Në kuadër të projektit “Bashkëpunimi ndërkufitar dhe konkurrueshmëria për NVM – 3C4SME”, Qendra Kombëtare e Biznesit ka ndërmarrë një anketim mes sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme.
Anketimi i kryer nga ekspertë të fushës, nxjerr në pah se NVM-të përballen me vështirësi në marrjen e kredive nga institucionet kredidhënëse.
Qendra Kombëtare e Biznesit është pjesë e projektit “Bashkëpunimi ndërkufitar dhe konkurrueshmëria për NVM – 3C4SME”, i cili zbatohet në kuadër të Programit Interreg IPA CBC Itali-Shqipëri-Mal i Zi, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian. Qëllimi kryesor i projektit 3C4SME është studimi i qasjeve inovative për aksesin ndaj kredisë dhe zbatimin e tyre në territoret e përfshira. Projekti synon krijimin e parakushteve rregullatore që lehtësojnë qasjen e ndërmarrjeve në përfitimin e financimit nga bankat. Ky projekt ka nisur para periudhës së COVID-19, por tashmë ai është më aktual pasi përfshin nevojën e biznesit për kolateral dhe garanci bankare në periudha të vështira.
Studimi i QKB synonte njohjen dhe identifikimin e mundësive për përmirësimin e kornizës së mbështetjes financiare për zhvillimin e NVM-ve (Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme) në Shqipëri. Për hartimin e këij studimi, përveç analizimit teorik dhe ligjor të situatës aktuale të financimit të NVM, u anketuan 60 sipërmarrës në sektorët Agro-përpunim, Shërbime, Prodhim (Fason), Tregti dhe Artizanat. Shpërndarja gjeografike e të intervistuarve ishte në qytetet: Durrës, Tiranë, Fier, Korçë, Vlorë, Shkodër.
Nga studimi rezultoi se:
- Kreditimi nga bankat dhe Institucionet Financiare JoBankare (IFJB)- përfaqësojnë një element kryesor për NVM-të në Shqipëri. Por bankat sidomos ato me kapital evropian, pas krizës financiare të 2008 tregojnë një kujdes shumë më të madh dhe aplikojnë politika gjithnjë e më konservatore për kreditim.
- NVM-të përballen me vështirësi në marrjen e kredive nga institucionet kredidhënëse pasi për institucionin financiar huadhënës është shumë e domosdoshme mjaftueshmëria e kolateralit, kapitalit dhe ecurisë së biznesit NVM që ato ta financojnë. Ato duan të sigurohen për aftësinë paguese të huamarrësit për të përballuar një humbje të mundëshme aftashkurtër pa shkuar në falimentim.
- Bankat dhe IFJB-të kanë vështirësi në financimin e NVM-ve për shkak të informalitetit të lartë që ka në Shqipëri dhe si rrjedhim NVM-të prezantojnë të tjera të dhëna kur duan kredi dhe të tjera të dhëna të certifikuara nga ekspertët kontabël dhe organet tatimore shqiptare.
- Bankat dhe IFJB-të kërkojnë një vlerë të lartë të kolateralit për NVM-të, duke evidentuar që për shumicën e atyre të kredituarve kishin një kufi që shkonte mbi 150% si dhe kohëzgjatje të kufizuar për ripagimin, ku afatet kryesisht ishin afatmesëm nga 1-5 vjet dhe vetëm 10% ishin afatgjatë të cilat janë mbi 5 vjet.
- Interesi i kredisë shihet gjithashtu si një problem nga NVM-të pasi ato shprehen për aplikim të normave shumë të larta që aplikojnë IFJB-të dhe NVM-të pavarësisht se kanë një marrëdhënie me IFJB-të gjithmonë janë në kërkim të lëvizjes drejt bankave nëse munden pasi atje kanë informacion që mund të marrin norma më të ulëta, pavarsisht se edhe nga bankat normat dhe afati i trajtimit janë jofavorizuese krahasuar me bizneset e mëdha.
- Problematika lidhur me mos-financimin e NVM-të start-up nga bankat, por edhe nga IFJB-të, të cilat nuk finalizojnë procesin e kreditimit të NVM, pasi konsiderohen me rrezikshmëri të lartë.
- Problematika lidhura me afatet e trajtimit të kërkesave për kredi, kushtet e kontratës bankare, tarifat për aprovimin e kredisë, shpënzimeve të tjera, dhe sidomos normës së interesit (të cilën asnjë prej kredimarrësve NVM të anketuar nuk e dinte sa e kishte) janë një pengesë kryesore në kreditimin e NVM-ve në Shqipëri. Këtu shtojmë edhe mungesën e edukimit financiar, trajnimi i pamjaftueshëm për menaxhimin e NVM-ve, etj.
- Mëndësia e sipërmarrësve të anketuar vijon ta shikojë pronësinë të lidhur ngushtë me menaxhimin. Kjo i kufizon ata edhe në përqasjen aktive drejt tregjeve të kapitalit, për shkak të frikës së humbjes së kontrollit nëse shesin aksione
- Sipërmarrësit e anketuar u shprehën për mungesë të mbështetjes nga organizata dhe institucione të tjera lidhur me ofrimin e skemave të garantimit të kredive, të cilat në mbi 90% të tyre nuk i njihnin dhe nuk kishin informacion nëse kishte të tilla në Shqipëri. Por gjatë intervistave pasi ju shpjegua roli i tyre dhe modeli i aplikuar ne Molise dhe Puglia, sipërmarrësit u shprehën shumë entuziast nëse këto do të funksiononin me transparencë dhe pa korrupsion për të siguruar mbështetjen e tyre.
Për këtë arsye dhe në kuadër të projektit, një mundësi për lehtësimin e qasjes së ndërmarrjeve në përfitimin e financimit nga bankat është edhe zbatimi i modelit të Skemave të Garancisë së Kredisë (SGK) mbi baza territoriale pranë Dhomave të Tregtisë në qytetet kryesore të Shqipërisë që janë edhe qendrat e Rajoneve. Ky model SGK tek Dhomat e Tregtisë do të jetë efikas, pasi kanë njohuri të plota për profilin dhe nevojat e anëtarëve të tyre dhe mund të krijojë instrumente që sigurojnë zbutjen e procesit të kredidhënies së palës së tretë për huadhënësit, në mënyrë që të rritet qasjes së NVM në përfitimin e financimit nga bankat. Këto skema lehtësojnë financimin e klientëve të besuar, të cilëve do t’u mohohet një hua në mungesë të informacioneve të kolateralit ose të besuar në lidhje me shëndetin e tyre financiar.
SGK në bazë rajonale tek Dhomat e Tregtisë duhet të mbledhë të dhëna për profilin e NVM-ve, të cilët janë anëtarë të Dhomave duke përpunuar informacione mbi aftësinë menaxheriale të NVM-ve që aplikojnë për kredi; asistimi i NVM-ve në përgatitjen e planeve të mirëstrukturuara të biznesit dhe kërkesave të tyre për kredi; mbështetjen e NVM-ve, të cilat posedojnë një koleteral dhe janë të interesuara për kredi.
SGK në bazë rajonale tek Dhomat e Tregtisë mund të zbatojnë instrumentin e mbështetjes për financim të pjesshëm të interesit të kredisë për NVM-të në fushën e inovacionit ose start-up, të cilat janë të rëndësishme për territorin e tyre dhe paraqitjen e planeve të besueshme të biznesit nga sipërmarrësit me sjellje etike dhe reputacion të lartë ; etj.
Projektet ekzistuese të Skemave të Garancisë së Kredive për financimin e NVM-të duhet të luajnë një rol më efikas, duke qenë proaktivë dhe duke trajtuar të gjithë NVM që operojnë në tregun shqiptar.
Lexo: Ju refuzua paga e luftës, pasi aktiviteti mund të operonte? Rishikoni kodin e biznesit
Në mungesë të një informacioni më të plotë mbi “pikëzimin e kredisë”, pavarësisht nga historia e kredisë e marrë në BSH, SGK mbi baza rajonale tek Dhomat e Tregtisë duhet të krijojë marrëveshje për marrjen e informacionit në lidhje me kryerjen e pagesës së detyrimeve të aplikantëve ndaj kompanive të shërbimeve utilitare, etj. Ky informacion do të ndihmojë Skemat / Fondet e Garancisë së Kredive të ndërtojnë një profil më të plotë, i cili do t’i shërbejë atyre dhe institucionit huadhënës për të lehtësuar qasjen e NVM në financim.
Skemat / Fondet e Garancisë së Kredive në Shqipëri (F/SGK) duhet të kenë një kornizë rregullatore për të marrë një rol vendimtar në gjetjen e zgjidhjeve për vështirësitë e hasura nga NVM në qasjen në financim, duke vepruar si një mjet për të lehtësuar marrëdhëniet biznes me biznes dhe ndërmjetësit e kreditimit.
Bazuar në konkluzionet dhe rekomandimet e mësipërme, në kuadër të këtij projektit do të vazhdohet me analizimin e mundësive për hartimin e një mekanizmi, duke u bazuar në praktikat më të mira të vëndeve të rajonit, siç mund të jenë praktikat e ndjekur në rajonin e Molises dhe Puglia, që do të mundësojë zbatimin e Skemave të Garancisë së Kredisë në vendin tonë, duke përfshirë edhe mundësinë e propozimeve pranë qeverisë të ndryshimeve ligjore në rast se ato do të konsiderohen të nevojshme.
Lexo: QKB: Dorëzimi i Bilanceve, nuk ka penalitete nëse keni aplikuar në kohë
Për informacione të mëtejshme lidhur me projektin, afatet dhe aktivitetet e bëra, të gjithë palët e interesuara mund të konsultojnë faqen zyrtare të internetit të QKB , në adresën:
https://qkb.gov.al/publikime/projekte/interreg-ipa-cbc-3c4sme/
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.