Kosova në luftë me prodhimin e kriptomonedhave. Shkak kriza energjetike - Business Magazine Albania

Kosova në luftë me prodhimin e kriptomonedhave. Shkak kriza energjetike

kriptomonedhave

Kosova ka ndaluar prodhimin e kriptovalutave për shkak të krizës energjetike. Sipas Qeverisë së Kosovës, veprimtaria me Bitcoin dhe kriptomonedha të tjera shpenzon shumë energji elektrike. Kjo ngjarje është bërë lajm edhe në mediat botërore. Kuvendi është duke përgatitur një ligj, i cili do t’i përcaktojë rregullat e përdorimit të parave digjitale.

Viti 2022 nuk ka nisur mirë për qytetarët që merren me prodhimin e kriptovalutave.

Qeveria e Kosovës në fillim të këtij muaji (më 4 janar) ka marrë vendim që të ndalojë prodhimin e tyre, pasi dyshohet se pajisjet me të cilat prodhohen ato, shkaktojnë konsum të lartë të energjisë elektrike.

“Të gjitha agjencitë ligjzbatuese do të ndalojnë prodhimin e këtij aktiviteti në bashkëpunim me institucionet e tjera relevante që do të identifikojnë lokacionet ku ka prodhim të kriptovalutave”, tha në një deklaratë ministrja e Ekonomisë dhe Energjetikës, Artane Rizvanolli.

Ministrja Rizvanolli ka bërë të ditur se institucionet e rendit do të ndalojnë prodhimin e tyre. “Këto obligime kanë për qëllim trajtimin e çfarëdo mungese të papritur ose afatgjatë të kapacitetit prodhues energjetik, kapacitetit të transmetimit apo të shpërndarjes së energjisë në mënyrë që të tejkalojmë krizën e energjisë pa rënduar më tej qytetarët e Kosovës”.

Ky vendim nuk është pritur dhe aq mirë nga ata të cilët që një kohë merren me këtë veprimtari. Eksperti i kriptovalutave Trimor Hyseni, nga T-Logic, ka thënë se shumë të rinj kanë shitur shtëpitë dhe tokat për të blerë pajisjet për prodhimin e tyre.

“Padyshim që shumë familje varen nga të ardhurat e tyre që vijnë nga mining. Ne njohim shumë të rinj, të ardhurat e të cilëve varen nga kjo veprimtari. Shumë nga ta kanë shitur shtëpitë dhe tokat për ta pasur një pajisje të mining, që atyre t’ua mundësojë një siguri financiare gjatë një muaji”.

Edhe Milot Mehmeti,  ekspert i kriptovalutave ka thënë se një vendim i tillë ka prekur mijëra familje kosovare që kriptovalutat i kanë si burim të të ardhurave. “Mendoj që vendimi është i shpejtë dhe i gabuar. Arsyeja është që nuk e kanë bërë një studim më të thellë, një analizë se sa prodhues të kriptovalutave dhe sa prodhohen kriptovalutat dhe çfarë po prekin në njëfarë mënyre”.

Kosova aktualisht po përballet me krizën më të rëndë të energjisë në një dekadë për shkak të ndërprerjeve të prodhimit.

Në dhjetor, Kosova shpalli gjendjen e jashtëzakonshme për 60 ditë, e cila do t’i lejojë qeverisë të ndajë më shumë para për importet e energjisë, të prezantojë më shumë ndërprerje të energjisë dhe masa më të ashpra.

Lexoni: Ndalohet prodhimi i kriptomonedhave në Kosovë! Ministrja e Ekonomisë: Të tejkalojmë krizën energjitike

Shteti pa qasje në veri të Kosovës

Shfrytëzimi i monedhave ka qenë në rritje në veri të Kosovës, kryesisht të populluar nga serbë që nuk e njohin shtetin e Kosovës dhe refuzojnë të paguajnë energjinë elektrike.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut të Kosovës, Besim Hoti, ka treguar se vendimi i Qeverisë për ndalimin e prodhimit të kriptovalutave vlen për të gjithë personat juridikë dhe fizikë.

“Kemi dashur të iniciojmë raste edhe më herët. Këtë e kemi kërkuar nga Prokuroria. Kemi kërkuar që të iniciohen rastet, nëse për asgjë tjetër, për të përmirësuar furnizimin me energji elektrike. Por, nuk kishte asnjë bazë ligjore për këtë. Vendimi tani ndryshon situatën. Unë besoj se opinioni tani ka informacion për këtë dhe do të shohim se si do të veprojmë për këtë”.

Sipas tij, deri më tani prodhimi i kriptovalutave nuk ka qenë vepër penale, pasi nuk është paraparë me ligj.

Një person, i cili ka folur  në kushte anonimiteti dhe që ka 40 GPU (Njësitë e Përpunimit Grafik), i ka treguar Reuters se ai po paguante rreth 170 euro në muaj për energjinë elektrike dhe po merr rreth 2,400 euro në muaj fitim nga minierat.

Ende nuk ka të dhëna zyrtare se sa është numri i pajisjeve që prodhojnë kriptovaluta në Kosovë dhe sa shpenzojnë energji elektrike këto pajisje.

Zëdhënësi i Kompanisë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS), Viktor Buzhala, ka treguar se kjo kompani e ka të pamundur të identifikojë lokacionet ku prodhohen kriptovalutat, e aq më pak në veri të Kosovës.

“Identifikimi i lokacioneve ku prodhohen kriptovaluta, nuk është kompetencë e KEDS-it. Dihet që nuk e furnizojmë veriun dhe nuk kemi qasje atje, e kemi të pamundur”.

Për shkak të kompleksitetit të shpenzimit të energjisë nga pajisjet për prodhimin e kriptovalutave, Buzhala thotë se e kanë të pamundur ta dinë se sa energji shpenzojnë ato.

“E dimë që janë shpenzues relativisht të mëdhenj [të energjisë elektrike] pasi që bëhet fjalë për angazhim të madh të energjisë, por nuk e dimë sa pajisje janë në treg, cilat janë lokacionet tyre, a punojnë gjatë gjithë kohës, çfarë kapaciteti shpenzues kanë ato”.

Që prej vitit 1999, furnizimi me energji elektrike në pjesën veriore të Kosovës është problem. Që nga ajo kohë, qytetarët e Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit nuk paguajnë për energjinë e shpenzuar.

Rreth 10 milionë euro investime në kriptoasete

Zëvendësguvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Sokol Havolli ka thënë se në pesë vjetët e fundit rreth 10 milionë euro janë investuar nga Kosova përmes sistemit financiar nëpërmjet platformave të ndryshme në kriptovaluta.

Havolli, ka thënë se në BQK nuk i njohin ato si kriptovaluta por si kriptoasete. Ai ka treguar për paralajmërimet që BQK-ja u bën gjithë qytetarëve për investimet në kriptoasete.

“Ka argumente të mjaftueshme që deri tash kriptoasetet, përdoren në masë të madhe për aktivitete që mund të jenë në zonën e hirtë të ekonomisë. Ekzistojnë mekanizma që mund ta zhvendosin këtë në terren të pastër, që siguron se çdo transaksion është legjitim. Sa i përket realizimeve përmes sistemit financiar. Rishtazi kemi kërkuar raport nga bankat për 5 vjetët e fundit sa i përket blerjes së kriptoaseteve. Kemi vërejtur se rreth 10 milionë euro në 5 vjetët e fundit janë investuar nga Kosova përmes sistemit financiar, nëpërmjet platformave të ndryshme të këmbimit. Pra nga llogaria bankare nëpërmjet platformave të ndryshme të këmbimit të kriptoaseteve. E afro 2 milionë euro janë kthyer, qoftë ato shitje, fitim, apo dikush edhe ka nxjerrë para me humbje”.

Havolli po ashtu ka thënë se është normale që duhet paguar tatim për fitimet e arritura nga kriptovalutat. Ai ka thënë se ka duhet të bëhen të qarta procedurat që të mbrohet përfundimisht sistemin ekonomik, përfshirë ai financiar në vend, qoftë nga rreziku i shpëlarjes së parave.

Administrata Tatimore e Kosovës ka njoftuar se “do të marrë masa ndaj personave që nuk i deklarojnë këto të ardhura”.

“Me fokus të veçantë, ATK-ja do të përqendrohet në identifikimin dhe trajtimin e personave, të cilët krijojnë të ardhura nga kriptovalutat”, ishte thënë në njoftimin e  ATK-së.

Kosova në gjendje emergjente për energjinë 

Me 57 vota për, asnjë kundër dhe 17 abstenime deputetët e Kuvendit të Kosovës  në dhjetor të vitit të kaluar, kanë votuar vendimin e Qeverisë për shpalljen e gjendjes emergjente me energji elektrike.

Qeveria e Kosovës gjatë mbledhjes së 51-të ka marr vendim që ta shpallë emergjente gjendjen energjetike, e cila do të vlejë për 60 ditë.

Sipas dokumentit të publikuar nga Zyra e Kryeministrit, masat emergjente në furnizim me energji përfshijnë vendosjen e kufizimeve në furnizim me energji për konsumatorët dhe vendosjen e obligimeve të veçanta për ndërmarrjet e energjisë.

Përmes këtij vendimi është vendosur edhe për themelimin e Komitetit Teknik Emergjent në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë – ky Komitet do të përbëhet nga një përfaqësues i Ministrisë së Ekonomisë, një nga ZRRE, një nga KOSTT, një nga KEK-u, një nga KEDS, një nga KESCO, një nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, një përfaqësuese nga MPB-ja, një nga Komisioni për Miniera dhe Minerale dhe një anëtarë nga Autoriteti Kosovar i Konkurrencës.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli gjatë diskutimit ka thënë se miratimi i këtij vendimi, nuk do të thotë se masat do të vendosen menjëherë.

“Një shpallje e tillë nuk do të thotë marrja e masave të menjëhershme, por do të thotë marrje e masave për furnizim për konsumatorët. Miratimi i këtij vendimi do të thotë zbatim i menjëhershëm i masave. Propozimi i kësaj do të thotë vendosja e masave na afat për 60 ditë nga hyrja në fuqi, mirëpo Kuvendi mund ta vazhdoj këtë situatë. Miratimi i këtij vendimi, nuk do të thotë se masat do të vendosen menjëherë, por ia jep të drejtën Qeverisë të ndërmarr masa sipas nevojës, andaj ju ftoj ta miratoni këtë vendim”.

Lexoni: Kosovë/ Zbulohet shifra e lartë e njerëzve që po investojnë në kriptomonedha. Qeveria i kërkon të paguajnë tatim mbi fitimin

Çfarë janë kriptovalutat, kur Kosova do të bëjë ligjin

Kosova pritet që së shpejti të bëhet me një ligj të ri, i cili do të përcaktojë rregullat e përdorimit të kriptovalutave, apo parave digjitale, brenda territorit të saj.

Kryetari i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Ferat Shala ka treguar  se tashmë ka përfunduar edhe një pjesë e dëgjimit publik që ë trajtojnë këtë problematikë.

“Ne si komision parlamentar pasi që veprimtaria e kritpovalutave bie në domenin e komisionit tonë, kemi pas një nisëm ligjore, kemi filluar, kemi hartuar grupin punues dhe parimisht kemi bë një pjesë të dëgjimit publik të komunitetit që e trajtojnë këtë problematikë nga çështja e bizneseve dhe këndi i institucioneve që kanë interesim më trajtuar këtë, jemi në punë e sipër, ende jemi kogja larg për shkak të specifikave dhe për shkak të interesimit tonë si parlamentar për të pas një ligj i cili vërtetë është në shërbim të asaj që ne e dëshirojmë, por që nuk mund të them kohën. Do të thotë jemi në procedurë të hartimit të ligjit”.

Kriptovaluta është para digjitale, e decentralizuar, e bazuar në teknologjinë “blockchain” (shqip: blloqe zinxhir).

“Blockchain” është një libër i hapur, i shpërndarë, i cili regjistron transaksionet me shifra. Në praktikë, është disi si një libër shitblerjeje, që është i shpërndarë nëpër kompjuterë të pafundmë nëpër botë.

Ndryshe nga euroja apo dollari amerikan, nuk ekziston një autoritet qendror që menaxhon dhe ruan vlerën e një kriptovalute.

Këto detyra janë të shpërndara gjerësisht mes përdoruesve të një kriptovalute, nëpërmjet internetit. Bitcoin ishte kriptovaluta e parë, e propozuar nga Satoshi Nakamoto, në një dokument të vitit 2008, të titulluar “Bitcoin: Sistem elektronik, pa ndërmjetësues, i parasë së gatshme”.

Prodhimi i kriptovalutave konsumon shume energji elektrike sepse përfshin kompjuterë që bëjnë kalkulime për t’i verifikuar transaksionet.

Rreth 12 milionë euro në vit llogaritet fatura e përbashkët e energjisë së shpenzuar në katër komuna në veri të Kosovës.

Në fund të vitit 2021, kryetari i Komisionit për ekonomi, industri, ndërmarrësi dhe tregti në Kuvendin e Kosovës, Ferat Shala, ka thënë  se në Kosovë llogaritet të jenë rreth 10 mijë operatorë të identifikuar – persona fizikë dhe juridikë që merren me prodhimin e kriptovalutave.

Përmes Projektligjit për kriptovaluta, synohet të bëhet kategorizimi i kriptovalutave dhe format e taksimit, në mënyrë që kjo industri të ketë pajtueshmëri me ligjet vendore dhe ndërkombëtare të transferimit të parave dhe për parandalimin e pastrimit të parave.

/monitor

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0