidaritetit për konsumatorët familjar dhe biznesin e vogël, do të konkurrojë edhe për fondin e diversifikimit të burimeve energjetike.
“Kjo mbështetje prej 80 milionë Euro do të jetë për të vazhduar këtë paketë solidariteti për konsumatorët familjarë dhe biznesin e vogël. Nga ana tjetër në paketën e dytë prej 500 milionë, Shqipëria do të konkurrojmë me tre projekte që janë shumë të rëndësishme dhe për më tepër janë të bazuar te eficenca e energjisë”.
Takimi i Komitetit që u mbajt në Vjenë shënon fundin e presidencës së mbajtur nga Ukraina.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.