Një softuer me inteligjencë artificiale është vënë në përdorim nga një strukturë spitalore e NHS në West Yorkshire të Mbretërisë së Bashkuar, me qëllim përshpejtimin e diagnozës për sëmundje si kanceri në mushkëri dhe infeksionet respiratore.
Teknologjia e re, e cila ndihmon në interpretimin e radiografive të kraharorit, synon të mundësojë trajtim më të shpejtë për pacientët dhe të luajë një rol kyç në sigurinë e tyre, sipas Leeds Teaching Hospitals NHS Trust. Sipas një zëdhënësi të spitalit, AI-ja funksionon si një “bashkëpilot” për mjekët dhe është në gjendje të identifikojë deri në 85 probleme të ndryshme brenda pak minutash.
Dr. Fahmid Chowdhury, drejtuesi klinik i projektit dhe radiolog konsultant, shpjegoi se përfitimet reale do të vërehen me kalimin e kohës, sidomos kur AI të fillojë të sinjalizojë automatikisht radiografitë me anomali. “Radiografitë që përmbajnë anomali do të raportohen më shpejt,” – theksoi ai. “Kjo do të sjellë përfitime jo vetëm për ata që kanë nevojë për trajtim, por edhe për pacientët që nuk kanë probleme, duke u ofruar atyre dhe stafit mjekësor një ndjenjë sigurie.”
Lexo edhe:Aftësitë digjitale, pika e dobët e të rinjve shqiptarë – sinjal alarmi nga Eurostat
Sipas të dhënave të institucionit, çdo vit realizohen më shumë se 135,000 radiografi të kraharorit. Ky projekt është pjesë e Yorkshire Imaging Collaborative – një rrjet rajonal i imazherisë mjekësore – dhe mbështetet nga fondi britanik për diagnostikimin me AI, i cili ka akorduar 21 milionë paund për 11 rrjete imazherike në të gjithë vendin. Sipas Dr. Chowdhury, programi pilot i nisur muajin e kaluar në Leeds ka treguar tashmë efikasitetin e tij. “Kam parë vetë një rast ku, në pamje të parë, anomalia nuk ishte e dukshme, por AI e evidentoi menjëherë,” – tregoi ai.
Megjithatë, Dr. Chowdhury theksoi se inteligjenca artificiale nuk do të zëvendësojë mjekët, por do të punojë krah tyre. “Vendimi përfundimtar mbetet gjithmonë në duart e mjekut apo profesionistit të kujdesit shëndetësor,” – sqaroi ai. “AI është bashkëpiloti, jo piloti – nuk është ai që e fluturon avionin. Është mjeku që e bën këtë, ndërsa AI thjesht e mbështet gjatë rrugës.”
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.