Albert Gjoka, menaxher i Bukinist
Libra që ju vijnë në ndihmë sipërmarrjes shqiptare për të kapërcyer vështirësitë, për të arritur rezultate maksimale, për të rritur ndikimin dhe për të jetuar në harmoni.
Përgjatë vitit të dytë radhazi po i drejtohemi komunitetit të biznesit shqiptar me një listë rekomandimesh për t’u lexuar gjatë gjithë vitit, të cilët janë edhe mentorët më të mirë për secilin prej tyre.
Dëshira e mirë që të ketë biznesmenë dhe menaxherë që lexojnë, – e shoqëruar edhe me idetë e reja dhe novacionin që sjellin librat e rinj që hidhen në qarkullim, – edhe përgjatë 2021 ne kemi përzgjedhur 12 tituj. Kjo përzgjedhje librash është e diktuar edhe nga situata e pandemisë, e cila duket se do të jetë si pengesë madhe për këdo, – e sidomos për komunitetin e biznesit, – edhe për të paktën 6 apo 9 muajt e ardhshëm.
Veç të tjerash, janë edhe sfidat e tregut, konkurrenca, avancimi i teknologjive për të cilat liderët dhe menaxherët duhet të mendojnë parreshtur në një botë plot sfida.
Prandaj, ne themi: Lexoni! Mos ndaloni për asnjë moment! Mbajeni librin në mjediset e biznesit dhe në tavolinën e punës si një mentor me vlerë të madhe, që ju jep njohuri më të plota dhe më të thelluara dhe ju vjen në ndihmë për të ndërtuar strategji dhe kapërcyer situata të caktuara!
Nuk ka mënyrë më të mirë për ta çuar para lojën tuaj dhe nuk ka mënyrë efektive për t’u frymëzuar sesa leximi. Ata që shkruajnë kanë gjithmonë diçka për të thënë. Merrini këto dije që vijnë përmes librave dhe bëjini pjesë të mendësisë, zhvillimit dhe aktivitetit të përditshëm të biznesit tuaj!
Ne jemi bazuar në përzgjedhjen e listës së rekomanduar përgjatë vitit 2021 për t’ju dhënë një mendësi fituese; për të rritur ndikimin tuaj në mjedisin e biznesit apo në kompaninë tuaj; libra që ju ndihmojnë për të bërë punë të spikatura, për të rritur kreativitetin, për t’ju ndihmuar në marketingun e biznesit tuaj, libra për të menduar ndryshe, për të çliruar potencialin brenda jush si lider apo si menaxher, për të përmirësuar teknikat e shitjeve, për të pasur përmirësim të vazhdueshëm të treguesve të biznesit tuaj, për të gjetur mentorët e duhur, për të rritur mirëqenien për ju dhe bashkëpunëtorët tuaj, për të kapërcyer sfidat e përditshme, për të rritur fokusin, për të shumëfishuar rezultatet e punës, e kështu me radhë.
Bukinist e ka përmirësuar ndjeshëm listën e librave për biznesin dhe zhvillimin personal, duke sjellë edhe botime në anglisht. Tek lista e vitit 2021 ka edhe tituj që janë botuar në SHBA dhe Europë, të hedhur në qarkullim edhe gjatë muajve të fundit.
Për më shumë, ju ftojmë që të shikoni listën:
- “Loja e pafundme” nga Simon Sinek (botim në i shqip, i Minerva)
Jeta është një lojë e pafundme. Ndërsa futbolli është një lojë e fundme, që ka një rezultat dhe një fitues dhe një humbës. Na ndodh që mund të humbasim; të goditemi rëndë nga një situatë; – ashtu siç edhe po përballemi edhe me pandeminë, – por ky është një moment, – dhe nuk është vetë jeta jonë. E nesërmja sjell gjëra të tjera, të cilat mund të jenë, – pse jo – do të jenë më të mira. Këtë lojë të mëson edhe Simon Sinek në këtë libër, të cilin ne e kemi rekomanduar për të qenë pjesë e leximeve për biznesin gjatë vitit 2021. Është shumë e rëndësishme për këdo për të qenë në lojë, sidomos në momente të tilla kritike si ky që po përjetojmë të gjithë, – prandaj secili prej jush do të mësojë më shumë nga idetë dhe shembujt që sjell ky libër.
Lexo: Përfitimet e lexuesit nga diagnoza e librit Gjak i keq
- “Shprehi atomike” nga James Clear (botim në shqip nga Pema)
Jeta jonë përbëhet nga shprehi(zakone), shumica e të cilave janë të fituara gjatë jetës. Nëse reflektojmë pak për veprimet tona që kryejmë në përditshmëri, kërkojmë të gjejmë arsyet pse, – sidomos në ato raste kur dështojmë, – fillojmë të kuptojmë një pjesë të arsyeve të gjendjes apo rezultateve tona. Autori i ka zbërthyer shkaqet e shprehive tona përmes pesë hapave, dhe ka propozuar mënyra për të ndryshuar, në funksion të synimeve dhe qëllimeve që kemi në jetë. Ndryshimi vjen jo thjeshtë në nivel sipërfaqësor, apo kontekstual, por edhe në nivelet më të thella që prekin deri identitetin tonë. “Shprehi atomike” është një ndër librat më të mirë për të ndryshuar shprehitë tek një individ apo organizatë, prandaj e kemi përzgjedhur si një libër për tu lexuar nga biznesi në një kohë kur përballemi me ndryshime të shpeshta, të cilat kërkojnë shprehi të reja.
- “GRIT”, by Angela Duckworth (botim në anglisht)
Tashmë, kemi kaluar tek mendësia. Njohja e mendësisë është një çështje kyçe për këdo që synon të kuptojnë kontekstin dhe të ecin përpara në realitete kaq sfidante sa ky që po kalojmë gjatë kësaj periudhe. Pra, përshtatja me situatat kërkon edhe mendësi të re. Ata që kanë lexuar “Mendësia” të Carol Dweck e kuptojnë se çdo të thotë të kesh një mendësi të hapur. Ne, kësaj radhe kemi përzgjedhur librin “Grit” të Duckworth, e njohur nga lexuesi shqiptar edhe për librin “Forca e karakterit”. Në këtë libër autorja jep një leksion me vlerë për prindërit, mësuesit, studentët dhe njerëzit e biznesit se çelësi i suksesit nuk është talenti por këmbëngulja e përqendruar. Identifikimi i pasioneve tona dhe ndjekja e vazhdueshme e angazhimeve na ndihmon për të kapërcyer vështirësitë.
- “This is marketing” të Seth Goding (botim në anglisht)
Një nga disiplinat që ka pësuar më shumë ndryshime radikale gjatë viteve të fundit në botën e biznesit është marketingu. Teoritë tradicionale të markeringut kanë pësuar tronditje për shkak të ndryshimit radikal të mënyrës sesi komunikojmë sot, falë zhvillimit të teknologjisë dhe përdorimit të rrjeteve sociale. Ky libër vlen për këdo që nis një biznes; që ka një sipërmarrje të vogël apo është pjesë e një koorporate të madhe.
Përmes shembujve që sjell autorja, vëzhgimeve dhe analizave, ky libër do t’ju ndihmojë sesi ta prezantoni më mirë produktin apo shërbimin në treg. Krijimi i besimit, mjeshtria e pozicionimit në treg, roli befasues i tensionimit në vendimmarrjen nga blerësi, mënyrat e reja të reklamimit sot, janë disa prej mjeteve që analizon autori dhe që do t’ju vlejnë edhe ju në punën tuaj të përditshme në sipërmarrjen tuaj.
- “21 ligjet e padiskutueshme të lidershipit” nga John C. Maxwell (botim në shqip nga Bota Shqiptare)
Drejtuesit dhe menaxherët e biznesit ndodhen përballë sprovave të vështira, prandaj sot është më e vështirë për të qenë lider sesa në ditë me ujëra të qeta. John Maxwell është ndër mjeshtrat më të shquar të studimit të lidershipit. Ai ka një përvojë mëse 30-vjeçare në këtë fushë. Mësimet e tij kanë ndryshuar fatin e shumë individëve apo koorporatave.
Në këtë libër vijnë këshilla jete përmes vëzhgimeve që autori ka bërë tek drejtues të fushave të ndryshme si biznesi, politika, sporti, lufta, ku roli i liderit mbetet përherë kyç.
- “Challenger sale” të Matthew Dixon dhe Brent Adamson (botim në anglisht)
Shitja është ndër pikat më jetike të një biznesi. Mund të kesh një produkt të shkëlqyer, por nuk di sesi ta shesësh. Sot, më shumë se kurrë, po bëhet e qartë se shitja nuk është art i lindur i menaxherit, por është një disiplinë që mësohet në shkollë, në treg, përmes trajnimeve dhe librave. Autorë të mëdhenj si Zig Ziglar apo Brian Tracy kanë edukuar me miliona shitës profesionistë në të gjithë botën. Ne kemi përzgjedhur një libër të ri, “Challenger sale”. Në këtë libër ju vjen sekreti i suksesit në shitje, ndryshe nga sa e keni mësuar deri më tani: Shitësit më të mirë jo vetëm që ndërtojnë marrëdhënie me klientët e tyre, por i sfidojnë ata. Autorët kanë analizuar në detaje performancën e mijëra shitësve të kompanive të mëdha në të gjithë botën. Shitësi sfidant ka performancë vazhdimisht, ndërsa shitësit e zakonshëm e kanë me zigzake. Lërini faktet dhe karakteristikat e produkteve, por jepuni të dhëna klientëve sesi ata të mund të kursejnë apo të fitojnë më shumë para. Në këto kohë kur kemi nevojë për shitësin sfidantë, ky libër ju vjen në ndihmë për të pasur më shumë të tillë në kompaninë tuaj.
- “Zgjoni gjigandin e brendshëm” të Anthony Robbins (Botim në shqip, Elta BS)
Një nga gjërat më të rëndësishme në një biznes është të gjesh njerëz të motivuar. Vetëmotivimi është gjysma e arsyes për të pasur punonjës të aftë dhe biznese të suksesshme. Për këtë arsye, ne kemi përzgjedhur Anthony Robbins si një prej mjeshtrave më të shquar të disiplinës së zhvillimit personal. Pas librit “Pushtet i pakufishëm”, Robbins e ka përmirësuar formulën e tij për të ndihmuar secilin prej nesh që të çlirojmë “gjigandin” brenda nesh dhe të shpalosim potencialin tonë të plotë. Megjithëse ka shumë vite që ka dalë ky libër, sërish mbetet ndër botimet më me ndikim në fushën e zhvillimit personal.
Lexo: Industria e librit ndryshon nga pandemia Covid-19
- “Tools of Titans” të Tim Ferriss (botim në anglisht)
Njerëzit që kanë përvojë gjithmonë janë të aftë që të ofrojnë zgjidhje. Prandaj, këshilltarët kanë një rol kritik për një drejtues apo menaxher biznesi, – sidomos kur është i ri në moshë dhe ka përgjegjësi të madhe në biznes.
Libri i Tim Ferris konsiderohet si ndër më të mirët në botë në fushën e mentorimit, prandaj edhe ne e kemi përfshirë në listë për tu lexuar nga njerëzit e biznesit në Shqipëri. Ky libër përmban mjete të sprovuara tashmë dhe taktika që nuk gjenden askund tjetër, – të ofruara nga mësime jete të njerëzve me përvoja të mëdha të cilët nuk i keni takuar në jetën e përditshme. Por, jo vetëm aq. Vetë Tim Ferris thotë se ka mësuar shumë duke e përgatitur këtë libër, dhe secili prej lexuesve do të ketë padyshim një mentor të shkëlqyer duke e lexuar këtë libër.
- “Të shesësh gjithçka” të Brad Stone (botim në shqip nga Minerva)
Nuk mund të mbetej jashtë listës së rekomandimeve ky libër për faktin e thjeshtë: Kur miliona biznese në gjithë botën u groposen gjatë pandemisë, Amazon doli më i përbindshme se kurrë, duke arritur rekorde historike. Falë situatave që krijoi pandemia, kompania e Jeff Bezos arriti në nivelin e triliarda dollarëve. Shumëkush ka ç’të mësojë në këtë biografi të dyfishtë të vetë Bezos dhe të Amazonit. Këtu ka të dhëna jo vetëm për mënyrën sesi funksionon e-commerce, por edhe sesi sfidohen problemet, sillesh me konkurrentët apo ndërton një kompani ku klienti është më i rëndësishëm se çdo gjë tjetër. Për këto, dhe shumë arsye të tjera, e rekomandojmë këtë libër për njerëzit e biznesit që kanë vizione dhe qëllime të larta.
- “Pengesa ëshët rrugëdalja” të Rayn Holiday (botim në shqip nga Minerva)
Vështirësitë ose na kalisin duke na bërë më të fortë ose na varrosin. Mënyra sesi sillemi ndaj sfidave që kalojmë në jetë përcakton edhe suksesin apo dështimin në sipërmarrjet tona. Për këtë arsye e kemi rekomanduar librin “Pengesa është rrugëdalja” të Rayn Holiday sepse ndërton një qasje ndryshe sesi mund t’i kthejmë vështirësitë që përballemi në përditshmë në leksione jete përmes të cilave dimë që të ecim para.
Ky libër vërtitet mbi një filozofi të tërë jete që kanë ndërtuar shumë shekuj më parë stoikët, e cila, sot shërben më shumë se kurrë për të na ndihmuar si mjet që që kapërcejmë pengesat që hasim në jetën tonë.
- “Big magic” të Elizabeth Gilbert (botim në anglisht)
Kreativiteti është një prej gjërave që na veçon nga të tjerët. Ai nuk është një gjë e lindur, siç është menduar rëndomtë deri më tani, por atë mund ta nxjerrim brenda vetes përmes teknikash dhe mënyrash të reja. Ne mund ta gjenerojmë kreativitetin brenda nesh, përmes një shtegtimi dhe kërkimi të parreshtur. Këtë gjë na mëson edhe Daniel Coyle me librin e tij “Çelësi i talentit”, por edhe autorë si Malcolm Gladwell, apo Brian Tracy. Lexuesit e të gjitha moshave dhe sferave të jetës kanë marrë frymëzim dhe fuqizim nga librat e Elizabeth Gilbert për vite me radhë. Gilbert ofron njohuri për natyrën misterioze të frymëzimit. Ajo na kërkon të përqafojmë kureshtjen tonë dhe të heqim dorë nga vuajtjet e panevojshme. Ajo na tregon se si të trajtojmë atë që duam më shumë dhe si të përballemi me atë që kemi më shumë frikë. Ajo diskuton qëndrimet, qasjet dhe zakonet që na duhen që ta jetojmë jetën tonë në mënyrë sa më krijuese.
Nëse kërkojmë të shkruajmë një libër, të bëjmë art, të gjejmë mënyra të reja për të adresuar sfidat në punën tonë, të nisim një ëndërr të shtyrë prej kohësh, ose thjesht të mbushim jetën tonë të përditshme me më shumë vëmendje dhe pasion, idetë e Big Magic hapin një botë mrekullie dhe gëzimi për çdo lexues.
- “Ti je Placebo” nga Joe Dispenza (Botim në shqip nga Efekos)
Në ditët tona nuk duhet të kemi vetëm një inteligjencë racionale apo emocionale të lartë, por edhe një botë shpirtërore të pasur. Joe Dispenza është një prej mendimtarëve më të mirë të kohës tonë, doktor shkencash në fushën e neurologjisë, dhe autor i disa librave të suksesshëm. “Ti jep placebo” dhe “Becoming supernatural” janë dy bestseller-a absolutë në të gjithë botën. Por, jo vetëm aq.
Libri që po rekomandojmë jep një këshillë të rëndësishme. Ne jemi placebo e vetes tonë. Mendimi na shëron ose na shkatërron. Prandaj duhet të ndërtojmë një mënyrë të shëndetshme të të menduari. Përmes mënyrës sesi mendojmë ne mund të ndryshojmë perceptimin për realitetin, ashtu siç ne e dëshirojmë atë. Këtë libër ju do ta keni një armë të fortë për të kuptuar thelbsin e procesit të të menduarit, për ta kontrolluar atë dhe për të qenë më të aftë për të arritur qëllimet tuaja.
Kjo është lista e 12 rekomandimeve tona gjatë vitit 2021, ku sigurisht mungojnë libra të natyrës profesionale dhe konkrete të të bërit biznes.
Ne duhet të kemi një të menduar të shëndetshëm dhe fitues në mendjen tonë, – të rrisim ndikimin tek partnerët dhe bashkëpunëtorët tanë, të maksimalizojmë aftësitë tona, të luajnë lojën tonë, mendojmë ndryshe dhe reflektojmë për veten tonë, përmirësohemi parreshtur, e shijojmë jetën siç duhet, mbajmë pranë vetes mentorët më të mirë dhe spikasim kudo. Këto janë jo thjeshtë leksione, por janë mjete për të cilat sot kemi më shumë nevojë se asnjëherë tjetër. Dhe këto mjete i gjejmë lehtë dhe me pak kosto, përmes librave, të cilat Bukinist ua sjell në mjediset e zyrave tuaja.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.