10 Teknologji befasuese, të cilat po zhvillohen në vitin 2021 - Business Magazine Albania

10 Teknologji befasuese, të cilat po zhvillohen në vitin 2021

10 Teknologji

Teknologjia në vitin 2021 po zhvillohet me hapa galopantë, duke bërë të mundur progres dhe ndryshime të mëdha kryesisht si pasojë e pandemisë që preku gjithë rruzullin tokësor. Ajo që është e rëndësishme në këtë botë, gjithmonë e më shumë në ndryshim, është të qëndrojmë të përditësuar me këto teknologji të reja për t’i përdorur plotësisht për të lehtësuar jetën tonë. 

Vaksinat ARN Messenger

Një ndër risitë që nuk mund të mungonte janë vaksinat ARN Messenger. Kur pandemia Covid-19 u përhap vitin e shkuar, shkencëtarët në disa kompani bioteknike kthyen shpejt vëmendjen te ARN messenger si një mënyrë për të krijuar vaksina që mund të parandalonin virusin e ri. Në fund të dhjetorit 2020, në një kohë kur më shumë se 1.5 milionë persona kishin vdekur nga Covid-19 në të gjithë botën, vaksinat u miratuan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke shënuar fillimin e fundit të pandemisë. Dy vaksinat më efektive kundër koronavirusit bazohen në ARN messenger.

ARN Messenger, ndryshe nga molekulat e tjera kimike dhe biologjike janë një set instruksionesh të cilat drejtojnë qelizat e trupit për të krijuar më shumë proteina të cilat më pas do të panadalojnë ose luftojnë sëmundjet. Vaksinat e mARN mund të modifikohen lehtë dhe shpejt edhe nëse virusi vazhdon të krijojë mutacione. Messenger ARN gjithashtu ka dhënë shpresë për rregullime të gjeneve në sëmundjen e qelizave drapër dhe HIV, ndërkohë që po punohet për përdorimin e mARN në luftimin e kancerit.

Artikulli u publikua më parë në faqen  80  të numrit 26 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Siguroni këtu nr. 26 të saj.

GPT-3

GPT-3 është një model gjuhe, i përshtatshëm për procesimin e gjuhës. GPT-3 mund të shkruajë ese, poema, mund t’u përgjigjet pyetjeve, mund të plotësojë automatikisht një kërkesë dhe më e rëndësishmja mund të kodojë. Ai u lançua në maj të 2020 nga kompania Open AI, në pronësi të Elon Musk. GPT-3 është trajnuar me 570 gigabit tekste, të marra nga interneti dhe wikipedia dhe mund të lehtësojë punën e shumë programuesëve, duke kryer të gjithë procesin e kodimit. 

Por GPT-3 nuk e kupton se çfarë po shkruan, kështu që ndonjëherë rezultatet janë të ngatërruara dhe të pakuptimta. Duhet një fuqi e madhe, sasi e madhe të dhënash dhe parash për t’i trajnuar, duke e kufizuar zhvillimin e modeleve të ngjashme në ato laboratore të cilët kanë burime të jashtëzakonshme. Ndërkaq, duhet mbajtur në mend se GPT-3 është trajnuar me tekste nga interneti, i cili është i mbushur me informacione të pasigurta dhe ndonjëherë të pasakta, kështu, shpesh prodhon pasazhe të njëanshme, të ngjashme apo të pakuptimëta. 

Algoritmet e rekomandimeve të TikTok

Që nga lancimi i tij në Kinë në vitin 2016, TikTok është bërë një nga rrjetet sociale me rritjen më të shpejtë në botë. Është shkarkuar miliarda herë dhe ka tërhequr qindra miliona përdorues. Kjo, sepse algoritmet që fuqizojnë faqen “For You” të TikTok kanë ndryshuar mënyrën se si njerëzit bëhen të famshëm në internet.

Ndërkohë që platformat e tjera janë më shumë të orientuara drejt përmbajtjes me tërheqje masive, algoritmet e TikTok duken më të prirura drejt krijuesve të rinj, sesa drejt shfaqjes së personave të famshëm. Ata janë veçanërisht të aftë të ofrojnë përmbajtje përkatëse për komunitetet e përdoruesve që ndajnë një interes ose identitet të veçantë.

Mundësia që u ofrohet krijuesve të rinj për të marrë shumë shikime, shumë shpejt dhe lehtësia me të cilën përdoruesit mund të zbulojnë shumë lloje të përmbajtjes, kanë kontribuar në rritjen mahnitëse të aplikacionit. Kompanitë e tjera të mediave sociale tani po përpiqen të riprodhojnë këto karakteristika në aplikacionet e tyre. 

Lexo: Netflix, një platformë jo vetëm për filma dhe seriale

Bateri litium-metali

Automjetet elektrike vijnë me disa faktorë, të cilët nuk e favorizojnë shitjen masive të tyre. Ato janë relativisht të shtrenjta dhe ju mund t’i ngisni vetëm disa qindra milje përpara se të kenë nevojë të rimbushen, gjë që zgjat shumë më shumë sesa mbushja e një makine normale me karburant. Të gjitha këto të meta kanë të bëjnë me kufizimet e baterive lithium-ion. Një startup i mirë-financuar i Silicon Valley thotë se tashmë kanë krijuar një bateri që do t’i bëjë automjetet elektrike shumë më komode për konsumatorin masiv.

Quhet bateri litium metali dhe po zhvillohet nga QuantumScape. Nga provat e para rezulton se, bateria mund të rrisë diapazonin e një EV me 80% dhe mund të rimbushet shpejt. Startup-i ka një marrëveshje me VW, e cila ka thënë se do të fillojë të shesë EV me llojin e ri të baterisë në vitin 2025.

Bateria është ende vetëm një prototip dhe është shumë më e vogël se ajo që nevojitet për një makinë. Por, nëse QuantumScape dhe të tjerë që punojnë me bateritë litium-metali do të kenë sukses, kjo mund t’i bëjë EV-të tërheqëse për miliona konsumatorë. 

Data Trusts

Kompanitë e teknologjisë i kanë dhënë provat se janë administrues të dobët të të dhënave tona personale. Informacioni ynë është zbuluar, vjedhur, shitur dhe rishitur aq herë sa nuk mund të numërohen. Ndoshta problemi nuk është te ne, por te modeli i privatësisë, të cilit ne i jemi përmbajtur prej kohësh, një model në të cilin, ne si individë, jemi kryesisht përgjegjës për menaxhimin dhe mbrojtjen e privatësisë sonë.

Data Trusts ofrojnë një qasje alternative, që disa qeveri kanë filluar ta eksplorojnë. Një Data Trust është një person juridik që mbledh dhe administron të dhënat personale të njerëzve në emër të tyre. Megjithëse struktura dhe funksioni i këtyre personave është ende duke u përcaktuar dhe shumë pyetje mbeten pezull, Data Trusts janë një zgjidhje e mundshme për problemet në privatësi dhe siguri. 

Hidrogjeni i gjelbër

Hidrogjeni ka qenë gjithmonë një zëvendësues potencial, intrigues i lëndëve djegëse fosile. Ai digjet në mënyrë të pastër, pa lëshuar dioksid karboni, është i dendur në energji, duke qenë kështu një mënyrë e mirë për të ruajtur energji nga burimet e rinovueshme. Gjithashtu, mund të krijohen lëndë djegëse sintetike të lëngshme që janë zëvendësime të benzinës ose naftës. Por, shumica e hidrogjenit deri më tani është bërë nga gazi natyror, procesi nuk është i pastër dhe është intensiv. 

Për shkak të rënies me shpejtësi të energjisë diellore dhe të erës, hidrogjeni i gjelbër është tani mjaft i lirë për të qenë praktik. Mjafton të përzini ujë me energji elektrike dhe paraprakisht, ju krijoni hidrogjen. Europa kryeson pasi ka filluar të ndërtojë infrastrukturën e nevojshme. 

Gjurmimi digjital i kontakteve

Kur koronavirusi filloi të përhapej në të gjithë botën, në fillim u ndje sikur gjurmimi digjital i kontakteve mund të na ndihmonte. Aplikacionet e telefonave inteligjentë mund të përdornin GPS ose Bluetooth për të krijuar një regjistër të njerëzve që kishin kaluar në të njëjtën kohë pranë të njëjtës rrugë. Nëse dikush më vonë do të rezultonte pozitiv me Covid, ai person mund të fuste rezultatin në aplikacion dhe të paralajmëronte të tjerët që mund të ishin ekspozuar ndaj tij.

Por, gjurmimi digjital i kontaktit nuk arriti të frenojë dukshëm përhapjen e virusit. Apple dhe Google krijuan shpejt karakteristika, si njoftimet e ekspozimit në shumë telefona inteligjentë, por ishte e vështirë për zyrtarët e shëndetit publik të bindnin banorët t’i përdornin ato. 

Pozicionimi hyper-accurate

Ne përdorim GPS çdo ditë. Ai ka transformuar jetën tonë dhe të shumë prej bizneseve tona. Por, GPS-i i sotëm është i saktë brenda 5 deri në 10 metra, ndërsa teknologjitë e reja të pozicionimit hiper-të sakta kanë saktësi brenda disa centimetrave ose milimetrave. Kjo po krijon mundësi të reja, duke filluar nga paralajmërimet për rrëshqitje të tokës deri te robotët e dorëzimit të porosive dhe makinat me auto-pilot, të cilat mund të udhëtojnë në mënyrë të sigurt rrugëve.

Sistemi global i navigimit BeiDou (Big Dipper) i Kinës, i cili po bën të mundur gjithë këtë, përfundoi në qershor 2020. Ai siguron pozicionimin me saktësi prej 1.5 deri në dy metra për këdo në botë. Me përdorimin e ground-based augmentation, mund të arrijë saktësi në milimetëra. Ndërkohë, GPS-i i cili ka ekzistuar që në fillimet e viteve 1990, po bën një përditësim duke lëshuar katër satelitë të rinj për GPS III, në nëntor dhe më shumë priten në orbitë deri në vitin 2023. 

Remote gjithçka

Pandemia Covid e detyroi botën të funksiononte nga distanca. Ky ndryshim ka qenë veçanërisht kritik në kujdesin shëndetësor dhe edukim. Disa vende kanë bërë një punë veçanërisht të mirë për t’i bërë shërbimet në distancë, në këto dy fusha, të funksionojnë në mënyrën e duhur për të gjithë njerëzit.

Snapask, një kompani lektorësh në internet, ka më shumë se 3.5 milionë përdorues në nëntë vende aziatike e më gjerë. Byju’s aplikacioni i të mësuarit, me seli në Indi, ka vënë re që numri i përdoruesve të tij është rritur deri në gati 70 milionë. Fatkeqësisht, studentët në shumë vende të tjera ende po punojnë përmes klasave të tyre online.

Ndërkohë, përpjekjet telehealth në Uganda dhe disa vende të tjera afrikane kanë shtrirë kujdesin shëndetësor në miliona njerëz gjatë pandemisë. Në një pjesë të botës me mungesë kronike të mjekëve, kujdesi shëndetësor në distancë ka qenë e vetmja mënyrë mbijetese. 

Inteligjencë artificiale (AI) me shumë aftësi

Pavarësisht përparimit të jashtëzakonshëm të inteligjencës artificiale në vitet e fundit, AI dhe robotët janë ende jo-inteligjentë në shumë mënyra, veçanërisht kur bëhet fjalë për zgjidhjen e problemeve të reja ose funksionimin në mjedise të panjohura. Atyre u mungon aftësia njerëzore, e gjetur edhe te fëmijët e vegjël, për të mësuar se si funksionon bota dhe për të zbatuar njohuri të përgjithshme në situata të reja.

Një metodë premtuese për përmirësimin e aftësive të AI është zgjerimi i shqisave të tij, konkretisht AI me vizion kompjuterik ose njohje audio mund të ndiejë gjëra, por nuk mund të “flasë” për atë që sheh dhe dëgjon, duke përdorur algoritme në gjuhë natyrore. Por, çfarë ndodh nëse i kombinojmë këto aftësi në një sistem të vetëm AI? A mund të fillojnë këto sisteme të fitojnë inteligjencë të ngjashme me njeriun? A mundet që një robot që mund të shohë, nijejë, dëgjojë dhe komunikojë, të jetë një asistent njerëzor më produktiv? 

Artikulli u publikua më parë në faqen 56  të numrit 26 të revistës Business Magazine AlbaniaBusiness Magazine Albania është revista e parë dixhitale me përmbajtje origjinale në shqip të orientuar nga fusha e biznesit. Ju mund të Siguroni këtu nr. 26 të saj.

Përktheu: Prishila Gjoka nga Technologyreview

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0