RINIS, një program i ri i Vizion OJF   - Business Magazine Albania

RINIS, një program i ri i Vizion OJF  

RINIS

Në fundjavën e parë të muajit qershor u zhvillua finalja e RINIS – Regional Initiatives of North-Albania Innovative Start-ups. Ky është programi më i ri i Vizion OJF në bashkëpunim me partnerin tonë, Projekt Albanien Austri, me në fokus nxitjen, zhvillimin si edhe promovimin e iniciativave sipërmarrëse bazuar në resurset lokale në zonën e Mirditës, Matit dhe Dibrës dhe jo vetëm.

Në vazhdën e kontributit për zhvillim të qëndrueshëm, fuqizim ekonomik dhe social të të rinjve e të rejave, për një periudhë 9 javore u mbështetën 13 ide biznesi, përmes një cikli intensiv takimesh në zona të ndryshme të Shqipërisë, duke ofruar eksperienca të prekshme në raste suksesi, munësi për rrjetëzim, trajnime me trajnerë shqiptarë e austriakë si dhe aktivitete të tjera nxitëse për frymën e sipërmarrjes dhe bashkëpunimit.

Në thirrjen publike që u hap në muajt e verës të vitit 2020 aplikuan mbi 50 të reja dhe të rinj të cilët kaluan në 3 faza klasifikimi për të arritur në grupin prej 15 individësh që do t’i bashkoheshin rrugëtimit RINIS. Për arsye të pandemisë dhe kushtëzimeve përkatëse u detyruam të shtyjmë dhe të përshtasim planin e aktiviteteve, duke filluar intensivisht në muajin prill 2021 së bashku me të gjithë kandidatët.

Shumica e ideve të sipërmarrjes janë në fushën e turizmit, agroturizmit dhe produkteve tradicionale. Iniciativat varionin nga kthimi i shtëpisë në një bujtinë, deri në krijimin e një aplikacioni për udhëtime ndërqytetase.

Gjatë rrugëtimit RINIS, i cili u shtri në 5 fundjava takimesh fizike dhe 4 fundjava me aktivitete online, me mentorë nga Shqipëria, Austria, Belgjika, Amerika, të gjithë kandidatët patën mundësinë për bashkëpunime dhe mbi të gjitha të pranojnë e të vlerësojnë faktorin konkurencë.

Sigurisht RINIS 2021 ishte një garë dhe në fund 3 sipërmarrje të reja u përzgjodhën nga vetë kandidatët, nga trajnerët dhe mentorët për të përfituar mbështetjen financiare për zhvillimin e ideve të tyre; në shumën nga 1000 deri në 3000 Euro. Por jo vetëm kaq! Gjatë rrugëtimit RINIS u bashkuan edhe mbështetës të tjerë për iniciativat sipërmarrëse si; Co7even, Iceberg Communication dhe Bashkia Mat, të cilët gjithashtu ofruan nga një shpërblim nxitës për finalistët.

Finalja e RINIS u zhvillua në qytetin e Burrelit, në sheshin ‘Ahmet Zogu’, ku Bashkia Mat bëri dhe hapjen zyrtare të sezonit turistik me moton ‘Ma t’mirat i gjen n’Mat’.

Një thirrje kjo për turistët vendas e të huaj për të vizituar trevën e Matit, si edhe një model për të mbështetur sipërmarrjet vendase në fushën e turizmit.

Mes panairit me produkte artizanale, veshje tradicionale dhe punime të fëmijëve të QKF Mat, gjashtë finalistët e RINIS prezantuan bizneset e tyre përpara vizitorëve të shumtë. E pikërisht kjo ishte një eksperiencë unike si për banorët  ashtu edhe për finalistët, të cilët u perballën jo vetëm me jurinë por edhe me sytë kureshtarë të shumë qytetareve të pranishëm.

Në atmosferën festive, sfida e jurisë për të zgjedhur tre fituesit e Grantit RINIS, u finalizua me tre iniciativa sipërrmarrëse fituese. Bujtina e Bardhë, një sipërmarrje e re familjare në Mirditë e cila gjatë rrugëtimit në RINIS hapi dyert e bujtinës, fitoi grantin prej 3000 Euro. Gjithashtu një djalë i apasionuar pas bletës, dhe studiues në këtë fushë, u përzgjodh ndër fituesit, me idetë e tij të larmishme për parkun e bletëve në Dibër. Dhe iniciativa e rëndësishme për zonën e Burrelit, me shfrytëzimin e tokës për prodhime bio dhe akuaponia, ishte fituese e grantit prej1500 Euro.

Ky ishte aktiviteti përmbyllës i RINIS 2021, për të vazhduar më tej me asistencën e sipërmarrjeve që do të lindin rishtazi.

Ky program synon të orientojë dhe mbështesë zhvillimin ekonomik në verilindje të Shqipërisë drejt një ekonomie të qëndrueshme përmes vetë-punësimit dhe krijimit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

Por nuk mbaron me kaq, në VIZION tashmë kemi filluar përgatitjen për RINIS 2022, dhe thirrjen publike për aplikime parashikojmë ta shpallim brenda vitit aktual.

Programe të tilla edukuese dhe nxitëse janë të domosdoshme për shumë të rinj e të reja ne vendin tonë, si një mundësi për të ndërtuar të ardhmen në Shqipëri.

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0