START-UP-ET NË VERI/  ANGLE AGENCY BASHKËPUNON ME VIZION OJF - Business Magazine Albania

START-UP-ET NË VERI/  ANGLE AGENCY BASHKËPUNON ME VIZION OJF

Implementuar nga Vizion OJF i aktivistes Suela Koçibellinj (eksperte në menaxhimin e projekteve dhe me përvoja formuese në Austri e SHBA, vepron prej 12 vjetësh në fushën e të drejtave e edukimit), RINIS (Regional Initiatives of North-Albania Innovative Start-ups) mbërriti sivjet në edicionin e dytë. Ai do të përmbyllet në Tiranë në 21 qershor. Pjesëmarrësit janë të moshës 18-35 vjeç. RINIS përbën një projekt me fokus zhvillimin e turizmit, agroturizmit, produkteve tradicionale e mbi të gjitha ideve inovative që çojnë në krijimin e sipërmarrjeve të reja në Shqipërinë e Veriut. Qëllimet finale të nismës janë: përmirësimi i njohurive e aftësive sipërmarrëse, ndihma në përpilimin e planeve të biznesit dhe ndihma financiare për 3 ide sipërmarrëse në mbyllje të projektit.

Në përpilimin metodologjik të të dhënave zyrtare nga INSTAT, në Shqipërinë e Veriut përfshihen qarqet Durrës, Shkodër, Lezhë, Dibër, Kukës. PBB në këtë zonë po rritet në dekadën e fundit mesatarisht me 2% në vit dhe në 2018-n aty shënohej një PBB për frymë prej 462 mijë lekësh. Të punësuarit në sektorin privat jobujqësor në 2016-n ishin 83.445 në 5 qarqet. Në 2020-n bashkitë Mirditë, Dibër e Mat – ku vjet u implementua faza e parë e projektit – numëronin 3.215 sipërmarrje aktive. Të dhënat evidentojnë nevojën e një qasjeje më proaktive ndaj zhvillimit të gjithë zonës, që kalon fort edhe përmes trajnimit të praktikave të e-commerce, të cilat (siç theksohet në një plan ekonomik e investimesh për Ballkanin Perëndimor hartuar nga Komisioni Evropian) “mund të kenë një pasojë pozitive domethënëse nëse zhvillohen në kontekstin e një Tregu Rajonal të Përbashkët” në Gadishull.

Në vazhdën e takimeve online me mentorë të huaj e shqiptarë spikasin ato me profesionisten e marketingut Ermelinda Hajdari, menaxhere e përgjithshme e agjencisë së konsulencës ndaj klientelës AngLe Agency, që ka selinë fiskale në Belgjikë. Bashkëpunimi mes Vizion OJF e AngLe nisi në 2019-n me një fushatë mbledhjeje fondesh për të prekurit nga tërrmeti që goditi atëherë Shqipërinë. Hajdari ka trajnuar pjesëmarrësit e RINIS në të dyja edicionet me fokus marketingun e branding-un, duke u bazuar në përçimin e mesazhit se thelbi i suksesit në këto veprimtari janë 7 praktika bazë: identiteti, jetëgjatësia, produktimi, komunikimi, partneriteti, sistemet e diferencimi. Duke u nisur prej një identiteti të qartë (që konsiston fort në etapat e ndërlidhura të sjelljes, gjuhës, kulturës, dizenjimit material të “brand”-it, misionit e vizionit sipërmarrës), jetëgjatësia në një mjedis marketingu të qendrueshëm sigurohet prej promovimit të produktesh e praktikash shoqërisht të përgjegjshme. Hajdari përçoi tek të trajnuarit mesazhin se bizneset mund të përdorin marketingun e qendrueshëm për produkte specifike ose si argumentim ekskluziv shitjeje (USP). Në këtë rast të dytë zbatohet një teori mbi funksionimin e reklamave formuluar nga Rosser Reeves dhe e cila gjen zbatim përtej ekonomisë. Qëllimi final i kësaj faze është krijimi i ndërlidhjeve, ndihmuar nga një metodë komunikimi që përçon mesazhe për të cilat publiku është në kërkim dhe të cilat sipërmarrësi duhet t’i shfrytëzojë si “input”-e të patjetërsueshme. Partneriteti përfshin vëmendje ndaj kanaleve të marrëveshjeve të biznesit dhe shpërndarjes, e cila çon tek shitjet për konsumatorin final.

Lexo: Ndryshon sërish skema e tatimeve. Kësaj here preket pragu i bazës së tatueshme

Trajnimet kanë nxitur pjesëmarrësit të formulojnë ide interesante biznesi në turizmin malor, artizanat (si Creativity Zone by Stela në Shkodër) – ku përfshihen edhe qendisja e punimet në dru -, arsim, inovacion përmes një aplikacioni për lëvizjen, krijimi i një uebsajti që promovon Dibrën, prodhime nga bleta dhe produkte kozmetike të prodhuara në kushte artizanale.

Në nismat e Vizion OJF për Veriun hyn edhe Qendra e Praktikës Profesionale në Rrëshen, me synim ofrimin e mundësive praktike për të rinjtë për përvoja e punësim.

Presidentja e Vizion OJF Koçibellinj sintetizon për ne panoramikën e nismës RINIS: “Megjithëse në nivel lokal po punohet për të ofruar më shumë mundësi për të rinjtë kryesisht në edukim, problematikat politiko-sociale mbeten të mëdha, fakt që ndikon në uljen e motivimit të të rinjve për të qendruar në zonë. Gjithsesi Vizion OJF ka një bashkëpunim të mirë me bashkitë dhe sëbashku po mundohemi të ngrejmë mekanizma funksionale për të rritur mundësitë për fuqizim social-ekonomik bazuar në burimet lokale ofruar nga zonat”.

 

Gjergji Kajana

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0