Kapen mashtruesit nga Kosova që gënjenin pensionistët e vetmuar gjermanë, përfituan miliona euro - Business Magazine Albania

Kapen mashtruesit nga Kosova që gënjenin pensionistët e vetmuar gjermanë, përfituan miliona euro

Autoritetet e sigurisë në Gjermani të drejtuar nga policia e Trierit së bashku me policinë në Kosovë ia kanë dalë të godasin në një aksion ndërkombëtar një bandë kriminele që operonte nga Kosova dhe përfitonte miliona euro, duke gënjyer pensionistët me premtime për fitore në loto. Sipas policisë në Ansbach, mashtruesit flisnin një gjermanishte të pastër, por ishin rritur në Kosovë dhe Shqipëri. Procesi gjyqësor kundër këtyre personave me gjasë do të zhvillohet në Kosovë. Qëllimi është konfiskimi i parave të marra dhe zhdëmtimi viktimave, por sipas policisë, kjo nuk është e lehtë.

Aksioni policor u zhvillua në mes të nëntorit, njoftoi policia, sipas të dhënave të agjencisë gjermane të lajmeve, Dpa, të premten (27.11.). Në Kosovë u arrestuan nëntë persona të dyshuar mes tyre edhe “krerë të bandës”, bëri të ditur policia e Trierit, po ashtu u siguruan prova materiale si edhe vlera pasurie. Pjesëtarët e bandës për vite të tëra nga një Call-Center në Kosovë telefononin më së shumti persona të moshuar dhe të vetmuar, shkruan agjencia e lajmeve, AFP, duke iu referuar të dhënave të policisë. Ata u premtonin fitore në loto prej disa qindra mijëra eurosh. Por për të siguruar paratë e fituara në gjoja loton, kriminelët kërkonin, sipas policisë, pagesa tarifash si për transportin, siguracione apo kosto për noterin.

Telefona mashtruese për të krijuar mirëbesim

Përmes telefonatave të shumta, mashtruesit krijonin një marrëdhënie besueshmërie me personat e dëmtuar. Për viktimat, sipas policisë, mashtrimi krahas humbjeve materiale sillte shpesh edhe probleme psiqike. Një pensionist madje u gënjye me një gjysmë milioni euro. Policia gjermane bën të ditur se ka pasur “tragjedi njerëzore”, madje edhe persona që duhet të shpallnin tek autoritetet falimentimin privat financiar.

LEXO: Mashtruesit e TikTok fituan 500 mijë dollarë duke shitur aplikacione te të miturit

Si pikëfillesë e hetimeve gjermane shërbeu rasti i një gruaje 71 vjeçare nga Idar-Obershtain dhe një burri 64 vjeçar nga Trieri. Gruaja 71 vjeçare kishte paguar 53.000 euro gjithsej, duke i dhënë në dorë, me transfertë apo në formë të E-Cash-codes, kurse 64 vjeçari humbi një shumë më të vogël katërshifrore. Si këta dy persona ka pasur viktima të mashtrimit në të gjithë Gjermaninë.

Hetimet e policisë vazhduan për një kohë të gjatë, vetëm vitin e kaluar, policia arrestoi tre persona në moshën 21-24 vjeç në momentin e marrjes së parave cash. Ndërsa ditën e arrestimit të të dyshuarve të tjerë ishte planifikuar tërheqja e parave tek personat e gënjyer në Bavari, Austri dhe Zvicër. Me informacionet e përfituara nga këto arrestime, policia arriti të identifikojë organizatorët, të lokalizojë Call-Centerin në Kosovë e në fund ta shkatërrojë bandën, shkruan dpa. Nga pala gjermane ishin aktivizuar në këtë aksion autoritetet e policisë në Drezden, Ansbach, Bavarinë e Poshtme.

DW

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

✨ Thënia e ditës
“Suksesi është të shkosh nga dështimi në dështim, pa e humbur entuziazmin.”
— Uinston Churchill
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0