40 të rinj shqiptarë të diasporës nisin në gusht eksperiencën e tyre OriginAL - Business Magazine Albania

40 të rinj shqiptarë të diasporës nisin në gusht eksperiencën e tyre OriginAL

OriginAL

Dyzetë pjesëmarrës janë përzgjedhur për të qenë pionierët e përvojës së parë OriginAL në Shqipëri dhe Kosovë. Të rinjtë e moshës 18 deri në 24 vjeç do ta nisin këtë turne në Prishtinë më 10 gusht dhe do ta përfundojnë në Tiranë më 22 gusht. Edhe pesë të rinj vendas nga Shqipëria dhe Kosova do t’i bashkohen homologëve të tyre nga diaspora gjatë këtij udhëtimi të jashtëzakonshëm, për të krijuar një sinergji që krijon jetëgjatësi. miqësi dhe bashkëpunime të mundshme.

Pjesëmarrësit e përzgjedhur vijnë nga 15 vende me vetëm një gjë të përbashkët – origjinën shqiptare. Ata përfaqësojnë gjeneratën e dytë dhe të tretë të emigrantëve, të cilët edhe pse të lindur dhe të rritur në kultura të ndryshme dhe multietnike janë të etur për të zbuluar rrënjët e tyre.

Lexoni: Original, programi i të rinjve të diasporës prezantohet në Tiranë

Itinerari OriginAl është projektuar për të mbuluar disa nga vendet më të rëndësishme të Shqipërisë dhe Kosovës. Udhëtimi do të nisë në Prishtinë më 10 gusht dhe do të vazhdojë në Mitrovicë më 12 gusht. Prej aty, rrugës për në Prizren, do të ndalen pranë memorialit të familjes Jashari në Prekaz, ku do të takohen me familjarët.

Në Prizren do të marrin pjesë në festivalin e filmit të shkurtër dhe dokumentarit DokuFest dhe do të shijojnë bukuritë natyrore të Malit të Sharrit. Para se të arrijnë në Gjakovë, do të vizitojnë kooperativën e grave të Krushës, të udhëhequr nga Fahrije Hoti – personazhi kryesor nga i cili u frymëzua filmi fitues i Sundance – ‘Hive’. Në Gjakovë do të vizitojnë nënë Ferdonija dhe do të përjetojnë qytetin e vjetër – “Çarshia”. Lezha do të jetë destinacioni i radhës, ku do të ndalen në memorialin ku prehet heroi ynë kombëtar – Gjergj Kastrioti Skenderbeu, për t’i bërë homazhe për jetën e tij dhe Lidhja Bashkuese e Lezhës, e mbajtur në vitin 1444. Për të mësuar më shumë rreth historisë së Skënderbeut, do të vizitojnë Muzeun dhe Kalanë e Krujës.

Prej aty, nëpërmjet Durrësit do të udhëtojnë drejt Vlorës, ku do të kenë mundësinë të shijojnë detin Jon dhe mrekullitë që ofron qyteti i pavarësisë. Para se të arrijnë në Tiranë, do të ndalen në qytetin e dritareve, Berat, për të eksploruar historinë dhe bukurinë e tij. Tirana, Kryeqyteti Evropian i Rinisë në 2022, do të jetë destinacioni përfundimtar, ku janë rezervuar shumë aktivitete të paharrueshme për të gjithë pjesëmarrësit e OrigjinAL.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0