Edhe pse parashikohej se rritja e çmimeve do të stabilizohej gjatë fillimit të 2022-it, projeksionet kanë ndryshuar sipas Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë dhe çmimet do vijojnë të qëndrojnë të larta deri në gjashtëmujorin e parë të vitit.
“Norma e inflacionit pritet të mbetet mbi objektivin tonë prej 3% gjatë vitit aktual, si pasojë e çmimeve të larta në tregjet ndërkombëtare. Këto goditje kanë rezultuar më të forta dhe të qëndrueshme se vlerësimet tona fillestare.
Megjithatë, kjo goditje pritet të ketë efekte të përkohshme. Analizat tona dhe të institucioneve ndërkombëtare sugjerojnë se tregjet do të normalizohen gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti dhe se efekti i goditjeve të huaja në inflacionin shqiptar do të vijë në rënie.”
Lexo edhe: Banka e Shqipërisë mban të pandryshuar normën bazë të interesit
Edhe pse inflacioni është rritur përtej objektivit, Guvernatori Sejko u shpreh se normat e interesit nuk do të ndryshojnë:
“Në gjykimin e Këshillit, niveli aktual i stimulit monetar i shërben respektimit të objektivit tonë të inflacionit, ndihmon rimëkëmbjen e mëtejshme të ekonomisë shqiptare, si dhe ruan një balancë të drejtë midis rreziqeve që çmimet e larta në tregjet ndërkombëtare mund të kenë mbi nivelin e çmimeve dhe aktivitetit ekonomik në vend.”
Guvernatori Sejko u shpreh se kreditimi, punësimi dhe rritja ekonomike mbeten të gjitha në trend pozitiv, por rritja e fortë e çmimeve dhe pandemia sipas tij janë rreziqe që mund të ndalojnë procesin e rimëkëmbjes së vendit.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.