Sa kushton përmbytja e shekullit? - Business Magazine Albania

Sa kushton përmbytja e shekullit?

Të mërkurën (21.07), qeveria gjermane u morr me paketën e parë të ndihmave për viktimat e përmbytjes. Por është ende e paqartë çfarë shkatërrimesh ka shkaktuar shiu dhe përmbytja. Detajet e para janë marramendëse.

Ka shtëpi në Ahr ose Eifel që janë zhdukur krejt. Janë marrë me vete nga uji. Pak nga pak është duke u parë sa prej këtyre shtëpive janë zhdukur dhe sa ekzistojnë ende po janë shkatërruar deri në themel. Dhe çfarë kanë shtëpitë brenda. Në vendin e quajtur Ahrweiler, ujërat e përmbytjes morën me vete tavolina, karrige, dollapë që notuan nëpër rrugë, pajisje hotelesh që përfunduan në llum.

Qindra ndërtesa janë prishur, thotë administratori i rrethit në Ahrweiler. Jo të gjithë kanë bërë sigurimin e shtëpive. “Shumë njerëz këtu kanë humbur gjithçka,” thotë Jürgen Pföhler. Por çfarë vlere ka kjo gjithçka?

Nëpër fabrika është e lehtë të nxirret vlera në shifra. Në Bad Neuenahr në landin e Renanisë – Palatinate ndodhet një fabrikë e furnizuesit të automjeteve ZF. Aty punojnë 280 vetë. Prodhimi ka muaj që është pezulluar. Prej përmbytjes janë mbushur me ujë sallat e prodhimit dhe magazinimit. Uji në fabrikë arriti nivelin 2 metra, thuhet nga ZF. 12 makina dhe një kamion kampingu i morën me vete nga uji, ambientet u shkatërruan, dyshemeja u mbulua nga një shtresë e trashë balte.

“Shkatërrim komplet”

Ndërkohë bëhen të ditura informacione të tjera për firmat dhe humbjet që ato kanë pasur. Kompleksi i dyqaneve Factory-Outlet-Center në Bad Münstereifel me 50 dyqane është zhdukur praktikisht, thonë reporterët. Hoteli Dorint në Bad Neuenahr: “është shkatërruar komplet “, thotë manaxheri Jörg T. Böckeler. Uji mbërriti deri në katin e dytë. Në Leverkuzen, u mbyll klinika me 2500 të punësuar për shkak të dëmeve të mëdha në furnizimin me energji elektrike.

Shtëpi dhe fabrika janë dëmtuar, infrastruktura është shkatërruar. Por çfarë do të thotë infrastrukturë?

Të parat në infrastrukturë janë rrugët dhe trenat. Sipas vlerësimeve të para të situatës, njoftoi ndërmarrja gjermane e hekurudhave, Deutsche Bahn tregon se: Hekurudha në rajon janë dëmtuar shumë në një distancë prej 600 kilometrash. Këtu bëjnë pjesë shinat, teknika e sinjaleve, urat, kutitë e sinjaleve. Në 80 stacione dhe pika qëndrimi ka dëme nga uji, balta dhe llumrat. Të paktën 20 lokomotiva dhe trena kanë dalë nga përdorimi për disa muaj.

Në Luginën e Ahr-it trenat rajonale nuk udhëtojnë dot aktualisht. Në Luginë janë prishur shtatë ura hekurudhore dhe 20 nga 29 kilometrat e shinave, thotë ndërmarrja e trenave rajonalë. Segmenti i Eifelit nga Triri në Këln është bllokuar komplet.

Rrugët e shkatërruara dhe urat e rrëzuara do e bllokojnë qarkullimin për një kohë të gjatë. Pavarësisht se në shumë vende rrugët janë pastruar nga llumi dhe rrënojat.

“Ujë të ftohtë, banesa të ftohta”

Shumë nga riparimet kërkojnë kohë. Furnizuesi i rrjetit Mittelrhein, paralajmëroi se furnizimi me gaz në rrethin e Ahrvajlerit (Ahrweiler), kërkon muaj që të vihet në funksionim. „Tubat e gazit janë shkatërruar komplet,” tha zëdhënësi i firmës, Marcelo Peerenboom. Disa kilometra tubacione duhen vendosur sërish nga e para. „Kjo do të zgjasë javë ose muaj të tërë. Që do të thotë se qytetarët do të kenë ujë të ftohtë dhe banesa të ftohta edhe kur të vijë sezoni i dimrit.”

Në zonat e përmbytura celulari apo telefonia fikse nuk funksionoi për ditë me radhë. Uji morri me vete stacionet e telefonisë mobile dhe kutizat e shpërndarjes së telefonit fiks. Kompania Deutsche Telekom dhe ajo Vodafone ngritën gjatë fundjavës në Eifel, stacione mobile antenash dhe pjesë zëvendësuese me transportues të rëndë, kostot për këtë nuk janë dhënë ende.

“Forca kombëtare”

Llogaritë po bëhen kudo. Kompanitë e sigurimit do të japin vlerësimet e para në mes të javës. Në ministrinë e transportit një grup pune është mbledhur për të folur për riparimin e urave, shinave, rrugëve dhe antenave të prishura. Vetëm për ndërmarrjen e hekurudhave Deutschen Bahn dhe për rrugët, Federata duhet të japë të paktën 2 miliardë euro, thuhet në rrethet qeveritare. Ministri i financave Olaf Scholz foli për “demonstrim të forcës kombëtare”, që duhet ndjekur tani me ndihma të menjëhershme prej 400 milionë eurosh. Ato duhet të jenë në dispozicion që tani në muajin korrik.

“Mbas përmbytjeve në Elbë në vitin 2002, u deshën tre vjet për të riparuar dëmet e mëdha, dhe pesë vjet deri sa zonat e përmbytura filluan të dukeshin sërish në rregull,” tha Reinhardt Quast, president i Shoqatës qendrore të ndërtuesve gjermanë.

Përmbytjet e viteve 2002 dhe 2013, janë përdorur gjithnjë si pika referimi për të bërë vlerësime të katastrofave. Pas ndihmave të menjëhershme, Federata dhe landet vunë në atë kohë në dispozicion tetë miliardë euro. Por kriza aktuale ia kalon atyre të mëparshmeve. Shifra e njerëzve që kanë humbur jetën e bën këtë të qartë: 164 të vdekur në zonën e katastrofës. Kjo shifër nuk do të mbesë kaq, sepse viktima të tjera nuk janë gjendur ende. Forcat e shpëtimit janë duke kërkuar ende për të humburit.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0