Shiko përreth gjatë ditës dhe mendo për detyrat që do t’ua dorëzoje me kënaqësi dikujt tjetër: ato të përsëritshme, të rënda, apo ato që të marrin më shumë kohë sesa duhet. Një brez i ri robotësh humanoidë po ndërtohet pikërisht për të marrë përsipër këto punë. Dhe, në varësi të fushës ku punon, shumë shpejt mund të shohësh një të tillë në magazinë, në fabrikë, në shërbimin ndaj klientit, apo edhe duke rregulluar shtëpinë tënde — shumë përpara se të mbyllet kjo dekadë.
Ja cilët janë robotët humanoidë që po udhëheqin këtë transformim sot.
Ameca
Më i miri për ndërveprim me klientët, mikpritje dhe role publike

Nëse ndonjëherë ke dëshiruar që një robot të mund të bisedojë realisht, e jo të tingëllojë si një menu automatike shërbimi, atëherë Ameca është roboti që duhet të njohësh. I krijuar nga kompania britanike Engineered Arts, Ameca është ndërtuar për të komunikuar në mënyrë natyrale: të shikon në sy, lexon reagimet e tua dhe përshtat mënyrën e të folurit sipas situatës. Ameca mund të vendoset në hotele, muze, panaire, showroome apo evente dhe të shndërrohet menjëherë në fytyrën e një brand-i. Ai komunikon në mbi 50 gjuhë, bën gjeste, reagon emocionalisht dhe mund të personalizohet sipas nevojave të kompanisë, nga përshëndetja e vizitorëve deri te shpjegimi i ekspozitave. Nëse synimi është që njerëzit të ndihen të mirëpritur, të informuar apo të argëtuar, Ameca është roboti i duhur për atë moment.
Atlas
Më i miri për punë industriale me rrezik të lartë dhe lëvizje komplekse

Disa punë kërkojnë një robot me aftësi fizike të jashtëzakonshme, për të ngjitur, balancuar, kthyer apo lëvizur në terrene të paparashikueshme. Pikërisht për këtë është ndërtuar Atlas nga Boston Dynamics. Atlas lëviz më shumë si një atlet i trajnuar sesa si një makinë. Ai kërcen, rrotullohet, rikuperon ekuilibrin në mes të lëvizjes dhe vepron me një kontroll të plotë të trupit. Këto aftësi e bëjnë ideal për skenarë si ndërhyrje në fatkeqësi, emergjenca apo ambiente industriale të rrezikshme. Nëse puna përfshin zona të rrezikshme ku një gabim i vogël mund të kushtojë shumë, Atlas tregon se çfarë është e mundur kur një robot lëviz me vetëdije “njerëzore” dhe stabilitet mbinjerëzor.
Figure 03
Më i miri për punë shtëpie dhe detyra që kërkojnë arsyetim

Figure 03 është roboti që nuk kryen thjesht lëvizje, por kupton procesin. Ai është ndërtuar për të vëzhguar mënyrën si kryen një detyrë dhe më pas ta përsërisë atë, nga palosja e rrobave te vendosja e enëve në lavastovilje. I pajisur me sistemin Helix AI, Figure 03 ka kamera më të avancuara, fushëpamje më të gjerë dhe vonesë minimale reagimi, duke i lejuar të kuptojë ambiente të rrëmujshme si një njeri. Duart e reja me majëza të buta sensoriale i japin kontroll të saktë mbi objekte delikate. Me materiale më të buta, karikim pa kabllo dhe funksionim më të qetë, ky është roboti i parë i Figure që ndihet vërtet si pjesë e shtëpisë, jo si një eksperiment laboratori.
Optimus (Tesla Bot)
Më i miri për automatizim fabrikash dhe punë të përsëritshme

Optimus është ndërtuar për të marrë përsipër detyrat monotone të linjave të prodhimit. Ai mund të transportojë pjesë, të rendisë materiale dhe të kryejë punë që lodhin punëtorët njerëzorë. Tesla po e trajnon Optimus direkt në ambientet e saj reale të prodhimit, jo në skena demonstrative. Roboti tashmë lëviz mes njerëzve, njeh objekte dhe kryen detyra bazike në mënyrë autonome. Optimus përfaqëson një të ardhme ku puna më rraskapitëse i delegohet një “bashkëpunëtori” mekanik që nuk lodhet dhe nuk humb fokusin.
NEO
Më i miri për asistencë personale dhe shërbime shtëpie

Jeta e përditshme është plot me detyra të vogla që na marrin kohë. Pikërisht këtu hyn NEO nga kompania 1X. Me forma të buta dhe lëvizje të kujdesshme, ai është projektuar për të jetuar mes njerëzve — duke nxjerrë mbeturinat, ujitur bimët apo rregulluar ambientin. NEO është mjaftueshëm i fortë për të ngritur objekte të rënda, por edhe mjaftueshëm i sigurt për të operuar pranë fëmijëve dhe kafshëve shtëpiake. Fillimisht mbështetet nga monitorim në distancë, por synimi është që të mësojë dhe të funksionojë në mënyrë të pavarur.
Unitree H2
Më i miri për kërkime, zhvillues dhe eksperimente industriale

Unitree H2 është më i përballueshëm se shumica e humanoidëve dhe ideal për ekipe kërkimore, startup-e dhe zhvillues. Ai është i shpejtë, ekspresiv dhe shumë fleksibël, duke e bërë perfekt për testime, prototipe dhe trajnime AI. Me bateri solide dhe kompjuter të integruar, H2 u jep zhvilluesve lirinë për të eksperimentuar pa kosto marramendëse.
Walker S2
Më i miri për fabrika që duan humanoidë tani, jo nesër

Në fabrikat më moderne të Kinës, Walker S2 tashmë është pjesë e turnit të punës. I prodhuar nga UBTECH, ky robot është vendosur në qindra njësi industriale. Ai lëviz në ambiente të mbushura, transporton pjesë, përdor mjete dhe madje ndërron vetë baterinë për të minimizuar ndërprerjet. Walker S2 tregon se përdorimi masiv i humanoidëve nuk është më teori, është realitet.
Jemi vetëm në kapitullin e parë të epokës humanoide. Robotët humanoidë që po hyjnë sot në fabrika, shtëpi dhe hapësira publike janë vetëm fillimi. Me rënien e kostove, përmirësimin e inteligjencës artificiale dhe zgjerimin e përdorimit, këto makina po riformësojnë mënyrën si punojmë dhe jetojmë. E ardhmja nuk është njeri kundër makinerisë, por njeri dhe makineri, krah për krah.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.