Banka Qendrore e Amerikës pritet të rrisë me 0.25% normat e interesit. Kjo lëvizje vjen në momentin kur inflacioni në Amerikë arriti në nivelin më të lartë në 40 vite, në muajin shkurt, me çmimet e ushqimeve dhe energjisë në nivele rekord.
Jerome Powell, Guvernator i Bankës Qendrore Amerikane, prej muajsh po jepte sinjale në këtë drejtim. Rritja e normave të interesit është një politikë e vështirë ekonomike. Nga njëri krah, ajo e bën më të kushtueshme për të marrë para, duke rritur normat e interesit për kartat e kreditit, kreditë konsumatore deri tek ato hipotekore. Por, në një ekonomi të shëndetshme indikatori më me rëndësi është: stabiliteti i çmimeve. Pikërisht kjo është balanca “e artë” që kërkon guvernatori amerikan, çmime të qëndrueshme dhe rritje ekonomike.
Rritja e normave të interesit mund të ulë kërkesën e tepërt nga konsumatorët, në kushtet kur oferta e produkteve dhe zinxhirët e furnizimit janë në një pikë shumë të dobët pas pandemisë.
Kur interesat rriten, ekonomia frenon zhvillimin e saj, por ekonomistët amerikanë po shpresojnë që frenimi të jetë i qëndrueshëm dhe treguesit kryesorë, si punësimi apo rritja ekonomike të mos dëmtohen. Historia ka treguar që kjo lëvizje është e vetmja që i shpëton ekonomitë nga normat e larta të inflacionit apo rritja e çmimeve.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto