Shifrat e fundit të strukturave akomoduese të publikuara nga INSTAT për muajin Qershor tregojnë tendencë në rritje të numrit të pushuesve, por edhe rritjen e netëve të qëndrimit.
Në muajin Qershor 2022, numri i vizitorëve gjithsej është rritur me 25,5 %, në krahasim me Qershor 2021. Më e ngadaltë është rritja e numrit të vizitorëve rezident, me 15,2 %; ndërsa numri i vizitorëve jo-rezident është rritur me 34 %.
Sipas të dhënave të INSTAT numri i vizitorëve rezident të cilët janë akomoduar në Rajonin Qendër ka shënuar rritjen prej 30 %. Në zonat jo-bregdetare ky tregues është rritur me 51,8 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.
Ndërkohë që numri i vizitorëve të cilët janë akomoduar në “Hapësirat për kampingje, çadra ose rulota argëtimi” ka shënuar rritjen më të lartë prej 2,7 herë. Numri më i lartë i turistëve të huaj, është nga Kosova, të cilët përbëjnë 16,7 % të pushuesve të huaj, më pas janë polakët me 7,1 %, turistët nga Itali me 5.2%, shtetasit nga Gjermania përbëjnë 4,8 %, ata nga Anglia me 2,6 %.
Tendencë në rritje kanë edhe netët e qëndrimeve, të cilat janë rritur gjithsej me 37,9 %, në krahasim me Qershor e vitit të shkuar. Në publikimin e INSTAT përcaktohet se numri i net-qëndrimeve nga rezident është rritur me 12,2 %, por netët e qëndrimeve nga të huajt kanë rritjen më të ndjeshme prej 54,5 %. Norma e shfrytëzimit të shtretërve të “Hoteleve dhe akomodimeve të ngjashme” është 23,2 %, kundrejt 18,2 % që ishte në muajin Qershor 2021.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto