Në finalen e WSC, mbërrijnë edhe startupe shqiptare nga Europa - Business Magazine Albania

Në finalen e WSC, mbërrijnë edhe startupe shqiptare nga Europa

finalen e WSC

U zhvillua për herë të parë në Shqipëri Women Startup Competition. Pas një programi trajnimi dhe inkubimi, ku u përfshinë 30 sipërmarrëse, me 5 Nëntor u mbajt finalja e WSC Albania. 10 finaliste prezantuan idetë e tyre të biznesit para jurisë dhe përfaqësuesve të biznesit.

Idea fituese, e cila shkon automatikisht në finalen europiane në Dhjetor është “Praktika.al”, drejtuar nga Albina Bardhi. Ajo fitoi një program mentorimi për 6 muaj dhe një çmim prej 1000 euro.

Çmimi i dytë iu dha Alba Hoxhës me startupin “Receta Ime”. Alba fiton një coworking space nga organizatorët për 6 muaj, për dy persona.

“AD Ballkan”, me fokus rivitalizimin e fshatrave përmes zhvillimit të turizmit, u vlerësua me çmimin e tretë, duke fituar mbështetje në një paketë PR &Marketing.

Albana Muçaj, drejtuesja e këtij programi për Shqipërinë, theksoi se, “nuk ishte çmimi i parë, rezultati final i Women Startup Competition në Shqipëri. Ishte ardhja në shtëpi/në Shqipëri e shumë ekspertëve dhe startupeve shqiptare nëpër botë. Pjesë e programit u bë një skuadër të rinjsh shqiptarë nga Italia, me një startup në fushën e sigurisë. Një startup me fokus turizmin u prezantua nga një skuadër të rinjsh shqiptarë që studiojnë e jetojnë në Austri.

Ekspertët, po ashtu, si në juri edhe në procesin e mentorimit vinin nga vende si, Gjermania, Hungaria, Spanja, Austria dhe SHBA”.

Ishte dashuria e njerëzve me impenjime të mëdha për kontribut në shoqëri, që bëri të mundur të jepej kohë, vlerësime dhe këshilla për vajza ambicioze dhe të vendosura në sipërmarrje të mëdha.

Mbrëmja finale shkoi përtej çmimeve të parashikuara, pasi pati edhe çmime surprizë nga juria për disa prej startupeve të tjera. Nënkryetarja e Dhomës së Diasporës, Elisabeta Katiaj, ofroi mbështetjen për realizimin e platformës së prezantuar nga Endiza Dema, lidhur me informimin dhe mbështetjen e personave me Sklerozë Multiple.

Nevila Dudaj, ofroi një program mentorimi për startupin shqiptar që ka lindur në Austri, “GuidHero”.

Tamas Muller, CEO i Women Startup Competition, tha në fjalën e tij gjatë eventit se, “të gjitha startupet finaliste janë ambicioze. Disa prej tyre kanë nevojë për një orientim më të mirë drejt tregut dhe ne si WSC do t’i mbështesim me konsulencë”.

Në eventin e organizuar në Hotel Adriatik, Durrës, morën pjesë mbi 50 të ftuar nga ekosistemi i startupeve, trajnerë dhe sipërmarrës.

Juria përbëhej nga Kryetari i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, Eduard Shalsi, Menaxheri i Projektit Aftësi për Punë i programit zviceran Swisscontact, Fation Dragoshi, Nënkryetarja e Dhomës së Diasporës, Elisabeta Katiaj, Zëvendëspresidenti për Planifikimin dhe Strategjinë Mobile të Deutsche Telekom, Driton Emini, Përfaqësuesja e Departamentit të PR në One Telecommunications dhe Albtelecom, Sibel Pipa, si dhe Menaxherja e Përgjithshme e Hotel Adriatik, Nevila Dudaj.

Në një program mbi një muaj u mentoruan rreth 30 biznese startup të drejtuara nga gra dhe vajza. Ato morën mbështetje në konsolidimin e idesë, zhvillimin e digjitalizimit, prezantimin në kohë, këshilla praktike biznesi dhe si të zhvillojnë marketingun në fazën startup. Mentorët e përfshirë në program ishin ekspertë dhe sipërmarrës, si Landa Grembi, Arbresha Talla, Silvana Kulla, Marjana Murrja dhe Gerti Boshnjaku.

Gjatë programit të trajnimeve dhe eventit final, startupet u njohën me mundësitë e mbështetjes financiare dhe hapësirat e shtrirjes së rrjetëzimit të tyre edhe në tregje të tjera. Një prej tyre, e prezantuar nga ekspertët e Dhomës Ekonomike të Gruas ishte edhe Entreprise Europe Network.

 

Ky program është pjesë e inkubatorit të qendres Kallz, drejtuar nga Albana Mucaj, certifikuar dhe mbështetur nga Ministria e Sipërmarrjes në fazën e parë të granteve për startup dhe inkubatorë.

Ndërkohë, çmimi fitues dhe disa programe mentorimi u mbështetën nga kompania e telefonisë One Telecomunications dhe Albtelecom.

 

 

 

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0