Nga Albert Gjoka
Shqipëria ka hyrë tashmë në periudhën e etheve elektorale dhe, sigurisht që sot nuk ka aq shumë vend për libra, por për politikë. Leximtari dhe Bukinist.al kanë vendosur të përzgjedhim një listë rekomandimesh, të cilat adresohen duke marrë në konsideratë edhe mjedisin e nxehtë politik dhe garën e ashpër elektorale që pritet të kemi në javët dhe muajt në vijim.
Partitë politike janë të armatosura me mjetet e propagandës, si kudo-gjetkë nëpër botë, ndërsa ideologjitë dhe debatet rreth tyre lënë për të dëshiruar; për të mos thënë se janë harruar. Fatkeqësisht, mungojnë debatet rreth ideologjive, ndërsa partitë politike nuk e bëjnë kontratën me mbështetësit e tyre bazuar mbi idetë dhe interesat që përfaqësojnë.
Po ashtu, në Shqipëri vihet re një shfaqje e populizmit, si një rrymë e cila i ka zvetësuar idetë e majta apo të djathta. Zgjedhësit janë në pritje të programeve elektorale por ato nuk shpalosen sepse spektakli është më i rëndësishëm sepse ideologjia dhe platforma. Shqiptarët e kanë të vështirë që të bëjnë një bilanc se çfarë humbën apo çfarë fituan në xhepat apo familjet e tyre përgjatë katër viteve, dhe e kanë po aq të vështirë që të kuptojnë se sa realiste dhe të realizueshme janë platformat elektorale dhe se çfarë do të përfitojnë realisht në mandatin që pritet të vijë. Në një situatë të tillë, ata shkurajohen për të dalë për të votuar ditën e zgjedhjeve.
Për këtë arsye, ne kemi përzgjedhur disa libra që ju vijnë në ndihmë për të kuptuar më mirë demokracinë dhe mjedisin politik, ideologjitë e majta apo të djathta, mënyrën e funksionimit të partivë politike, realitetin ekonomik dhe ndarjen e kapitalit, mekanizmat e propagandës dhe zhvillimit të spektaklit. Ne kemi gërshetuar analizën me faktin historik, teorinë dhe vëzhgime konkrete në terren. Botimet vijnë të shtrira në kohë, që nga antikiteti, deri në ditët tona; Po ashtu, botimet e përzgjedhura ju përkasin teoricientëve të sistemeve politike, por edhe protagonistëve të politikës deri në ditët tona, të cilët përmes dëshimve, rrëfimeve dhe analizave ndajnë me lexuesit sfidat gjatë qeverisjeve të tyre.
E kuptojmë faktin se nuk është koha për të lexuar libra në një mjedis si ky i yni, por, ky është problem për politikën. Qytetari dhe zgjedhësi ka nevojë për të vëzhguar dhe kuptuar atë çfarë fshihet përtej spektaklit dhe premtimeve. Leximi i këtyre librave do t’ju vijë në ndihmë për të kuptuar më mirë këtë realitet politik dhe për të qenë më i sigurt për votën që do të hidhet më 25 prill.
Pas Marksit, autori i këtij libri, Piketty është një nga mendimtarët më me ndikim të kohës tonë përsa i përket kapitalit dhe mënyrës sesi ndahen të ardhurat në shoqërinë tonë. Shpërndarja e pasurive është një nga çështjet më të debatuara në ditët tona. Për disa, pabarazitë nuk do të rreshtin së thelluari në një botë gjithnjë e më të padrejtë. Për të tjerë, do të ketë një tkurrje të natyrshme të hendeqeve dhe çdo ndërhyrje do të rrezikonte ta trondiste këtë tendencë harmonike. Zgjedhjet nuk janë thjeshtë procese që mund të garantojnë pastrimin e sistemeve politike, por njëherësh janë edhe mundësi të arta për të rishpërndarë kapitalin në mënyrë më të drejtë. Ky libër vjen si fryt i pesëmbëdhjetë vitesh hulumtimi dhe konsiderohet ndër studimet ambicioze që janë ndërmarrë ndonjëherë mbi këtë çështje, duke u mbështetur mbi të dhëna historike dhe krahasuese shumë më të gjera se të gjitha punimet e mëparshme.
Shkencat janë të veçanta, por shoqëria shqiptare është një e tërë, dhe kemi nevojë ta kuptojmë atë njëherazi ekonomikisht, politikisht, filozofikisht, sociologjikisht, ndryshe vështrimi izolohet në ndarje hermetike! Profesori dhe Akademiku Artan Fuga vjen përpara lexuesit me një botim të riparë me titull “Origjinat e Pushtetit, Pronës, Pasurisë (në Shqipërinë pas-totalitare)” i cili përmban dy librat e tij: “Shoqëria Periferike” dhe “Shoqëria Piramidale”. Padyshim, nga tematika dhe përmbajtja është botimi në shqip që ka pamjen më të plotë të politikës, ekonomisë, shoqërisë, të drejtës, pronës, kushtuar periudhës nga rënia e komunizmit deri në ditët tona. Shkruar me një gjuhë të qartë dhe të kuptueshme, duke u ndalur në shpjegimin e pikave kyçe të historisë dhe aktualitetit tonë, botimi tregon rrugën nga kaluar shoqëria shqiptare në demokratizim dhe për çfarë arsye ndodhemi sot në pikën që jetojmë të gjithë.
Ky libër paraqet një sintezë mbi partitë politike dhe problematikën e tyre. Ai përmban materiale të përditësuara, si dhe mjaft paragrafë të nënvizuar, që kanë për qëllim thellimin dhe ilustrimin e argumenteve. Libri ndihmon studentët që merren me fushën e partive politike, gazetarët që kërkojnë të kuptojnë masën e informacionit të prodhuar nga partitë politike, por edhe qytetarin e brejtur nga shqetësimet e politikës. Partitë politike përbëjnë kushtin sine qua non të funksionimit të regjimit përfaqësues.
Konsiderohet një nga librat më elegantë të filozofisë politike, në të cilin Scruton trajton sfidat më të mëdha të mendimit politik konservator, por edhe të veprimit politik të partive që janë të rreshtuara djathtas. Me një gjuhë të përkorë dhe thellësi të rrallë, autori depërton në konceptet themelore të konservatorizmit dhe ndërton qasjen që duhet të ndjekin partitë, organizatat dhe mendimtarët politikë në botën e sotme. Roger Scruton cilësohet si Edmund Burke i ditëve të sotme dhe ndikimi i tij mbi filozofinë dhe sidomos mendimin filozofik konservator është i jashtëzakonshëm
Për herë të parë Noam Chomsky i kushton një libër natyrës dhe pasojave tragjike të pabarazisë, duke zbuluar dogmat themelore të neoliberalizmit e duke hedhur kështu një vështrim edhe më të kthjellët e më të thellë mbi funksionimin e pushtetit në nivel botëror. Cilat janë ligjet që qeverisin përqendrimin e pasurisë dhe të pushtetit në Shtetet e Bashkuara, si dhe në të gjithë botën e molepsur nga kapitalizmi i shfrenuar? Reduktimi i demokracisë, shkarkimi i barrës mbi të varfrit dhe shtresat e mesme, shkatërrimi i solidaritetit ndërmjet njerëzve, manipulimi i zgjedhjeve, përdorimi i frikës dhe fuqisë së shtetit për të mbajtur në kontroll “plebenjtë”. Dhjetë parime – të trajtuara në po aq kapituj ndriçues – të cilat, nëse nuk do të dimë të reagojmë, do të na çojnë në katastrofë mjedisore dhe në luftë bërthamore botërore.
Demokracitë mund të vdesin si pasojë e një coup d’état (grusht shteti) – ose mund të vdesin ngadalë. Kjo e dyta ndodh në rrjedhojë të një mashtrimi, pak nga pak: fillon me zgjedhjen e një udhëheqësi autoritarist dhe vazhdon me abuzimin e pushtetit qeverisës dhe shtypjen e plotë të opozitës. Në librin “Si vdesin demokracitë”, profesorët e universitetit të Harvardit, Steven Levitsky dhe Daniel Ziblatt paraqesin disa leksione të shkëlqyera, nxjerrë nga historia, që hedhin dritë në shkërmoqjen e regjimeve përgjatë shekujve njëzet dhe njëzet e një. Këto leksione përmbajnë një analizë alarmuese se si përmbysen demokracitë në ditët e sotme dhe shërbejnë si udhërrëfyes për qeveritë, partitë politike dhe individët, se si t’i riparojnë dhe fuqizojnë kur janë nën kërcënim.
Autori i dy librave më të shitur të momentit në mbarë botën, “Sapiens” dhe “Homo Deus”, Youval Noah Harari vjen me këtë libër duke vënë në fokus sfidat globale si epidemitë, inteligjenca artificiale, edukimi, fetë, kombet, punësimi, mjedisi, demokracia, etj., dhe ofrohen zgjidhje të cilat i shërbjenë çdo individi në epokën tonë. Këto sfida janë dhe duhet të jenë në epiqendër të debateve dhe programeve zgjedhore për çdo parti dhe qeverisje. Sidomos sot, kur kemi pak debate për çështjet mjedisore, inteligjencën artificiale, sistemet arsimore, etj.. “21 leksione për shekullin e 21” i Yuval Noah Harari-it është një hulumtim zhbirues dhe largpamës në problematikat më të nxehta të ditëve të sotme ndërkohë që lëvizim drejt hapësirave të panjohura të së ardhmes. Paraqitja e sfidave komplekse dhe bashkëkohore në mënyrë të qartë e të kuptueshme, e bën “21 leksione për shekullin e 21” një libër thelbësor për t’u lexuar, sidomos nga ata që merren më hartim politikash dhe platformash, me drejtues institucionesh por edhe qytetarë të përgjegjshëm.
Në këtë botim voluminoz me kujtime të ish-presidentit amerikan vjen odiseja e gjatë dhe e jashtëzakonshme e tij që kur ishte djalosh, në kërkim të identitetit të tij për të qenë lider i një bote të lirë, duke përshkruar në mënyrë të detajuar edukimin e tij politik dhe momentet domethënëse që shënuan ngjitjen drejt presidencës së SHBA-ve në një kohë transformimesh dramatike dhe kaotike. Po ashtu, përmes këtij libri, presidenti i 44-ërt i Amerikës bën edhe reflektime të thella të drejtimit të vendit, duke ofruar të dhëna me shumë vlerë për politikën globale të ditëve tona.
Ky libër i fuqishëm dhe i shkruar bukur nga Barack Obama përcjell bindjen se demokracia nuk është një dhuratë nga lart, por diçka e ndërtuar mbi ndjeshmërin dhe mirëkuptimin e përbashkët dhe e ndërtuar ditë pas dite nga të gjithë ne.
Ish presidenti francez Nicolas Sarkozy publikon librin me kujtime ku flet për jetën e tij si president i Francës, debatin për rikthimin në politikë, raprotet me të djathtën franceze dhe marrëdhëniet me bashkëshorten e tij Carla Bruni. Në këtë autobiografi Sarkozy hedh gjëmba edhe mbi ish-bashkëpunëtorët e tij, si ish-kryeministrin Fillon dhe lidhjet me botën e biznesit dhe politikës franceze. Por, pas leximit të këtij libri kupton vlerat e një burri shteti dhe vizionin e tij, të sjella përmes rrëfimesh të sinqerta dhe me vlerë për njerëzit e pasionuar pas politikës.
Lexo: 12 libra për biznesin gjatë vitit 2021
Kjo vepër konsiderohet si një nga manualet më të arrira që është shkruar ndonjëherë dhe që ka mbetur deri në ditët tona në fushën e lidershipit dhe qeverisjes. Prandaj, ky traktakt rekomandohet edhe sot në të gjitha shkollat e studimit të shkencave politike.
Ky libër i bën një analizë të thelluar socializmit si ideologji, përfshirë edhe ekstremin komunist të shfaqjes së tij në Shqipëri, të cilin autori e quan “enverizëm”. Socializmi, çuditërisht është i pandjeshëm kundrejt provave të dështimit të tij, që sjell përvoja e botës reale. Gjatë njëqind viteve të fundit ka pasur më tepër se dy duzina përpjekjesh për të ndërtuar një shoqëri socialiste, duke filluar nga Bashkimi Sovjetik e deri te Kina maoiste dhe Venezuela. Po që të gjitha këto përpjekje, në masë të ndryshme kanë përfunduar me dështim. Por, sipas përkrahësve të socializmit, kjo ka ndodhur për arsye se asnjë prej këtyre eksperimenteve nuk ka qenë “socializëm real”. Ky libër dokumenton historinë e këtij fenomeni, që tani është kthyer në një përgjigje standarde. Ai tregon se si pretendimi për një socializëm të rremë është ngritur gjithnjë vetëm pas dështimit të tij.
Ky libër rrok një shqyrtim personal dhe ngulmues mbi fashizmin në shekullin e XX nga ish-sekretarja Amerikane e Shtetit, znj. Madeleine Albright, njëherësh studiuese dhe profesoreshë e shkencave politike. Në këtë libër, autorja analizon trashëgiminë historike që po formëson disa ide radikale të ditëve tona të cilat rrezikojnë demokracinë dhe paqen. Shekulli i XX u karakterizua nga përplasja mes demokracisë dhe fashizmit, duke krijuar pasiguri në lidhje me ekzistencën e lirisë njerëzore dhe duke lënë miliona njerëz të vdekur në përplasjet mes tyre. Duke marrë parasysh këto tmerre njeriu pret që bota të mos i pranojë pasardhësit shpitërorë të Hitlerit dhe Musolinit, nëse lindin në epokën tonë. Tek vepra “Fashizmi, – një paralajmërim” autorja rrëfen përvojën e saj nga jeta si fëmijë në Europën e shkatërruar nga lufta dhe nga karriera e shquar e saj si diplomate. Fashizmi – një paralajmërim është një libër për kohën tonë, por që ka vlerë në të gjitha kohërat.
Lexo: Angazhimi juaj për një fundvit të veçantë
Ky libër nuk mëson vetëm si ta bësh për vete opinionin publik por edhe se si të mbrohemi nga propaganda manipuluese e njerëzve të pushtetit. “Propaganda” u shkrua në vitin 1928 nga Edward Bernays duke hedhur për herë të parë dritë mbi teknikat sistematike të komunikimit publik. Në fushën e Marrëdhënieve me Publikun, “Propaganda”, ka shërbyer në shkencën e komunikimit, si vepra themelore e kësaj disipline. Këtë manual e kanë mbajtur dhe mbajnë mbi tryezën e tyre politikanët dhe biznesmenët më të mëdhenj të shekullit të kaluar. Edëard Bernays është teoricieni i parë i Marrëdhënieve me Publikun. “Manipulimi i vetëdijshëm dhe inteligjent i opinionit të masave është një element i rëndësishëm në shoqërinë demokratike”, – shkruan ai në librin Propaganda. “Ata që manipulojnë mekanizmat e fshehur të shoqërisë përbëjnë një qeveri të padukshme, e cila në vendin tonë është forca e vërtetë e pushtetit”.
Të gjithë librat i gjeni online tek Bukinist.al
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.