Strategjia e Bidenit, “punëson” 50 influencera për të bindur të rinjtë që të vaksinohen - Business Magazine Albania

Strategjia e Bidenit, “punëson” 50 influencera për të bindur të rinjtë që të vaksinohen

Pas ndihmës 100 dollarësh për “kokë”, Shtëpia e Bardhë vjen me një ide tjetër për të bindur të rinjtë që të vaksinohen. Ditët e fundit, janë kontaktuar 50 influencerat më të ndjekur në rrjetet sociale, në veçanti TikTok, Instagram, YouTube dhe Twitch, platforma e njohur e lojërave-video.

Të gjithëve iu është kërkuar që të kundërshtojnë valën e dezinformatave që po vërshon në internet. “New York Times”, me të drejtë i ka vënë theks të madh lajmit. Mjafton të shikohen të dhënat shqetësuese të publikuara nga CDC, Autoriteti Federal për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve Infektive. Më pak se gjysma e të rinjve amerikanë midis 18 dhe 39 vjeç, janë plotësisht të vaksinuar, krahasuar me dy të tretat e njerëzve mbi 50 vjeç.

Dhe rreth 58% e të rinjve, midis 12 dhe 17 vjeç, nuk kanë marrë as një injeksion. Ekipi i shkencëtarëve, i udhëhequr nga Anthony Fauci, i kërkoi administratës të ndërhyjë. Drejtorët e Bidenit, u përgjigjën duke rekrutuar opinionistë, të zgjedhur me ndihmën e “Village Marketing”, një kompani me studio në Soho (Manhatan), Bruklin dhe Los Anxheles.

 

“Village Marketing” pretendon se është në gjendje të “shfrytëzojë ndikuesit” për t’i “vënë ato në shërbim të klientëve tanë”. Dhe lista përfshin ndër të tjera, Amazon, Netflix, Equinox, The Farmer’s dog dhe më pas Bidenin dhe Shtëpinë e Bardhë.

Nuk është e qartë se çfarë “ndikimi” do të përdoret në këtë rast për të rekrutuar përfaqësues. Ose më saktë, “New York Times” shkruan se ata me një auditor të konsideruar “të vogël”, domethënë midis 5,000 dhe 100,000 ndjekës, do të marrin deri në një mijë dollarë në muaj.

Asnjë detaj për yjet, si aktorja dhe këngëtarja 18-vjeçare Olivia Rodrigo, më e njohur për serinë televizive “High School Musical”. Videoja e këngës së saj të fundit, “Good 4 you”, është parë mbi 203 milionë herë në YouTube, ndërsa abonentët në kanal janë 6.4 milionë.

Tridhjetëvjeçarja Christina Najjar, e njohur si Tinx, me mbi një milion ndjekës në TikTok dhe më shumë se 248,000 në Instagram, tashmë ka filluar fushatën, me një intervistë me virologun Fauci.

“Ishte një moment i jashtëzakonshëm, – komentoi Tinx, – gjithashtu flirtova pak me doktor Faucin, por mendoj në një respekt reciprok…”.

Nuk është hera e parë, vëren “NYT”, që të famshmit janë përfshirë në një fushatë vaksinimi. Si Elvis Presley, të cilit në vitin 1956 iu injektua serumi anti-poliomielit në shfaqjen televizive “The Ed Sullivan show”.

CORRIERE

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0