Presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen ka thënë se brenda këtij vitit do të mbahet konferenca ndërqeveritare për Integrimin e Shqipërisë në BE. Në një konferencë të përbashkët për shtyp me Kryeministrin Edi Rama ajo u shpreh se Shqipëria i ka bërë të gjitha detyrat, veçanërisht me reformën në drejtësi dhe e ardhmja e saj është në Bashkimin Europian.
Më pak optimist dukej Kryeministri Edi Rama, i cili tha se nuk do të cuditej sikur përsëri çelja e negociatave të shtyhej përsëri për shkak të tekave të vendeve të veçanta. Kryeministri Rama deklaroi se Shqipëria ndodhet në një situatë absurde, si një pengmarrje, si rezultat i vetos së Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut, pasi ajo ka kryer gjithçka i është kërkuar.
Von der Leyen bëri publike planet ambicioze të BE-së për të investuar 600 milionë euro në Shqipëri, duke përmendur projekte madhore, si ai i rehabilitimin të hekurudhës Tiranë-Durrës dhe Hidrocentralit të Fierzës. Si Von der Leyen ashtu dhe Rama kanë ndarë të njëjtën përqasje pozitive ndaj nismës Ballkani i Hapur (Open Balkan), duke e konsideruar si pjesë e procesit të Berlinit, i cili mund t’u sjellë veç efekte pozitive 6 shteteve ku ajo shtrihet.
Presidentja e Komisionit Europian garantoi gjithashtu edhe mbështetjen e plotë ndaj Shqipërisë lidhur me vaksinimin e popullsisë.
Lexoni: Bashkimi Europian del nga recesioni
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto