Marketingu digjital! Flitet shumë dhe mund të jetë ndër fushat më dinamike. Algoritmet ndryshojnë çdo ditë, komunikimi shtohet çdo ditë dhe ne na duhen gjetje të reja për të qenë të pranishëm online. Për më tepër, sfida vijon me nevojën për t’u dalluar mes konkurentëve tashmë online. Ne kemi kërkuar disa këshilla praktike nga Elta Derri Liksenaj, pedagoge në fushën e Marketingut Digjital dhe sipërmarrëse tashmë në këtë drejtim.
Me aq sa keni studiuar çfarë duhet të bëjmë në Facebook, Instagram, LinkedIn nëse kemi një kompani? A mund të na thoni cilat janë praktikat tuaja më të mira?
Nuk ka rëndësi nëse keni një dyqan të vogël në cep të lagjes apo zotëroni një kompani me mijëra të punësuar. Le të pranojmë një fakt të thjeshtë: biznesi juaj ka nevojë për praninë në mediat sociale. Me më shumë se tre miliardë njerëz në të gjithë botën që përdorin mediat sociale çdo muaj, ku shifrat vetëm se po rriten; mosprania përkthehet në “kohë të pashfrytëzuar” dhe hapa mbrapa në krahasim me konkurrentët.
Artikulli u publikua më parë në faqen 38 të numrit 26 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Siguroni këtu nr. 26 të saj.
Pavarësisht platformës së përzgjedhur, prania në mediat sociale ndërton vetëdijësimin mbi markën, ju ndihmon të zhvilloni marrëdhëniet me klientët dhe madje të realizoni shitje direkte. Bizneset që menaxhohen nga agjensia Elf Marketing, u përkasin tipologjive të ndryshme dhe për secilin prej tyre strategjitë e marketingut janë ndërtuar e disa janë në proces, në varësi të një sërë faktorësh si: konsumatorët/klientët e synuar, vjetërsia e markës në treg, strategjia e rritjes së markës, etj.
Per shembull, me bizneset Mister Potato Food apo Alar catering, jemi pozicionuar më fuqishëm në Instagram, pasi në këto rrjete sociale ndodhet grupmosha e klientëve aktivë e të interesuar për produktet e tyre dhe feedback-u ka qenë më i lartë.
Me rritjen e këtyre bizneseve dhe hapjen e lokacioneve të reja, sugjerohet hapja e profileve LinkedIn, pasi ky i fundit tanimë po përdoret nga kompanitë për rekrutimin e punonjësve të talentuar, lidhjen me markat e tjera dhe për mundësitë e ndryshme të bashkëpunimit.
Ndryshe është kompania Bio Trade Albania, e cila operon në treg B2B, ku përpos prezencës në rrjetet sociale, ka pasur mbulim edhe në median tradicionale, me sponsorizim emisionesh apo evente bamirësie. Fokusi për këtë lloj biznesi është në marketingun me email dhe atë të marrëdhënieve (relationship marketing).
Lexo: Agjencia nga Kosova Manaferra fiton çmimin ndërkombëtar për “Best SEO Campaign in Higher Education”
Por në një hapësirë aq të paparashikueshme digjitale, dalja jashtë zonës së komfortit, ndonjëherë krijon mundësi të papritura. Duke përshtatur përmbajtjen e kontekstin, një klinikë dentare me feedback pozitiv, por engagement të ulët, me artikujt informues në Facebook, bëhet sakaq virale me videon funny të një procedure dentare në Tik-Tok. Ideja është si të rrisim ekspozimin e markës në disa mediume, pa cënuar identitetin e saj dhe sa e pranueshme është kjo nga pronarët e bizneseve?
Çfarë duhet të bëjmë dhe çfarë nuk duhet të bëjmë në një postim në mediat sociale? Kur dhe sa shpesh duhet të postojmë?
Të postojmë shpesh, por pa u bërë të bezdisshëm tek ndjekësit; të postojmë shumë, por pa shteruar në ide! Nuk ka një formulë magjike apo standarde për frekuencën e postimeve apo kohën e përshtatshme; pasi çfarë funksionion për një biznes mund të jetë dështim për një tjetër.
Duke analizuar të dhënat algoritmike të Facebook, dita më e mirë për të arritur engagement të lartë sugjerohet e mërkura në oraret e drekës dhe dita më pak e përshtatshme konsiderohet e diela me ndërveprim të ulët për bizneset. Një panoramë e ngjashme na rezulton edhe për rrjetin social Instagram. Por, nga eksperienca me biznese të caktuara ky rezultat mund të përmbyset, pasi për të djela ndërveprimi me mesazhe, komente dhe share ka qenë shumë i lartë.
Në lidhje me frekuencën e postimeve, markat ndërkombëtare në Instagram postojnë mesatarisht 1.5 herë në ditë, në Facebook mesatarisht 5 herë në javë dhe në LinkedIn 20 postime në muaj. Në Twitter, studimet kanë treguar se retweets ndodhin në shumicën e rasteve brenda një ore nga botimi i postimit fillestar, kështu që preferohet një frekuencë më e lartë e postimeve. Numri i pëlqyer i postimeve në ditë është deri në pesëmbëdhjetë, të vendosura në interval një ose dy orë nga ora 14:00 deri në 22:00 e mbrëmjes, ndërkaq që disa burime rekomandojnë jo më shumë se tre Tweets në ditë.
Por, frekuenca e postimeve varet nga natyra e biznesit tuaj dhe sidomos nga audienca e synuar. Nëse po synoni Millennialët që i përdorin llogaritë e tyre sociale vazhdimisht gjatë gjithë ditës, postimet më të shpeshta mund të jenë një ide e mirë. Nëse, në vend të kësaj, synoni një shpërndarje demografike më të vjetër dhe më konservatore, e cila ka të ngjarë të ndjekë më pak faqe si dhe të përdorë më pak median sociale, postimet shumë të shpeshta do të bëhen të bezdisshme për ta.
Gjetja e balancës së duhur ndërmjet frekuencës së postimeve dhe vlerës e rëndësisë në përmbajtje është sfidë e vazhdueshme për çdo biznes.
Ndjekësit duan përditësim të vazhdueshëm, por ata mund ta dallojnë një postim të keq, të sforcuar për shkak të sasisë.
Figurë, përmbajtje apo të dyja?
Të dyja, pasi shërbejnë si plotësuese të njëra-tjetrës, kur realizohen mirë. Madje disa parime të thjeshta për profile sa më profesionale, identifikohen sapo akseson faqet në menaxhim nga shumë agjensi të famshme marketingu.
Në aspektin e përmbajtjes, një postim i mirë mund të ketë histori të shkurtra të klientëve të kënaqur, thirrjen për veprim (CTA), foto/video të dërguara e të shpërndara nga vetë klientët (user-generated content, etj). Gjigandi Starbucks për shembull u ka dhënë rëndësi të konsiderueshme historive të punonjësve të vet, duke paraqitur anën humane të markës në mediat sociale.
Në aspektin e kompozicionit grafik, evidentohet simetria si epitoma e bukurisë me postime të harmonishme në tekst, ngjyra dhe logo identifikuese.
Në platformat sociale, përmbajtja vizuale performon më mirë se teksti. Për shembull, imazhet fitojnë 2.3 herë më shumë angazhim në Facebook sesa postimet me tekst.
Kërkimet nga Content Marketing Institute, tregojnë se imazhet e markave marrin angazhimin më të madh kur ato tregojnë një pjesë të caktuar fizike si për shembull dora/këmba etj, duke bashkëvepruar me një objekt. Këto imazhe të pjesshme të trupit përformojnë 29% më mirë sesa imazhet me një person/imazh të plotë dhe 10% më mirë se imazhet pa një person.
Shpjegimi që qëndron pas hulumtimit është se konsumatorët janë më të aftë të imagjinojnë vetveten duke bashkëvepruar me produktin kur shohin një pjesë të dikujt tjetër që ndërvepron fizikisht me të.
Në ndryshim nga rezultatet për Facebook, hulumtimi sugjeron që imazhet me portrete në Instagram fitojnë më shumë pëlqime dhe komente.
Pikaso thoshte që: mësoji rregullat si ekspert që t’i thyesh si artist. Për shembull chipotle, zinxhiri i fast-foodit meksikan, në vend të nië strategjie fikse vizuale, poston meme me gjuhë zhargoni që të sjellë oreksin tek ndjekësit.
Por, thyerja e tillë e rregullave, mund ta ekspozojë si aspak profesionale një markë të nië profili tjetër (për shembull, zyrë kontabiliteti/bankë etj) dhe ta bëjë të humbasë kredibilitetin.
Cilat janë trendet e strategjive të marketingut?
Nëse një plan i shkurtër marketingu na shpjegon ‘’SI’’ do ta arrijmë një objektiv të caktuar, strategjia e marketingut ndërtohet me fokus afatgjatë, realizon targetimin, segmentimin e audiencës, integron 7 P-të e marketingut (Mc Carthy), evidenton “ÇFARË” duam të arrijmë, si dhe monitoron e në fund vlerëson gjithë Feedbackun e strategjisë.
-Seth Godin, sipërmarrës & autor amerikan, citonte se si, “në marketing, më shumë se gjërat që shet, kanë rëndësi historitë që tregon”. Markat si Toyota e Gucci po formësojnë histori të makinave e atleteve të tyre nëpërmjet realitetit të argmentuar (AR) dhe realitetit virtual (AR)- si strategji të pranishme e tashmë të aplikuara nga markat e mëdha.
-Pandemia e Covid-19, fuqizoi video-marketingun si një mënyrë për të plotësuar boshllëkun nga distanca sociale, ku në pamundësi për të shikuar e testuar nga afër produktet, lindi nevoja për demostrime live me video. Intervista video, video-tutoriale, demo të produkteve, dëshmi të konsumatorëve apo live streams, janë trende që po aplikohen gjerësisht nga shumica e kompanive.
-Sipas Adweek, industria e marketingut me influencer/ndikues pritet të dominojë marketingun në vitin 2021 e në vazhdim, megjithëse konsiderohet si një nga metodat e shtrenjta e të paformalizuara. Por si trend që po ndalemi ta shpjegojmë më gjatë, përmban avantazhin e arritjes së audiencave specifike dhe visibilitetit të lartë.
Marketingu me influencer është një marrëdhënie midis një marke dhe një ndikuesi. Ndikuesi promovon produktet ose shërbimet e markës përmes mediave të ndryshme si Instagram, Facebook, YouTube, etj. Për të mos u ngatërruar me marketingun e personave të famshëm (që janë një kategori ndikuesish), marketingu i influencerave bën më shumë sesa thjesht lidhjen e një personi me ndikim me një markë. Ndikuesit duhet të jenë figura të besuara brenda një komuniteti të ngushtë online dhe të krijojnë ndjekës besnikë. Përveç kësaj, ata zakonisht zotërojnë njohuri ose përvojë në lidhje me atë që reklamojnë.
Vlera monetare e një ndikuesi zakonisht llogaritet nga madhësia e ndjekjes së tyre shoqërore, si dhe platforma që ata po përdorin. Në Instagram, ekspertët e industrisë sugjerojnë një dysheme çmimi prej $ 1,000 për 100,000 ndjekës. Ky çmim mund të ndryshojë më tej në varësi të ndërveprimit, ndjekësve realë ose jo, etj. Në YouTube, çmimet variojnë prej 100 $ për 1000 shikime. Ndërkaq që në Shqipëri ky lloj tregu është përgjithësisht i paformalizuar dhe vepron si një raport i vetërregulluar ndërmjet influencërit dhe markës, ku çmimet vendosen në dakordësi nga palët ose siç ndodh zakonisht me micro-influencerat, shpërndarje në mediat sociale në këmbim të produktit ose shërbimit falas.
Si mund të rrisim angazhimin në mediat sociale? Çfarë vlen më shumë?
Angazhimi (engagement) në mediat sociale është një term ombrellë, shumë i gjerë që mbulon disa metrika.
Duke përdorur Facebook-un si shembull, angazhimi/ndërveprimi mund të ndahet në zona të ndryshme si:
-Ndërveprimi me faqen tuaj: klikime të butonit thirrje për veprim, klikime të profilit, çdo klikim të skedës.
-Ndërveprimi me postimet tuaja: komente, pëlqime, shpërndarje
-Ndërveprimi në mesazhet e drejtpërdrejta: dërgimi i një faqe ose përgjigjia ndaj një mesazhi.
-Ndërveprimi me faqet e tjera: përmendjet e faqes tuaj, duke komentuar postimet e faqeve të tjera, etj.
Prandaj definimi i suksesit të një faqeje nga angazhimi nuk është një proces i lehtë, ku arrihet me përfundime të nxituara. Një faqe restoranti mund të ketë ndërveprim minimal në komente dhe pëlqime, por angazhimi dhe kërkesa në mesazhe mund të jetë e lartë çka përbën edhe prioritetin e biznesit në fjalë që ofron shërbim në fushën e gastronomise dhe ushqimit.
Rrjetet sociale mundësojnë të dhëna mbi nivelet e angazhimit të audiencës, siç janë pëlqimet në foto, shpërndarja e postimeve, opsionet e ruajtjes për më vonë apo dërgimit si mesazh.
Angazhimet e larta të audiencës ndihmojnë në ndërtimin e besnikerisë së markës.
Prandaj, bizneset duhet të postojnë përmbajtje stimuluese me pyetje të hapura, kuice sfiduese me shpërblime, të krijojnë mini-konkurse dhe giveaway që e mbajnë audiencën të përditësur. Për shembull, në menaxhimin e profilit të kompanisë Alar Green, zhvillojmë kuice të shpeshta mbi tematikën/produktet e pastrimit dhe higjenizimit të shtëpive/zyrave dhe nivelet e angazhimit e pjesëmarrjes janë të larta.
Mos injoroni komentet negative dhe përpiquni të gjeni alternativa zgjidhjeje. Ndërkohë, ndaj klienteve që ju vlerësojnë mos ngurroni të shprehni mirënjohjen dhe falenderimet. Detajet e vogla sot lënë gjurmë të thella tek preferencat apo irritimet e klientëve tuaj nesër.
Ku ndryshon menaxhimi i një faqeje në rrjetet sociale nga përdorimi personal i rrjeteve sociale? Sa formalë apo emocionalë mund të jemi?
Në përdorimin profesional të rrjeteve sociale, ndërtohet një strategji e planifikuar javore/mujore me tematikat e postimeve, shpeshtësinë e tyre, ditët e livestream, etj.
Ne mendojmë se mediat sociale i përdorim “free”, por në të vërtetë ato vijnë me një kosto të lartë. Shërbimin falas në rrjetet sociale e shkëmbejmë me të dhënat tona personale, që vihen në dispozicion të kompanive për të gjeneruar shitje; shohim se si privatësia si aset i shtrenjtë po shkëmbehet me ekspozimin e lartë për më shumë like, followers, share.
Lexo: Strategjia e Bidenit, “punëson” 50 influencera për të bindur të rinjtë që të vaksinohen
Studime me pjesëmarrje masive të realizuara nga Universiteti i Pensilvanisë, kanë zbuluar se si përdorimi i lartë i rrjeteve sociale rrit nivelet e depresionit dhe zilisë për gjendje shpirtërore e fizike që mund të jenë krejtësisht “fake”, shton izolimin dhe vetminë përkundër mendimit popullor se i ndihmojnë njerëzit më shumë të ndërlidhen.
Postimet shumë të shpeshta në mediat sociale, mund të jenë sinjalizuese të maskimit për problematika të tjera që lidhen me shëndetin mendor, përpjekjen për t’u shfaqur superior apo mungesën e lumturisë së përgjithshme. Njerëz të lumtur e më pak të lumtur, gjenden si ndër radhët e përdoruesve të shpeshtë të mediave sociale, ashtu edhe ndër ato që kanë prezencë minimale. Përdorimi i medias sociale në favorin e lumturisë dhe mirëqënies tonë mendore e shpirtërore, është parakusht, pa lejuar që përdorimi i saj të na kthehet në një bumerang cënues të tyre.
Për rëndësinë e lidhjes njerëzore jashtë rrjeteve sociale, Yuval Noah Harari, autori best seller i shekullit me ciklin e botimeve Sapiens, pohon se si “Asnjë komb, korporatë ose rrjet global nuk mund të zëvendësojë komunitetet e njerëzve që në të vërtetë e njohin njëri-tjetrin nga afër”. Kur u pyet më tej në një intervistë se çfarë mendonte për fitoren e Trump në atë periudhë, duke u shprehur se kishte qëlluar jashtë rrjeteve sociale u përgjigj: “Isha në një trajtim privatësie/meditimi 45 ditor dhe i kurseva vetes dhjetëra ditë shqetësimi”.
Përtej hulumtimeve të tregut dhe euforisë së masave që ndodhet gjithmonë në rrjet:
Të shkëputemi nga bota online për t’u lidhur më shumë me veten dhe të tjerët në realitet, është një “trajtim luksi” që të gjithëve na duhet sa më shpesh apo jo?!
Artikulli u publikua më parë në faqen 38 të numrit 26 të revistës Business Magazine Albania. Business Magazine Albania është revista e parë dixhitale me përmbajtje origjinale në shqip të orientuar nga fusha e biznesit. Ju mund të Siguroni këtu nr. 26 të saj.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.