WhatsApp, aplikacioni i mesazheve që nisi në vitin 2009 dhe u ble nga Facebook për 19 miliardë dollarë në 2014, ka arritur një tjetër majë historike, mbi 3 miliardë përdorues aktivë në muaj. Lajmin e dha vetë CEO i Meta-s, Mark Zuckerberg, gjatë publikimit të rezultateve të tremujorit të parë të vitit 2025.
Kjo e bën WhatsApp-in një nga vetëm dy aplikacionet në botë, së bashku me vetë Facebook-un, që kap këtë shifër të jashtëzakonshme përdorimi.
Lexo gjithashtu: ChatGPT po ndryshon personalitet, Sam Altman pranon se ishte bërë “i padurueshëm”
Mbi një app mesazhesh, WhatsApp si “kalë beteje” për inteligjencën artificiale të Meta-s
WhatsApp nuk është më thjesht një platformë për të shkëmbyer mesazhe. Sot, është një nga kanalet kryesore të shpërndarjes së inteligjencës artificiale të Meta-s. Sipas CFO-së së kompanisë, Susan Li, përdoruesit angazhohen më së shumti me Meta AI pikërisht përmes WhatsApp-it, kryesisht në biseda një më një.
Zuckerberg e pranoi se në tregje si SHBA-ja, ku dominon ende aplikacioni i parazgjedhur i mesazheve në telefon, Meta ka hasur më shumë sfida për ta promovuar AI-në përmes WhatsApp-it. Kështu që po investon në aplikacionin e ri Meta AI si një platformë më e dedikuar për tregun amerikan.
Lexo gjithashtu: Elon Musk nuk na qenka themeluesi i vërtetë i Tesla!
WhatsApp Business po bëhet një motor fitimi
Megjithëse WhatsApp mbetet falas dhe pa reklama për përdoruesit, Meta po e shndërron në një gjenerator të ardhurash për bizneset. Në tremujorin e parë të vitit, WhatsApp Business kontribuoi ndjeshëm në 510 milionë dollarët e të ardhurave të familjes së aplikacioneve Meta.
Sipas kompanisë, është në zhvillim një panel inteligjent i menaxhimit të AI-së për bizneset, i cili do t’u lejojë këtyre të fundit të stërvisin AI-në e Meta-s me informacionin e tyre, duke përfshirë të dhëna nga website-i, profili në WhatsApp, Instagram apo Facebook. Po testohet gjithashtu mundësia për t’ua aktivizuar chatbot-in e AI klientëve direkt në biseda
Çfarë do të thotë kjo për tregun?
-WhatsApp po kthehet nga një aplikacion pa fitime direkte, në një platformë kyçe për biznes dhe AI.
-Meta po forcon pozicionin global të AI-së përmes një platforme që përdoret tashmë në çdo cep të botës, një avantazh që pak konkurrentë e kanë.
Ndërkohë që Meta përpiqet të zgjerojë përdorimin e AI në SHBA me aplikacione të reja, në Europë, Azi dhe Amerikën Latine, WhatsApp mbetet porta hyrëse kryesore për teknologjitë e reja të kompanisë.
WhatsApp, në heshtje, po bëhet një nga asetet më strategjike të shekullit të ri digjital, dhe këtë herë, nuk ka të bëjë vetëm me mesazhet. Po të bën të flasësh me inteligjencën artificiale, të blesh produkte dhe të ndërveprosh me marka, gjithçka nga një aplikacion i vetëm.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto