Viti i thyerjeve të forta - Business Magazine Albania

Viti i thyerjeve të forta


Heqja e interesave, fluksi gjigand i parasë, naftë e lirë, tregje aksionesh në bum: viti 2015 ishte plot thyerje. Ka shumë simptoma që edhe viti 2016 do të jetë i ngjashëm, shkruan Henrik Böhme.

I humburi i vitit 2015 është Mario Draghi. Në librat e historisë dikur do të lexohet: ai ishte njeriu, që hapi digat, kur në pranverë shpalli një program gjigand të blerjes së bonove të thesarit, për të derdhur çdo muaj miliarda e shumë miliarda Euro në treg. Kryembrojtësi i monedhës së përbashkët europiane e kurorëzoi këtë me një nivel interesi bankar pothuajse zero. Kjo duket si një përzierje e rrezikshme dhe në fakt është e tillë. Qëllimi i magjistarit italian nga kulla fringo e re e Bankës Qendrore Europiane (BQE) në Frankfurt mbi Main është që bankat paranë pak të kushtueshme t’ia japin si kredi ekonomisë, që sipërmarrjet të investojnë, që të ripërtërihet koniunktura, të rritet inflacioni dhe njerëzit të blejnë, të blejnë dhe të blejnë.

Por problemi është, se kjo nuk funksionon. Bankat preferojnë më mirë t’i ruajnë paratë, ndonëse për këtë u duhet të paguajnë interesa gjobe. Ekonomia nuk investon, sepse ekonomia botërore nuk është e qendrueshme si duhet. Koniunktura në Eurozonë çalon, inflacioni ka mbetur në zero. Përse duhet ndërmarrë patjetër gjithçka për të arritur sërish tek kuota e dëshiruar e dy përqindëshit? A ka kjo kuptim në një kohë, që çmimi i naftës është vazhdimisht në rënie? A mos vallë problemi qendron pikërisht këtu?

Ora e spekulantëve

E vetmja arsye përse njerëzit blejnë, blejnë dhe blejnë është, se ata preferojnë më mirë ta shpenzojnë paranë, se sa ta depozitojnë atë në bankë me interesa praktikisht zero. Eksperimenti gjigand i Draghit është një operacion në zemrën e hapur, që në radhë të parë jep vetëm një efekt: atë të zhvelftësimit të parasë në përmasa historike. Politika e interesit zero është receta e gabuar, ajo i drejton paranë dhe kapitalin vetëm atje, ku mund të shkaktojë gjëmën më të madhe: në duart e spekulantëve. Për njerëzit, që duan të sigurojnë jetesën në pleqëri me kursimet e tyre, kjo politikë është vetëm perversitet. Natyrisht tani mrekullisht mund të investosh në imobilje. Por kjo fluskë do të pëlcasë, më shpejt nga sa do të preferonte ndokush.

Sidoqoftë efekti i operacionit riskant të Draghit dhe padyshim i qëllimi të tij është, se Euro ka humbur dukshëm vlerë kundrejt Dollarit të SHBA-së, kjo i bën eksportet nga Eurozona më të favorshme. Së paku kjo ka funksionuar, e parashikueshme është për vitin e ardhshëm një barazi mes dy valutave. Por kujt i ndihmon kjo përveçse ekonomisë gjermane të orientuar fort nga eksporti? Pozitive është edhe se të paktën fluksi i parasë së lirë i mban në biznez vendet europiano-jugore si Italia. Një dhuratë e Draghit kjo për bashkëatdhetarët e vet. Vetëm se edhe sa kohë do të duhet që politika monetare të marrë përsipër detyrat e politikës reale?

Nuk ka plan kundër ndonjë krize

E të ndalemi tani edhe tek diga tjetër e çarë, që ka prekur Greqinë. A e ka numëruar ndokush, se sa samite të jashtëzakonshme iu deshën BE-së derisa më në fund u derdhën sërish ndihma të reja miliardash në kompensim të premtimeve për reforma të qeverisë së majtë në Athinë? Në fund pati një paketë ndihmash, e sërish u vendos qetësia. Por në të vërtetë diçka thelbësore që ky vend më në fund të mund të qendrojë sërish mbi këmbët e veta këtë vit nuk ka pasur në Greqi. E pra një kapitull ky që do të rihapet edhe në vitin 2016.

Por kjo temë me siguri që nuk do të tërheqë kaq shumë vëmendjen sa sivjet, kur vëmendja e aktorëve politikë u zhvendos drejt çështjes tjetër madhore: dyndjes masive të refugjatëve. Përderisa destinacioni kryesor i shumicës së refugjatëve, që kanë kaluar vështirësi të shumta, është Gjermania, dhe përderisa vala e tyre nuk do të ndalet as vitin e ardhshëm, kjo do të mbetet një sprovë e madhe për shoqërinë gjermane – e po ashtu do ta çojë në limitet e veta edhe kapacitetin e rendimentit të ekonomisë gjermane. Por ndonëse ekonomia sivjet ka ecur në një farë mase mirë, kjo nuk do të thotë që automatikisht do të vazhdojë kështu edhe vitin e ardhshëm.

Gjermania është e varur nga ekonomia botërore, e ndërkohë nuk ka shenja, që vendi do t’i bëjë ballë një recesioni të mundshëm mbarëbotëror. Vala e refugjatëve, edhe nga Gjermania ishte e pritshme, por atë nuk donte ta shihte askush. Kriza tjetër do të vijë me siguri. Por qeveria gjermane preferon më shumë bamirësitë miliardëshe sociale si pensioni në moshën 63 vjeçare. Mbetet të shpresojmë, që kriza e ardhshme të mos prekë ekonominë botërore. Sepse, për t’u kthyer sërish tek Mario Draghi: ai ka shkarkuar të gjithë barutin, i ka konsumuar të gjitha instrumentat për stimulimin e koniunkturës. Agjenda e tij e politkës monetare është helm për Europën, sepse ajo pengon reformat. Ndaj motoja për vitin 2016 është: ndaleni Draghin!

DW

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0