Shkruar nga Blerta Meta, kontributore
Dikur na thoshnin se nëse nuk ishe një kopjues i/e mirë i natyrës nuk ishe dhe një artist-e i/e mirë. Ti nuk di të vizatosh një kub nuk je i/e aftë. Kështu po t’i pyesësh shumicën do të përgjigjen “nuk di të vizatoj”.
Arti dhe artistët kanë ndryshuar me kalimin e viteve. Artistët kanë ndjerë nevojën e të shprehurit në mënyra të ndryshme: vizatim, pikturë, skulpturë, fotografi, performancë, muzikë, kërcim… dhe kjo nuk i ndryshon vlerat, thjesht mënyrën e të shprehurit.
Artisti ka gjithmonë nevojë për publikun.
Mendoni pak gjatë kohës së pandemisë atë formë të artit që edhe po të dixhitalizohej pa publikun dhe duartrokitjet e ngrohta nuk do të kishin të njëjtin kuptim: teatri, baleti, performancat live…
Forma e komunikimit ka ndryshuar gjithashtu. Sa followers (ndjekës të faqeve sociale) ke?! Sa like, komente, tag etj?
A është ky një etalon matës për vlerat e një pune të një artisti?!
Sigurisht çdo artist ka nevojë të ndihet i pranuar, i vlerësuar nga një grup i shoqërisë. Shpesh këto mund të jenë thjesht subjektive, lidhje miqësore, apo…
E rëndësishme është që publiku të jetë prezent. Ju lutem, duhet të keni parasysh unë nuk po flas për vlerat dhe çfarë duhet të quhet një punë e mirë, për këtë ka institucione dhe njerëz specialist.
Prezenca e publikut është shumë e rëndësishme në jetën e artistëve. Emocionet që ju publik i dashur i dhuroni artistëve. Ju jeni frymëzim, burim kënaqësie, vazhdim, përmbushje, mbështetje mund të gjej shumë fjalë përshkruese, por nuk mund të gjej dot matësin e se sa të rëndësishëm jeni ju për artistët.
Ato zërat e sinqerta apo pasthirrmat pas një shfaqeje, duartrokitjet e gjata që thonë luaj dhe njëherë këtë pjesë, 1 tufë lule, 1 shkrim, 1 koment, 1 postim, 1 publikim… forma të ndryshme për të qenë prezent në jetën e artistëve.
Ky komunikim është frymëmarrje dhe nxitje për shpirtin e artistëve. Është një marrëdhënie e ndërsjellë. A nuk jemi edhe ne ata, në rolin e publikut, që duam të shohim një shfaqje të bukur, të lexojmë një shkrim apo libër, të shohim një ekspozitë, të dëgjojmë një koncert, të vizitojmë galeri, të shohim arkitektura të ndryshme, format e ndryshme të të shprehurit nëpërmjet artit.
Ky raport reciprok ka ekzistuar dhe do të vazhdojë sado dhe sido që shoqëria të ndryshojë. E rëndësishme është që ky raport të jetë i sinqertë dhe i vazhdueshëm.
***
Do të doja të ndaja me ju dicka nga e kaluara, atëherë kur isha student.
Kur mbaronte mësimi, e më pas orët e gjata të praktikave, vrapoja të shihja shfaqjet e pasditeve. Më pëlqenin larmishmëritë e eventeve, interpretimet e bukura, dritat dhe ngjyrat e skenave, pasioni dhe mënyra e të shprehurit që secili artist e ka unik. Qëndroja me orë të tëra duke i dëgjuar, parë, ndonjëherë mbyllja sytë dhe ëndërroja sikur isha pjesë e shfaqjeve në ato kohët e vjetra, me veshjet e qëndisura në mënyrë të veçantë, elegancën e veprimeve, për të shprehur një mendim kishte një fjalë të mirëmenduar dhe të gjetur. Nga çdo shfaqje dilja e frymëzuar, e përmbushur dhe si fëmijë me një buzëqeshje që më shoqëronte deri sa shkoja të flija në mbrëmje. Pëllëmbët e duarve të skuqura nga duartrokitjet me dhimbnin pak, jo se i përplasja fort, por sepse i përplasja gjatë nga ajo që sapo kisha përjetuar. Nëse nuk do të kisha shkuar në ato mbrëmje, shfaqjet prapë do të ishin shfaqur, sepse gjithmonë ka patur një publik të etur për të njohur kulturat dhe format e ndryshme të të shprehurit nëpërmjet artit. Është një zinxhir kulturor që po u shkëput një hallkë do të jetë vështirë të ketë vazhdimësi, një nga këto hallkat dhe shumë të rëndësishme jeni ju publik i dashur. Pa ju, artistët do të luanin vetëm për veten. A do të kishte kjo më të njëjtin kuptim, interpretim, rëndësi?!
Këtë pyetje po ua lë juve të reflektoni.
Si do të ishte jeta e artistëve pa publik, si do të ishte jeta e publikut pa artistët?!
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.