Xheni Vata: Si u kthye nevoja për ujin e pastër në një vizion sipërmarrës! - Business Magazine Albania

Xheni Vata: Si u kthye nevoja për ujin e pastër në një vizion sipërmarrës!

Për Xheni Vatën, uji i pastër nuk është thjesht një nevojë e përditshme, por një mision që lindi nga përvoja personale dhe u kthye në një sipërmarrje me ndikim shoqëror. Si administratore e “Bluefilters Albania” dhe “Water Boutique”, ajo ka ndërtuar një model biznesi që shkon përtej tregtimit të një produkti: një hapësirë edukimi dhe ndërgjegjësimi, ku qytetarët mësojnë pse filtrimi i ujit është i lidhur ngushtë me shëndetin, kujdesin ndaj mjedisit dhe një stil jetese më të qëndrueshëm. Në këtë intervistë, Vata ndan rrugëtimin e saj dhe tregon vizionin për të ndryshuar kulturën e konsumit të ujit në Shqipëri dhe më gjerë.

Cili ishte momenti që ju bëri të kuptonit se uji i pastër nuk është thjesht një nevojë bazike, por një mision mbi të cilin mund të ndërtohet një sipërmarrje e suksesshme dhe mbi të gjitha edhe me ndikim social?

Gjithçka nisi si një nevojë personale para 15 vitesh. Në familjen tonë konsumonim ujë pusi, por ai nuk ishte në gjendjen e duhur, duke shfaqur herë pas here përkeqësim të shëndetit për disa nga pjesëtarët e familjes sonë. Kjo na detyroi të kërkonim zgjidhje serioze tek kompanitë më të mira në Europë dhe në botë për filtrimin e ujit të pijshëm.

Kështu, testuam dhe instaluam disa nga llojet e filtrave, derisa, pas disa provave, ajo që arriti të kishte më shumë rezistencë, garanci në ujin e filtruar dhe certifikime në prodhimin e filtrit ishte BlueFilters. Pas disa kohësh menduam: pse jo? Në Shqipëri ka shumë familje që jo vetëm nuk e dinë se çfarë problemesh ka uji që konsumojnë, por edhe çfarë ndikimesh ka në shëndet, familje dhe në jetën tonë të përditshme konsumimi i një uji jo të mirë.

Nga një problem i shtëpisë sonë, lindi një mision që sot është kthyer në sipërmarrje me ndikim shoqëror.

Si ka ndryshuar perceptimi i shqiptarëve për filtrimin e ujit që nga fillimi i ‘’Bluefilters Albania’’ dhe ‘’Water Boutique’’ dhe cilat janë sfidat që keni hasur më shpesh në këtë proces?

Në fillim, perceptimi ishte shumë i kufizuar pasi shumë njerëz nuk e shihnin filtrimin e ujit si një domosdoshmëri, por si luks, ose ndonjëherë pothuajse të panevojshëm, duke u mbështetur në mite të vjetra si: “Gjyshi im ka pirë këtë ujë për shumë vite dhe ka jetuar gjatë…”

Por sot, përballë realitetit, e dimë që Shqipëria, e cila rritet çdo ditë me më shumë makina, industri dhe ndërtime këto 10 vitet e fundit, ka ndotur tokën dhe ujin më shumë se 50 vitet e kaluara të marra së bashku.

Falë punës së vazhdueshme në edukim, informim dhe përvojës së drejtpërdrejtë të klientëve tanë, çdo familje apo subjekt e ka kuptuar tashmë që filtrimi i ujit lidhet drejtpërdrejt me shëndetin afatgjatë dhe me një stil jetese më të kujdesshëm.

Çdo ditë ne ofrojmë këshillim për ata që kërkojnë më shumë informacion mbi ujin që përdorin dhe mënyrat për ta përmirësuar atë. Sfida më e madhe ka qenë skepticizmi fillestar dhe mungesa e informacionit të besueshëm, por këto i kemi adresuar me transparencë, shembuj konkretë dhe rezultate të prekshme.

“Water Boutique” është konceptuar si më shumë sesa një pikë shitjeje. Si lindi ideja për ta kthyer atë në një hapësirë edukimi dhe ndërgjegjësimi?

Ideja lindi nga bindja se një produkt me ndikim social nuk mund të shitet thjesht si një produkt. Tashmë, në Water Boutique kemi një laborator të akredituar për analiza të ujit të pijshëm dhe ujërave të zeza, ku fillon zanafilla e zbulimit të problemeve të ujit.

Water Boutique ka një ekip që projekton, ideon dhe i shpjegon klientit se cili filtër i përshtatet më mirë problematikave të ujit që ka. Sepse në Water Boutique çdokush mund të gjejë markat më prestigjoze gjermane për trajtimin e ujit, si BWT Best Water Technology, Bluefilters, por edhe zgjidhje ekonomike sipas standardeve që kërkon klienti.

Gjithashtu, ne kemi ekipin tonë që kryen instalimin dhe mirëmbajtjen periodike të filtrave të ujit. Pra, tashmë Water Boutique është një institucion ku njerëzit jo vetëm blejnë, por edhe mësojnë për rëndësinë e ujit të pastër, ku shohin dhe prekin teknologjinë dhe ku ndërtohet një kulturë e re mbi kujdesin ndaj shëndetit dhe mjedisit.

Ne gjithmonë kemi ofruar trajnime të hapura për shkolla, inxhinierë të rinj, dashamirës të mjedisit, por edhe për çdo person që dëshiron të dijë më shumë rreth filtrimit dhe ndikimit që ka instalimi i një filtri uji në shëndet, natyrë dhe ekonomi.

Në vizionin tuaj, si lidhet sipërmarrja me përgjegjësinë shoqërore dhe sa i rëndësishëm është ky rol për bizneset shqiptare në edukimin e brezave për çështje të tilla jetike si uji i pastër?

Ne e shohim sipërmarrjen dhe përgjegjësinë shoqërore si dy drejtime që nuk mund të ndahen. Bizneset moderne sot nuk mund të mendojnë vetëm për fitimin; ato duhet të krijojnë vlerë për komunitetin dhe mjedisin ku veprojnë, sepse një investim në filtrat e ujit sot ka ndikim tek brezat e ardhshëm. Duke i lënë atyre një kulturë për t’u kujdesur për ujin, ulim kostot në shëndetësi, por më e rëndësishmja, në trajtimin e ujërave të shkarkimit apo ujërave të zeza, u ofrojmë brezave një natyrë më të pastër dhe një ujë të shëndetshëm.

Për Shqipërinë, kjo është veçanërisht e rëndësishme, pasi jemi një shoqëri që ende po ndërton kulturën e kujdesit ndaj burimeve natyrore. Edukimi për ujin e pastër nuk është vetëm një temë biznesi për ne, por një kontribut i drejtpërdrejtë në të ardhmen e brezave.

Cilat janë synimet tuaja për të zgjeruar ndikimin e këtij modeli sipërmarrjeje që balancon inovacionin dhe përgjegjësinë shoqërore?

Synimi ynë është që modeli i Water Boutique të mos mbetet i kufizuar duke menduar vetëm për të blerë një filtër uji, por të sigurohemi që ky filtër ka certifikimet e duhura dhe është në përputhje me cilësinë e ujit të kërkuar.

Çdo vit organizojmë Maratonën e Ujit të Liqenit të Tiranës, më 22 mars, që korrespondon me Ditën Botërore të Ujit, duke bashkuar të rinj e të moshuar për një mision: uji ka nevojë për vëmendjen tonë; është përgjegjësi e secilit prej nesh të bëhet misionar i ujit.

Ne punojmë çdo ditë jo vetëm me ekipin tonë, por edhe në bashkëpunim me institucionet shtetërore dhe ato sociale, për të avancuar vizionin e Water Boutique. Ku ka ujë, jemi ne.

Ky artikull është publikuar në numrin 39 të revistës Businessmag

Abonohu për të lexuar artikujt e BM!

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

✨ Thënia e ditës
“Kurrë mos iu ndaj parimeve të tua të nderit dhe qëllimit të mirë.”
— Winston Churchill
Must watch
Business Mag Nr. #39 – Shtator 2025

‘’Zgjidhni njeriun’’ … ‘’Punësoni për aftësitë e buta’’….   Janë sot postulate nga ekspertët dhe studiues të tregut të punës, të cilat iu drejtohen stafeve të burime njerëzore. Mund edhe të duket pak romantike për kohën që po jetojmë, por zgjedhja e njeriut të duhur për t’i hapur dyert e zyrës, për ta futur në gjirin e skuadrës tënde dhe për t’i dhënë pushtetin e të folurit në emër të brand-it tënd ka sot vlerë më shumë se kurrë më parë. Rëndësia e ‘aftësive të buta’ qëndron në faktin e të zotëruarit të cilësive si komunikimi, dëshira për të provuar e qenë kurioz, bashkëpunimi, empatia, besnikëria, etika e lartë dhe padyshim ndershmëria; tipare të cilat nuk janë edhe aq të thjeshta për tu gjendur në njeriun modern i cili duket se vrapon pas trendeve, të resë dhe virales dhe për të cilin çdo gjë që ka më shumë ndjeshmëri seç duhet është ‘jashtë mode’.

Për ne shqiptarët shumë nga këto vlera njerëzore janë edhe vlera të familjeve tona, vlera të cilat jan duartrokitur gjithmonë në mjediset ku jemi rritur, por që ndoshta nuk duartrokiten edhe shumë sot, ndër breza më të rinj…, ose të paktën nuk duartrokiten në publik. 

E kush më …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0