8-mujori i këtij vitit ka rezultuar mjaft pozitiv për turizmin që duket se ka rekuperuar goditjet e pandemisë. Sipas Institutit të Statistikave, më shumë se 5.6 milionë shtetas të huaj kanë hyrë në vend nga janari deri në fund të gushtit, duke tejkaluar kështu jo vetëm vitin e kaluar, por edhe vitin e cilësuar si më të mirë deri më tani, atë të 2019.
Në raport me vitin 2019, përgjatë këtij 8-mujori kanë hyrë në vend 800 mijë vizitorë më shumë. Ndërsa vetëm në Gusht, në pikun e sezonit turistik vendin e kanë vizituar mbi 1.7 milionë turistë, aq sa ishte totali i 8-mujorit 2020 kur vendet ishin nën masat kufizuese të pandemisë.
Prej korrikut Instat ka ndryshuar mënyrën e raportimit duke mos listuar më vendet nga të cilat vijnë shtetasit e huaj në Shqipëri, por konstaton se përgjatë janar-gushtit numri i vizitorëve nga Spanja është katërfishuar, ndërsa janë rritur me gati dyfish edhe ato nga Greqia krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit që lamë pas.
Lexo edhe: Turistët rekord shpenzimesh në Shqipëri 6 mujorin e parë
Megjithatë, referuar edhe raportimeve të mëhershme, peshën kryesore vijon ta mbajë turizmi shqipfolës me vizitorët nga Kosova.
Pjesa më e madhe e turistëve të hyrë në vend kanë ardhur përmes rrugëve tokësore, ndjekur nga udhëtimet përmes ajrit ku nga pikat ajrore numri i tyre është rritur me gati 90% krahasuar me 8-mujorin e vitit të kaluar, edhe si rrjedhojë e lehtësimit të masave anticovid nga shtetet e huaja.
Kjo duket se ka ndikuar ndjeshëm edhe në daljet e shqiptarëve jashtë kufijve pasi shifrat tregojnë për një lëvizje masive me 3.8 milionë shtetas shqiptarë që kanë udhëtuar jashtë vendit nga fillimi i vitit deri në fund të gushti, rreth 1 milionë më shumë dalje se kundrejt një viti më parë.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.