Bashkimi i Eksportuesve Shqiptarë, ku bëjnë pjesë disa shoqata prodhuese e përpunuese, ka dalë në një konferencë të përbashkët për shtyp. Alban Zusi, drejtues i këtij bashkimi i kërkon qeverisë ndërhyrje të menjëhershme, si në stabilizimin e kursit të këmbimit edhe në rimbursimin e TVSH-së për këto biznese.
Zusi tha se, në mbjedhjen e zhvilluar mes prodhuesve rezulton se dy janë faktorët kryesorë që kanë ndikuar në përkeqësimin e tejskajshëm të gjendjes ekonomike të ndërmarrjeve :
Së pari: Rënia drastike dhe e pandalshme e kursit të këmbimit euro-lek. Mbivleresimi i lekut kundrejt euros ka sjellë një humbje ekstreme për të gjitha ndërmarrjet tona. Të ardhurat e ndërmarrjeve janë në euro dhe shpenzimet janë në lekë.
Në kushtet kur euro në raport me lekun është zhvlerësuar mbi 9% gjatë vitit 2018, do të thotë një zhvlerësim i njëjtë i faturimeve (të ardhurave) për kompanitë tona. Theksojmë se fitimi mesatar i ndërmarrjeve eksportuese dhe rieksportuese është rreth 15%, që do të thotë rënie e të ardhurave në masën e 2/3 më pak vetëm për efekt të kursit të këmbimit.
Lexo: Zhvlerësimi i euros. Ahmetaj: eksportet nuk u goditën, të ardhurat në buxhet po
Së dyti : Mosrimbursimi i TVSH-së. Gjatë muajve të fundit ka patur një bllokim të rimbursimit të TVSH-së dhe për pasojë një bllokim të likuiditeteve të kompanive rieskportuese, që ka sjellë asfiksimin e sektorit, sidomos në marrëdhëniet me nënkontraktorët.
Paqëndrueshmëria e kursit të këmbimit dhe mosrimbursimi në kohë i TVSH-së sipas prodhuesve, po shkatërrojnë qëndrueshmërinë dhe aktivitetin e ndërmarrjeve tona dhe kërkon masa urgjente për normalizimin e gjendjen.
Çfarë kërkojnë eksportuesit:
1-Ndërhyrje për të stabilizuar kursin e këmbimit euro-lek.
2-Qeveria të bëjë rimbursimin e menjëhershëm të TVSH-së sipas ligjit dhe me përparësi për ndërmarrjet e përpunimit aktiv dhe ndërmarrjeve të tjera që iu takon sipas ligjit rimbursimi i TVSH-së.
3-Qeverisë të gjejë mjetet e nevojshme për të ndihmuar ndërmarrjet eksportuese të dalin nga gjendja e vështirë dhe të kontribuojë për stabilizimin dhe normalizimin e situatës ekonomiko-financiare të tyre.
Prodhuesit kërkojnë që brenda këtij muaji të ketë një reagim nga institucioneve dhe ulen në tryeza e bisedimesh për të gjetur një zgjidhje të përbashkët.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto