Mbrëmja e 30 shtatorit mbajtur në Tiranë, në sallën “Geraldinë” të Maritim Hotel Plaza, hapi siparin e edicionit të parë të eventit Gala – Tourism Grand Excellence Awards, për të nderuar aktorë të ndryshëm që veprojnë në fushën e turizmit dhe që kanë frymëzuar dhe zhvilluar këtë sektor në Shqipëri, nën organizimin e Albanian Excellence dhe Travel Magazine – Balkans.
Ideuar dhe vënë në jetë nga Flora Nikolla, presidente e Albanian Excellece dhe Flora Xhemani Baba, botuese e Travel Magazine Ballkans, me qëllimin që të evidentojnë eksperienca të suksesshme dhe praktikat më të mira të turizmit respektiv në Shqipëri, duke ndikuar pozitivisht në aktorët e kësaj industrie, që të kultivojë një kulturë ekselente në industrinë turistike, të orientuar nga cilësia dhe qëndrueshmëria, që të zgjojë shpirtin pozitiv të garës por mbi të gjitha që të vendosë piketa të forta drejt standarteve, ky projekt u përmbyll me një mbrëmje të niveleve të larta, ku parakaluan 22 ndër më të mirët e Turizmit Shqiptar, ku u nderuan me certifikata disa prej sipërmarrjeve më të spikatura dhe ku u përkujtuan figura që nuk janë më mes nesh por që me punën e tyre kanë lënë gjurmë të thella në këtë sektor.
Personalitete të larta të Politikës, Artit, Shoqërisë shqiptare dhe botës së biznesit ishin të pranishme në event. Ndër ta, Zv/Ministrja e Turizmit Znj Vilma Bello, Drejtoresha e Turizmit në Bashkinë e Tiranës Znj. Ketrina Jarazi, deputeti i Vlorës Z. Arbi Agalliu, ish-deputeti i shumë legjislaturave Z. Spartak Braho, Kryetari i Bashkisë së Lezhës Z. Pjerin Ndreu, nënkryetaret e bashkive të Gjirokastrës Znj. Esmeralda Llongo dhe Znj. Kristina Gushi, të Vlorës, Z. Klevis Kaso dhe Znj. Irena Toshkallari, të Sarandës Z. Florjan Sali, etj.
Mbrëmjen e nderuan me praninë e tyre artistët Kastriot Tusha, Eva Golemi, Jonela Golemi, Ardita Bufaj, Laura Llozi, të cilët performuan pjesë nga repertori i tyre, duke e lartësuar këtë mbrëmje gala.
Motive të bukura të fustaneve të punuara me dorë nga artizanë shqiptarë, parakaluan në një sfilatë të veçantë, organizuar nga Joni Braho dhe Handmade by Love.
Trofeu i cili iu akordua subjekteve që u nderuan në këtë event, ishte një vepër arti e derdhur në bronx, krijuar nga artistja Marjana Goxhabelliu.
Trofeu që iu akordua aplikacionit TEA, u konceptua ndryshe, për të qenë plotësisht në harmoni me tipologjinë e tij, si një produkt i inovacionit dhe teknologjisë.
Në eventin Gala krahas trofeve dhe disa certifikatave të vlerësimit, u akorduan edhe dy “In Memoriam” krejtësisht të veçantë, në nderim të figurave të Pier Paolo Ambrosit dhe Ndoc Mulajt për kontributet e tyre të shquara dhe të gjata në fushën e turizmit dhe komunitetit lokal.
Gjithashtu në event u nderuar me certifikatë vlerësimi edhe Kantina Max Mavrud, me motivacionin “Për kontributin e veçantë në kthimin e lavdisë së dikurshme, njërës prej krahinave më të shquara e të Shqipërisë, Leskovikut, përmes produktit fisnik, verës, duke zgjedhur pikërisht varietetet autoktone si Mavrud, Debinë e Bardhë Debinë e Zezë, Pinotin e famshëm të Leskovikut dhe në kultivarë internacionalë, që kanë lënë gjurmë në historinë e zonës”.
Turizëm Grand Excellence nderoi:
Fafa Resorts – Resorti më i mirë all inclusive për vitin 2023
Sharr Travel – Agjencia më e mirë turistike mbarëshqiptare për vitin 2023
Diamma Resort – Resorti më i mirë familjar për vitin 2023
Regina Group – Grupi më i mirë turistik në Shqipëri për vitin 2023
Hotel Kraal-Vlorë – Hoteli i mikritjes për vitin 2023
Albanian Rafting Group – Agjencia më e mirë për turizmin e aventurës
për vitin 2023
Shtegu i Ngjyrave – Shtegu më i mirë malor për vitin 2023
Lezha – Destinacioni më i mirë për gastronominë lokale për vitin 2023
Hotel Plaza Tirane – Biznes & Konferenca hotel , më i mirë per vitin 2023
Gjirokastra – Destinacioni më i mirë kulturor për vitin 2023
VIS Albania – Organizata më e mirë për mbështetjen e turizmit rural për vitin 2023
VM Resort & SPA – Resorti me shërbimin më të mirë për vitin 2023
Aquila`s Nest Vineyards – Diaspora shqiptare, Agroturizmi më i mirë për vitin 2023.
Perla e Tomorrit – Resorti më i mirë malor për vitin 2023
Melia Resort Durres – Investimi më i mirë për vitin 2023
Shoqata e Agroturizmit – Çmimi i Agroturizmit për vitin 2023
Finikas Lines – Agjencia më e mirë e transportit për vitin 2023
Hotel Lakaj – Hoteli më mirë në strategji dhe marketing
Saranda – Destinacioni më i mirë për vitin 2023
Kalaja e Tiranës – Destinacioni më i mirë i trashëgimisë kulturore për vitin 2023
Pushime on Top – Emisioni më i mirë për turizmin për vitin 2023
Aplikacioni TEA – Çmimi i Inovacionit per vitin 2023
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.