Nga Alesia Makaj
Një epokë e re ekonomike me fokusin në ndryshimet dhe pasiguritë gjeopolitike
Fjalimi i fundit i Presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, në Berlin Global Dialogue 2025, është një paralajmërim për të gjithë: bota po ndryshon më shpejt se hapi i zakonshëm i të të bërit politikë dhe i të qeverisurit. Evropa po hyn zyrtarisht në një epokë të re gjeoekonomike, ku fuqia po matet sigurisht me investimet në armatim, ushtri dhe kontrollin e kufinjve, por edhe me zinxhirin global të furnizimit, lëvizjen e kapitalit, investime strategjike në teknologji dhe burimet natyrore. Në këtë kohë si e sotmja, çdo instrument ekonomik po përdoret si “armë” gjeopolitike dhe çdo vonesë për t’ju përshtatur zhvillimeve mund të kushtojë shtrenjtë.
Von der Leyen pohon se koha nuk pret: Evropa duhet të veprojë me shpejtësi, të përshpejtojë inovacionin, të largojë pengesat burokratike dhe të mbrojë pavarësinë e saj ekonomike dhe strategjike. Nuk është më koha për heshtje ose analiza të ngadalta. Sfidat globale kërkojnë vizion largpamës dhe vendimmarrje të shpejtë. Çdo investim, çdo rregullim ligjor, çdo politikë duhet të matet me shpejtësinë e kohës dhe riskun që na rrethon, sepse koha e pasivitetit ka mbaruar.
Urgjenca e Evropës dhe ndikimi global
Në fjalimin e saj, Von der Leyen evidentoi se varësia energjitike, mineralet kritike dhe teknologjitë strategjike kanë potencialin të jenë “armët” e reja gjeoekonomike. Vende si Kina apo Rusia, po përdorin gjithnjë e më shumë kontrollin mbi burimet natyrore për të imponuar fuqinë e tyre politiko-ekonomike, duke krijuar presione të paprecedenta për ekonomitë e tjera. Për Evropën, përgjigjja është e qartë: diversifikim burimesh, riciklim i mineraleve kritike jo më për qëllime ekologjike sikurse shprehet Von der Leyen, partneritete të reja globale si Ukraina, Australia, Kanada, Kazakistani, Uzbekistani, Kili apo dhe Groenlanda, dhe thjeshtim i rregullave për të nxitur inovacionin dhe investimet. Mesazhi është i qartë që Evropa nuk mund të bëjë më biznes si zakonisht. Ajo duhet të parashikojë risqet, të veprojë me urgjencë dhe vendosmëri, si dhe të krijojë sisteme që mund të përballojnë krizat dhe përshtaten shpejt me to. Nga energjia tek mineralet kritike, nga inovacioni tek lëvizja e kapitalit dhe zinxhirëve të furnizimit, Evropa po kërkon të ndërtojnë pavarësi dhe siguri strategjike, pra një diskurs të ri gjeoekonomik.
Lexo edhe: Në diskutim modeli italian për monopatinat në Shqipëri
Po Shqipëria në cilën epokë është?
Edhe për Shqipërinë, këto mesazhe nuk janë të largëta. Siguria energjetike dhe e resurseve strategjike është një çështje që ndikon drejtpërdrejt realitetin tonë ekonomik, edhe pse vendi ynë nuk ka industri prodhimi si ajo e mikroçipave, gjysmëpërçuesve, apo në sektorë si ai ushtarak dhe ajror-hapësinor, ku mineralet kritike janë literalisht të përdorura si lëndë të para të prodhimit. Megjithatë, çdo presion global ose ndërprerje në furnizim mund të ndikojë në investime, në shtrenjtimin e importeve për produkteve që lidhen ngushtë me industritë e prekura, si dhe në konkurrencën e kompanive shqiptare lidhur me çmimet e energjisë, veçanërisht për bizneset e mëdha që blejnë energji në tregun e hapur.
Por sfidat mund të krijojnë dhe mundësi. Si për shembull Shqipëria mund të vijojë të rrisë kapacitetet e energjisë së rinovueshme, përfshirë investimet që lejojnë bizneset të përdorin burime të qëndrueshme dhe të rrisin pavarësinë e tyre energjetike, siç ndodhi pas krizës energjetike të shkaktuar nga lufta Rusi–Ukrainë. Po ashtu, vendi mund të hapë rrugën për investime të reja, transparente dhe konkurruese, në parqe të mëdha fotovoltaike dhe në infrastrukturë moderne energjetike.
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto